Pa nivelizim të pagave nuk ka paqe sociale!

Opinione

Pa nivelizim të pagave nuk ka paqe sociale!

Nga: Florim Zeqa Më: 21 qershor 2022 Në ora: 06:43
Florim Zeqa

Sikurse intelektualët dhe dijetarët, ashtu edhe atdhetarët dhe çlirimtarët janë ajka e kombit dhe vlerat më sublime të shoqërisë sonë. Të parët (intelektualët dhe dijetarët) duhet të jenë prijetarë të shtetit, kurse atdhetarët dhe çlirimtarët janë dy bazamentet më të forta dhe më çmuara të shtetit dhe kombit në përgjithësi.

Ikja e qytetarëve nga vendi, pasojë e kusarëve politik

Shkaku i sundimit antivlerave dhe pseudopatriotëve në Kosovën e pasluftës kemi anashkalim deri në përbuzje të vlerave njerëzore dhe kombëtare. Si pasojë e nepotizmit dhe klientelizmit, vendet e intelektualëve dhe atdhetarëve në qeverisjen e vendit po i zënë injorantët dhe pseudopatriotët.

Kjo ka bërë që shteti të mos trajtohet si shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve, por si plaçkë lufte e kusarëve politikë, të cilët rropën e ç’rropën gjithçka nga pasuria dhe patundshmëria shtetërore.

Sjellja e drejtuesve partiak dhe shtetëror jo si shërbyes por si sundimtar të gërditshëm, jo si atdhetar por si kusarë politik, i ka irrituar aq shumë qytetarët saqë të vetmin shpëtim e shohin largimin nga vendi.

Diskriminimi i thellë social, burim i pakënaqësive të qytetarëve

Publikimi i të ardhurave të zyrtarëve të lartë shtetërorë nga Agjensioni Kundër Korruspionit) (AKK) i nxori në sipërfaqe padrejtësitë e mëdha të kohës nëpër të cilën po kalojmë si shtet dhe si shoqëri njerëzore.

Përderisa një çift bashkëshortor në majat e hierarkisë së lartë shtetërore i ka të hyrat vjetore nga buxheti i shtetit mbi 72 mijë euro (2x36000), të hyrat vjetore të një veterani të vërtetë të luftës, të një pensionisti apo të një familje me asistencë sociale sillet diku ndërmjet 2-3 mijë euro e jo më shumë!

Për ta thjeshtësuar akoma më shumë këtë situatë, një zyrtarë i lartë shtetërorë merrë pagë mujore nga 2000-3000 euro në muaj, ndërsa veterani apo invalidi i luftës detyrohet të “kënaqet” me 170-250 apo 300 euro në muaj.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë diskriminim më skandaloz sesa ky, kur të ardhurat mujore të një zyrtari të lartë shtetërorë janë më të larta se të ardhurat vjetore një invalidi, të një pensionisti apo të punësuari në sektorin publik apo privat me pagë minimale!!!

Përderisa ta kemi këtë nivel të pabarazisë qytetare, në Kosovë nuk do të bëhet fjalë për shtet ligjor dhe demokratik! Nuk ka dhe nuk mund të ketë shoqëri të civilizuar dhe paqe sociale me një diskrepancë kaq të lartë sociale, ku dikush e bën jetën e “sheikut” në Kosovës, ndërsa tjetri të një skllavi të robëruar…!

Shteti i pseudovlerave, me kategori të shumëta abuzive

E keqja më e vogël për vendin do të ishte sikur t’i kishim vetëm veteranët mashtrues apo kategoritë abuzive të skemave sociale, pasiqë shuma e të ardhurave të përgjithshme të tyre është dukshëm më e vogël sesa e një armate të akademikëve pa mbulesë!

Rritja e numrit të “doktorëve” të shkencave dhe “akademikëve” me plagjiaturë, të cilët marrin paga të majme nga buxheti i shtetit pa asnjë vepër shkencore dhe pa asnjë kontribut në çlirimin e vendit dhe shtetndërtim është vazhdimësi e figurave të uniformuara të ngritura në gradën e “gjeneralit” pas lufte, pa diplomë përkatëse ushtarake dhe pa asnjë meritë në fushën e betejës!

Mirëpo, paradoksalisht askush nuk e ngrit zërin kundër këtyre kategorive që më së shumti e rëndojnë buxhetin e shtetit!

Atdhetarët nuk shkuan në luftë për t’u shpërblyer pas saj dhe as për të fituar privilegje nga shteti, por për t’i sjellë vendit liri, për të pasur një shtet të lirë dhe të pavarur, ku secili i gëzon të drejtat e barabarta në shtetin e lirë.

Të gjithë do të ishim të kënaqur dhe të lumtur në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës sikur të kishim sigurime shëndetësore dhe nivelizim të pagave, që i bie se paga maksimale në vend të ishte jo më e lartë se trefishi i pagës minimale dhe anasjelltas.

Mirëpo, kur pagat e larta në vend janë 15 deri në 20 herë më të larta sesa pagat minimale, fjala drejtësi bëhet e neveritshme dhe e paduerueshme për shumicën e qytetarëve që jetojnë në varfëri dhe pa asnjë përspektivë të përmirësimit të mirëqenjes së tyre.

Edhe në pushtetet e vendeve më të zhvilluara dhe demokratike ka shtresa të pakënaqura, por ato janë më të vogla dhe të papërfillshme sa i përket pabarazisë ligjore dhe sociale. Ndërsa tek ne shkalla e pabarazisë sociale e ka arritur kulmin shkaku se drejtësinë nuk e përcakton ligji por “maliqi”, që i bie se, drejtësia është në dorën e të fortëve të politikës e jo të gjyqtarëve dhe prokurorëve!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat