Për Flamurin tonë kombëtar në Kosovë dhe ish Jugosllavi janë vrarë mbi 50 mijë shqiptarë..!?

Opinione

Për Flamurin tonë kombëtar në Kosovë dhe ish Jugosllavi janë vrarë mbi 50 mijë shqiptarë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 18:06
Ilustrim

Definicioni më i sakët për flamurin është, se “Flamuri nuk është vetëm një copë bezi, ai është simbol dhe pjesë e identitetit shpirtëror, etnik, politik dhe shtetëror të një kombi”.

Dhe, siç dihet nga ngjarjet historike, meqenëse Kosova pas LDB-re në korrik të vitit 1945 u okupua me dhunë nga ushtria jugosllave me urdhër të Serbisë, nga ai moment për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, çdo gjë që ishte nacionale dhe e drejtë elementare njerëzore dhe etnike, brutalisht u ndaluan me ligje dhe dhunë policore, duke bërë krime dhe burgosje të tmerrshme ndaj 3 milion shqiptarëve në ish Jugosllavi, vetëm pse ishin banorë autokton në trojet e tyre..!?

Kjo periudhë e tmerrshme për shqiptarët, në veçanti ndaj atyre në Kosovë, do zgjas nga viti 1945 e deri në vitin 1966, kur në Plenumin e Brioneve do rrëzohet kriminali më i madh për shqiptarët, Aleksandar Rankoviçi, e njohur si periudha Rankoviçjane, i cili ishte nënkryetar i shtetit dhe i Titos, një kriminel ordiner i cili vetëm në periudhën 10 vjeçare 1956 - 1966 do vret dhe likuidon pa gjurmë mbi 50 shqiptarë vetëm në Kosovë.

Pra, në mesin e ndalesave me ligj të simboleve nacionale dhe identitetit etnik të shqiptarëve ishte Flamuri ynë kombëtar, kuq e zi me shqiponjën dy-krenare në mes, për të cilin janë vrarë dhe burgosur nga UDB-ja serbo-jugosllave me qindra dhe mijëra shqiptarë në Kosovë, të cilët flamurin kombëtar e mbanin fshehtë nëpër shtëpitë e tyre, në zyra, biblioteka shtëpiake, në rroba, veshmbathje, në oda dhe stanet e tyre në bjeshkë, dhe të cilët posa zbuloheshin (!?) nga sigurimi shtetëror serbo-malazez në Kosovë, burgoseshin, rriheshin dhe vriteshin pa gjurmë gjatë netëve të errëta nga policët kriminalë të A. Rankoviçit, për vrasjen e të cilëve kurrë nuk i kanë njoftuar familjarët e tyre.

Se sa është numri i shqiptarëve të vrarë për Flamur në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, deri më sot nuk janë dhënë statistika të sakta, por sipas shënimeve jo të plota, supozohet se janë vrarë rreth 50 mijë shqiptarë, qoftë për flamur, qoftë për aktivitete politike kombëtare, qoftë për poezi nacionaliste, qoftë për tubime të fshehta letrare, lexim të librave të autorëve shqiptar të ndaluar në Kosovë, siç ishte Lahuta e Malësisë, Mrizi i Zanave, etj., të Gj. Fishtës, të autorëve tjerë nacionalist shqiptar, siç ishte libri “Gjarpijt e gjakut”, të Adem Demaçit etj.

Duke qenë se dhuna dhe terrori shtetëror serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve nuk po merrte fund, ku mbretëronte një gjendje e plotë e aparthejdit serb në Kosovë dhe viset tjera etnike në ish Jugosllavi, kjo dhunë shtetërore do shpie në organizimin e demonstratave gjithë-popullore me 27 Nëntor 1968 në Prishtinë, por dhe qytete tjera të Kosovës mu prag të 28 Nëntorit, Ditës së pavarësisë së Shqipërisë e shpallur me 1912-tën në Vlorë, festë e cila ishte rreptësisht e ndaluar për shqiptarët në ish Jugosllavi. Kërkesat kryesore në këto demonstrata kanë qenë; “Republikë-Kushtetutë”, ja me hatër ja me tutë”, duam Flamurin tonë kombëtar, duam Universitet, etj.

Pra, shqiptarët e Kosovës janë të lidhur ngushtë emocionalisht me flamurin tonë kombëtar, me të cilin janë identifikuar si popull dhe si komb në Evropë dhe botë, të cilin edhe sot e adhurojnë me shpirt dhe të cilin e përdorin kudo që gjenden nëpër botë.

Mijëra shqiptarë kanë dhënë jetën për flamur kombëtar në Kosovë, shumë sish janë vra në errësirë dhe në kufijtë me Shqipërinë, disa janë torturuar dhe masakruar në burgjet ish jugosllave, me mijëra tjerë janë shpërngulë me dhunë në Turqi, por ende ka të tillë që tërë jetën ia kanë kushtuar kombit shqiptar e që ende janë gjallë, dhe njëri prej tyre është z. Sabri Novosella, i cili në librin e tij; “Ishulli lakuriq”, ndër të tjera ka shkruar; “Se zanatin prej rrobaqepësi, e vuri në funksion të lëvizjes sonë kombëtare qysh në vitet e ’60-ta, kohë kur ky veprim ishte i dënueshëm, por që fshehtas i qepi 94 flamuj kombëtarë, të cilët u ngritën nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës”.

Sabri Novosella u burgos dhe u dërgua në Goli Otok në vitin 1965 dhe u dënua me 9 vite burg të rëndë.

Të burgosurit shqiptarë për Flamur dhe jo vetëm, torturat më të rënda i kanë përjetuar në burgjet e Idrizovës dhe Velesit në Maqedoni; të Nishit, në CZ të Beogradit, të Pozharevcit, Leskovcit në Serbi; të Titogradit në Mal të Zi; të Bileqës, Stara Gradishkës, të Lepogllavës, si dhe burgun më të tmerrshëm, siç ishte “Goli Otoku”, në një ujdhesë në Adriatikun verilindor në Kroaci.

Pra, ç’ kombëtarizimi i Kosovës dhe viseve shqiptare në ish Jugosllavi është bërë përmes formave dhe metodave më ç’ njerëzore, siç ishte zhdukja fizike përmes vrasjeve, ku vetëm në periudhën e viteve 1944-1966 nga regjimi kriminal i A. Rankoviçit u vranë dhe u zhdukën mbi 70.000 shqiptarë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi. Ndërsa, vetëm gjatë 8 viteve (1953-1960) janë shpërngulur nga Kosova për në Turqi mbi 283.000 shqiptarë, ndërsa nga të dhënat që japin botimet e bëra më vonë, del se pas Luftës së Dytë Botërore nga Kosova janë shpërngulur për në Turqi rreth 400.000 shqiptarë.

Rroftë Dita e Flamurit, 28 Nëntori, rroftë kombi shqiptar !

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat