Qasja ndaj heronjve, është rentgeni më i mirë i ndërgjegjës së popullit

Opinione

Qasja ndaj heronjve, është rentgeni më i mirë i ndërgjegjës së popullit

Nga: Mehmet Prishtina Më: 2 korrik 2022 Në ora: 20:03
Mehmet Prishtina

Hera e fundit kur është intervenuar në Kompleksin e Jasharëve, nuk kishte qenë nga institucionet e Kosovës, por këtë e kishte bërë një donator nga Turqia, i cili në mënyrë vullnetare kishte investuar për ta rregulluar kompleksin e familjes Jashari.
Për çka flet flet kjo neglizhencë shtetërore? Si është e mundur që për trashëgiminë tonë historike e kulturore të jenë më të interesuar të huajt, se sa qeveritë tona?

Kompleksi Memorial i Jasharëve është “kutia e zezë“ e memories sonë kolektive, e cila do të duhej të trajtohet si një dëshmi e shenjtë për vuajtjet dhe krenaritë e së kaluarës, por edhe si udhërrëfim për të ardhmen. Ata që e shohin të mjegulluar të kaluarën, e kanë problem ta shohin edhe perspektivën e së ardhmes.
Heronjtë nuk flijohen për të rregulluar statusin e tyre postpomortum në shoqëri, por shoqëria është ajo që duke nderuar heronjtë, nderon edhe kuptimin e sakrificës kolektive.
Nëse një donator nga Turqia ka treguar gatishmëri më të madhe se çdo institucion i yni për ta renovuar Kompleksin e Jasharëve, kjo tregon se ne heronjtë i shfrytëzojmë vetëm sa për të bërë karrierë politike, ose për të përfituar ndonjë pikë si kompenzim i paaftësive tona.
Qasja që kanë popujt ndaj heronjëve të tyre, është rentgeni më i mirë i ndërgjegjës kolektive të atij populli.
Nuk është hera e parë që vullnetarizmi i individëve tregohet më i fuqishëm se gatishmëria e shtetit për të nderuar heronjtë. Kështu ishte edhe me rastin e ngritjes së shtatoreve të kolosit tonë Hasan Prishtina në qytetet tona kombëtare (Shkup, Prishtinë, Tiranë, Vlorë, …). Madje, ajo çka tingëllon edhe më absurde, institucionet tona shtetërore jo vetëm që nuk dalin në ballë të aksioneve, por ato edhe sabotojnë në forma të ndryshme. Këtë nuk mund ta shpjegojë as një logjikë normale, pos logjikave të djallëzuara që kanë bërë pakt me të keqen.

në harresë e Kompleksit Memorial të Jasharëve dhe premtimet e çdo qeverie se “ajo do të restaurohet së shpejti”, është treguesi më real i qasjes institucionale ndaj memories sonë historike, e cila, po të mos ishin individët entuziast, ajo do të mykej në kthinat e neglizhencës.

Kujtesa kolektive e popullit hebre u konzervua në një strategji të tërë projektesh që shteti bashkë me donatorët e ka ngritur. Prandaj sot kujtimi dhe edukimi për Holokastitn është shndërruar në doktrinë fakultative të shumë sistemeve arsimore në botë. Kjo nuk është arritur lehtë, por vetëm një popull dhe një shtet që çmon sakrificat e heronjve të vet, është në gjendje të bëhet model edhe për të tjerët.

Adem Jashari në ballafaqim me ushtrinë kriminale serbe të Millosheviqit, u vetëflijua me gjithë familjen. Ky është një rast i rrallë në historinë e njerëzimit, mirëpo çka bëmë ne si shtet dhe si popull, që këtë sakrificë sublime t’ua prezantojmë si doktrinë edhe popujve të tjerë.
Jasharajt e bënë atë që rrallë mund ta imagjinojë mendja e njeriut, por ata lirinë e popullit të tyre e vendosën mbi jetën që e këputën në mes. Ata sakrifikuan edhe fëmijët e tyre, sepse vetëm kështu fëmijët tjerë të Kosovës një ditë do ta gëzonin lirinë.

Asnjëherë nuk është vonë për të bërë vepra të mira. As tani nuk është vonë që shteti ynë më në fund t’ia kthejë famljes së flijuar Jashari në Prekaz të Drenicës, nderimin që i takon.
Një shtet që ka fituar lirinë mbi gjakun e heronjve, duhet ta shndërrojë nderimin në kod, sepse vetëm në këtë mënyrë vendosim një tulle të vogël mbi kullën e madhe të atdhedashurisë.

Prishtinë, 2 korrik 2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat