Politika e jashtme e Kosovës nuk është çështje individuale, ajo është kauzë, platformë dhe veprim i përbashkët shtetëror..!

Opinione

Politika e jashtme e Kosovës nuk është çështje individuale, ajo është kauzë, platformë dhe veprim i përbashkët shtetëror..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 14:32
Rexhep Elezaj

Aplikimi i djeshëm i Kosovës për anëtarësim në BE, pa dyshim, është një akt i pozitiv dhe i nevojshëm në rrugën e saj drejtë integrimit në familjen e shteteve demokratike, të zhvilluara dhe të emancipuara të Evropës, qoftë si aspiratë, apo si strategji politike dhe kombëtare e shqiptarëve, për t’u bërë anëtarë të barabartë me popujt e lirë të kontinentit evropian, pjesë gjeografike e të cilit është Kosova.

Mirëpo, duhet theksuar faktin e pamohuar, se Kosova qëkur është bërë shtet i pavarur (shkurt 2008) e deri më sot, ajo nuk ka pasur politikë të jashtme të mirëfilltë, sepse asnjë qeveri nuk ka pasur Platformë-program veprimi të aprovuar në Kuvend në fushën e marrëdhënieve të saj me botën e jashtme, pa të cilën platformë nuk ka qenë e mundur të bëhet politikë shtetërore dhe aktive në planin ndërkombëtar.

Një platformë e tillë shtetërore i mungon edhe sot qeverisë aktuale, dhe, shembulli më eklatant i politikës së jashtme, është mungesa e Platformës për dialog me Serbinë, e cila do duhej të ishte pjesë e dalë nga Platforma dhe Programi i qeverisë, paraprakisht i aprovuar në Kuvend, dhe i/e cili/a do duhej të përgatitej për shqyrtim dhe debat parlamentar nga Ministria për punë të jashtme, e cila kurrë nuk e ka paraqitur një program të tillë shtetëror para Kuvendit të Kosovës.

Se është kështu, këtë e tregojnë qartë sjelljet dhe veprimet individuale të krerëve shtetëror të Kosovës, ku së pari, në dialog me Serbinë shkojnë vetëm dy persona, në vend se Kosova të paraqitej atje me Ekip negociatorësh prej më së paku 15 anëtarëve, brenda të cilit paralelisht në bisedime me Serbinë do trajtoheshin të gjitha temat, nga ato teknike e deri tek ato politike, e jo duke i lënë pas dore çështjen e të pagjeturve, çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës, të pronave, kthimin e librave kadastrale, çështjen e pensioneve si dhe reparacionet e luftës, etj.

Pra, krye-negociatori, kryeministri i vendit, me ekipin e tij do duhej të merrej vetëm me çështjen e njohjes reciproke me Serbinë, e jo me targat, letërnjoftimet dhe stikerat, siç është vepruar deri më tash. Pra, përveç mungesës së Platformës gjithëpërfshirëse si dhe programit veprues në planin e realizimit të strategjisë shtetërore në politikën e jashtme, nuk ka pasur asnjëherë komisione dhe grupe punuese në nivel shtetëror për çështjet kyçe dhe specifike, siç është lobimi intensiv tek 5 shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, komision ky i cili çdo ditë do duhej që këtyre vendeve t’iu ofronte materiale dhe fakte pse duhet ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, gjë të cilën nuk e ka bërë askush deri më sot.

Ndërsa, takimet individuale në tubime dhe samite ndërkombëtare me shefat e këtyre shteteve, ato nuk paraqesin anën zyrtare të çfarëdo lloj bisedash për njohje, nuk janë as fushatë dhe lobim, ngase këto shtete njohim vetëm rrugën zyrtare dhe diplomatike të komunikimit.

një shtet nuk ka Platformë dhe program konkret në planin e politikës së jashtme, atëherë ajo bëhet “ad-hoc” mbi vullnetin e individit, e cila nuk mund të jetë në asnjë mënyrë “politikë e jashtme” e shtetit, veçse rrëfim-tregim individual, siç janë intervistat e krerëve shtetëror të Kosovës që po i japin kohë pas kohe agjencive dhe shtëpive televizive të huaja, por që në fakt nuk janë paraqitje zyrtare të politikës së jashtme të shtetit të Kosovës. Ato janë intervista personale për konsum të jashtëm medial, jo që janë të dëmshme, por nuk paraqesin aspektin zyrtar të shtetit në emër të cilit flasin.

Pra, politika e jashtme është shkencë, veprim, aksion, diplomaci, angazhim si dhe zbatim në praktikë, por e cila nuk mund të prezantohet pa u bazuar në platformë dhe program të shkruar në letër, ku për secilin shtet ndërtohen politikat bilaterale të dallueshme dhe specifike për secilin shtet dhe kontinent veç e veç, mungesa e të cilave (programe) e ka sjellë Kosovën në situatën që të mos ketë asnjë njohje të re, hiç këtu njohjen e vetme nga Izraeli para më shumë se dy viteve..!?

Ajo që dua ta potencoj, është fakti i pamohuar, se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, ndoshta ka mundur të ndodhë edhe para dy-tri viteve, por kjo nuk do çonte kurrfarë peshe, poqe se ai akt nuk përcillet me masa adekuate të veprimit dhe lobimit tek të gjitha shtetet anëtare të BE-së, nëse nuk kemi grupe të caktuara që lobojnë natë e ditë tek secili shtet veç e veç për anëtarësim, siç ka ndodhur me çështjen e liberalizimit të vizave, për arritjen e të cilit askush nga qeveritë e Kosovës nuk e ka bërë atë që është dashur ta bënte si shtet, meqenëse në mungesë të platformës adekuate për veprim, secili përfaqësues i shtetit të Kosovës ka lobuar krye më vete sipas sintagmës, “shteti jam unë”..!?

Kështu dhe në këtë mënyrë klandestine, me këtë logjikë megalomane, me këso sjelljesh dhe veprimeve individuale, pa program shtetëror dhe ekipe ekspertësh nga të gjitha fushat, pa angazhim dhe veprim të koordinuar midis organeve kryesore të shtetit, Presidencës, Kuvendit dhe qeverisë, etj., është iluzore të shënohen dhe arrihen suksese në politikën e jashtme të Kosovës, dhe jo vetëm kaq..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat