Nënshkruesi i Asociacionit do “fitoj” vetëm me një “biletë” të lëçitjes publike!

Opinione

Nënshkruesi i Asociacionit do “fitoj” vetëm me një “biletë” të lëçitjes publike!

Nga: Fadil Maloku Më: 14 janar 2023 Në ora: 23:23
Fadil Maloku

1. Në rast se; qeveria dhe opozita dëshirojnë të ndahen faqebardhë me miqtë dhe partnerët tanë strategjik, pra, nëse synojnë ta dëshmojnë si lojalitetin ashtu edhe gatishmërinë e tyre për të bashkëvepruar në sinkron me interesat e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike, ata paraprakisht DUHET ta afishojnë në unison (me gjitha partitë politike) të plotë alibinë apo argumentin e munguar (juridik, politik, ekonomik, historik etj.) gjithëpërfshirës sociologjik. Shkaku se me këtë mënyrë dhe me këso qasjeje, qeveria dhe opozita jonë mund ta amortizojnë synimin dhe shpresën e kamotshme të Serbisë (për një Republika srpska në Kosovë!) por, njëkohësisht edhe ta lehtësojnë me këtë ide edhe “mirëmbajtjen” e miqësisë dhe të partneritetit afatgjatë me sponsorët e shtetësisë së Kosovës.

2. Ndryshe, si është duke shkuar aktualisht hesapi, opozita përveç hezitimit po shprehë edhe një lloj hiperpoltronizmi e hiperkonformizmi të panevojshëm padyshim edhe të dëmshëm në faza afatgjata për shtetndërtimin e Kosovës. Uroj që e gjithë kjo sjellje dilematike opozitare të zbutet dhe definitivisht të pushoj opozitarizmi ideologjik, të paktën për aq kohë sa nuk do filloj” njohja reciproke” (që është interes edhe i tyre) midis Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu, shpresoj që ditë dashuria e jonë platonike ndaj: aleatëve dhe miqve të mos konvertohet në “dashuri”e servilitet po as edhe në mentalitet fatalist skllavërues, por, të shndërrohet në partneritet. Dhe që asnjëherë ky partneritet (që fillimisht, mund të jetë i bazuar në interes ekonomik por, në sistemin veror e kulturor perëndimor) të mos ngatërrohet e identifikohet me normat dhe standardet e miqësisë madhore që e kemi ndërtuar e kultivuar me Amerikën.

3. Në ndërkohë, për ta zgjeruar përgjegjësinë vendimmarrëse për (mos)aprovimin e Asociacionit, na duhen ekzaminime akademike, organizime publike qytetare, poashtu edhe miq të vërtetë ndërkombëtar që lobojnë interesat tona afatgjate. Ngase, në këto orë të liga historie, është duke u krijuar një atmosferë vetëkënaqësie e vetëmjaftueshmërie që në faza afatgjate mund të na sjell dëme të pariparueshme (politike, ekonomike, e gjeopolitike) për vetën tonë, po edhe për interesat e miqve në rajon e glob. Andaj, s’duhet t’i lëmë asgjë stihisë e anarkisë, por, t’i nënshtrohemi mbikëqyrjes, sistemimit dhe përditësimit institucional, në mënyrë që ta ushtrojmë një menaxhim të përbashkët kontrolli. Ndryshe, konsideroj që subjekti politik, apo cilido politikan (qoftë ai edhe tip karizmatik!) që do pranoj ta nënshkruaj Zajednicën (në këmbim të ndonjë privilegje, favori, apo posti e çfarëdo statusi tjetër) duhet ta dijë që paraprakisht vetës por edhe subjektit politik që përfaqëson, ia ka siguruar një “biletë” të lëçitjes publike nga ana qytetarëve të Kosovës! Njëkohësisht, ekzistojnë gjasat reale që të njëjtit person a subjekt nënshkrues do u “rezervohet” edhe një vend në mauzoleun e njohur të varrezave të Beogradit! Vend ky që në ambientet e veta “atraktive” po e “pushon” (jo)aksidentalisht edhe një emër të apostrofuar e të gdhendur si shqiptar (si psh.qifti i Esad Pashë Toptanit) të “ndershëm”…

…subjekti politik, apo cilido politikan (qoftë ai edhe tip karizmatik!) që do pranoj ta nënshkruaj Zajednicën (në këmbim të ndonjë privilegje, favori, apo posti e çfarëdo statusi tjetër) duhet ta dijë që paraprakisht vetës por edhe subjektit politik që përfaqëson, ia ka siguruar një “biletë” të lëçitjes publike nga ana qytetarëve të Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat