Në vrasjen e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit shoh dorën e armiqve të Shqipërisë

Opinione

Në vrasjen e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit shoh dorën e armiqve të Shqipërisë

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 26 janar 2023 Në ora: 22:09
Kudusi Lame

Pyetje: Z. gjeneral, në harkun kohor të dhjetë ditëve ndodhën dy vrasje, dy atentate ndaj dy përsonaliteteve të larta shqiptare. Vritet deputeti dhe kryetari i komisionit parlamentar të mbrojtjes, lider i levizjes antikomuniste të dhjetorit Azem Hajdari dhe ministri i mbrojtjes së republikës së Kosovës Ahmet Krasniqi.

Këto vrasje ndodhen në një kohë kur kombi ynë po zgjohet, kur UÇK po përgatitej për fazën e dytë të luftës me strategji e riorganizim të ri.

Cilat do të ishin komentet tuaja z. gjeneral.

Përgjigje: Nuk di nëse do të arrij të bëj një koment shumë të saktë kësaj pyetje që ju bëni, por di të them që çdo vrasje është dhimbje, është humbje, pa folë pastaj kur vrasjet godasin personalitete drejtuese të politikës, shtetit, të ushtrisë. Këto pastaj marrin tjetër karakter e vlerësim që natyrisht merr përmasa më të mëdha.

Unë do të them që ne duhet të jemi të zgjuar në çdo kohë për të qenë vigjilent ndaj situatës që po kalojmë, por të jemi edhe të mënçur për të bërë vlerësime sa më realiste për atë çka ndodhi.

Konkretisht unë në këto vrasje që kanë ndodhur shoh të njëjtën dorë, shoh dorën e atij organizmi që nuk e do Shqipërinë, shoh dorën e armiqve të Shqipërisë.

Dhe sot realisht po bëhet një luftë në Kosovë ku populli nuk po e duron dot më zgjedhën dhe po përpiqet të fitojë të drejtat e veta, disa me mencurinë e politikës, të tjerat me forcën e armëve. Kjo, natyrisht nuk i shkon për shtat Serbisë sepse i intereson që ta sundojë Kosovën. Por ju e dini mirë që në gjithë propagandën që është bërë e keqja e kësaj që po ndodh në Kosovë nuk kërkohet tek shtypja barbare serbe mbi popullsinë shqiptare në trojet e veta atje por kërkohet tek Shqipëria, tek republika e Shqipërisë. Dhe Serbia kërkon që për atë situatë që e ka krijuar vetë në Kosovë, të bëjë fajtore Shqipërinë, shtetin shqiptar dhe të krijojë situata brenda kufijve të republikës së Shqipërisë. Kështuqë unë realisht shikoj se këta i ka vrarë një dorë armiqësore dhe dora armiqësore mendoj se është e njëjtë, është dora e Serbisë.

Pse mendoj kështu? Mendoj për arsye se nëse u vra deputeti Hajdari, tendenca sipas meje ishte që të krijohej një konflikt civil në Shqipëri e jo që të ndërrohej pushteti, sepse dihet që pushteti nuk mund të ndërrohet në këtë situatë. Dhe kush mendon ndërrim pushteti në këtë situate gabon rëndë, pasi ndërrimi i pushtetit tani është minim edhe i situatës në Kosovë. Pa folur pastaj për preferencat, mazhorancat e minorancat e mbështetjes së politikave partiake që ekzistojnë sot realisht në Shqipëri. Kështu që synimi ishte të krijohej një gjakderdhje në Shqipëri, të krijohej një luftë civile, ndoshta duke arritur edhe në ndarje të veriorëve e të jugorëve të cilët të mund të ngriheshin në luftë kundër njëri-tjetrit për të shkaktuar një katastrofë brenda republikës së Shqipërisë që të mos mbetej më njeri për të menduar se ka shqiptarë edhe përtej kufijve. Kjo natyrisht kishte premisa mjaft negative dhe tentativat e përpjekjet u bënë, por fatmirësisht ky akt diversionist në kryeqytetin e Shqipërisë dështoi. Dhe meqenëse dështoi akti diversionist i destabilizimit të Shqipërisë, që për mua dështoi dhe ka dështuar përfundimisht, dhe mendoj se nëse shqiptarët do të dinë ta shikojnë të vërtetën në sy dhe do të dinë ta vlerësojnë të vërtetën dhe nuk do të ecin me sllogane dhe me bindje vetëkënaqësie por me realitetin përpara vetes, them që ky akt për destabilizimin e Shqipërisë është akti i fundit, nuk do të ketë më të tilla. Pastaj mendoj se të gjithë shqiptarët do t’ia venë gishtin kokës dhe nuk do të ingranohen në lojra armiqësore të armiqve të Shqipërisë që çojnë në rrugën e destabilitetit.

Por meqenëse ky akt dështoi, natyrisht duhej ndërmarrë një akt tjetër, që të destabilizohej një organizëm tjetër. Dhe natyrisht meqenëse në Kosovë veprojnë forcat e armatosura që sipas informacioneve që i keni përcjellë edhe ju, thuhet që ato forca kanë edhe përkrahës të politikave pjesore kosovare, duhej të vritej Ahmet Krasniqi që ishte ministër i mbrojtjes së Kosovës në qeverinë e saj që t’i vihej emri njërit apo tjetrit krah me qëllim që mes këtyre strukturave, që sot aktualisht njohin një armik, Serbinë që po i djeg e përvëlon, që ju i përcillni vazhdimisht edhe nëpërmjet valëve të radios tuaj, por që e shikojmë edhe nëpërmjet ekraneve të televizioneve të Shqipërisë por dhe atyre botërore, pra, në vend që ata të përballeshin vetem me një armik bashkë si vëllezër, tani duhet të shikojnë edhe njëri – tjetrin me dyshim, se duhet të dihet se nga erdhi plumbi që vrau ministrin e mbrojtjes dhe natyrisht që tendenca është që të krijohen dyshime të tilla, të krijohen pakënaqësira të tilla, e pse jo, ndoshta edhe të arrihet deri atje sa që formacione të ndryshme ushtarake që luftojnë për të ruajtur familjet, fshatrat e tyre, të marrin armët e të luftojnë kundër njëri-tjetrit sepse kjo do të ishte në deshirën e Serbisë dhe atëhere ajo do ta kishte të zgjidhur plotësisht problemin.

Pra duket që ka tendenca, të paktën sipas vlerësimeve, siç thashë në fillim që nuk marr përsipër t’i konsideroj këto si vlerësime shumë të sakta sepse unë nuk mund të kem një mundësi ndoshta të kësaj natyre, por sipas këtyre vlerësimeve që kap unë, kuptoj që tendenca destabilizuese kaloi tani në radhët e ushtarëve të UÇK që duket se po veprojnë në Kosovë për të fituar të drejtat e tyre krahas formave të tjera të politikës paqësore që po ndiqet.

Pyetje: Duke i lidhur këto dy vrasje, po mendoni se është një atentat kundër çeshtjes shqiptare në tërësi e sidomos kundër Kosovës meqenëse kosova tani ka kapë pushkën dhe po e afron, po e shpejton çlirimin e vet.

Përgjigje: Realisht që e konsideroj atentat kundër çeshtjes kombëtare shqiptare vrasjen e dy politikanëve dhe drejtuesve, e konsideroj, thashë, një akt diversionist që bëhet në kryeqytetin e Shqipërisë ndoshta edhe me qëllime më të largëta për të bërë ndoshta edhe ndonjë propagandë që mund të lindë nesër, që Shqipëria po vret drejtuesit e qeverisë së Kosovës, apo nuk e di se deri ku mund të shkojë mendja e agjenturave që angazhohen me këto probleme. Por pa objektiva të qarta, nuk bëhen asnjëherë vrasje të kësaj natyre, pa ditë përfundimin se deri ku do të arrihet. Varet pastaj se sa do të ecet në atë linjë dhe sa do të jenë të paafta ato forca që janë përballë këtyre akteve, vrasjeve si këto të fundit, për të vendosë.

Unë thashë se akti i parë dështoi, ai akti i parë terrorist, diversionist. Por ja që pas dështimit të të parit, lind i dyti. Duhet që të kenë forcë edhe ata kosovarët që ta kalojnë këtë provë, është një provë për ta, nëse ata do të mund ta përcjellin një drejtues të tyre me nderimet që ju takon, ta përcjellin në banesën e tij të përjetshme dhe t’i rikthehen bashkë sup më sup situatës për të qëndruar vëllazërisht dhe për të mos e parë njëri – tjetrin me dyshim se natyrisht nuk kanë arsye pse ta shikojnë njëri – tjetrin me dyshim. Ata duhet, si edhe ne, të mprehim vigjilencën për të parë se nga vjen goditja dhe të përcaktojmë saktë objektin e goditjes që vjen në drejtim tonë, të drejtuesve siç mund të ndodhin akte diversioniste.

Unë nuk mendoj se ne duhet të debatojmë dhe t’i vemë etiketa njëri – tjetrit. Ne e kemi të qartë, unë përsonalisht e kam shumë të qartë se si po kryhen këto veprime dhe cilat janë synimet që ua shpreha edhe pak më parë. Ndaj duhet të jemi vigjilentë, duhet të jemi të kujdesshëm. Të lidhemi më tepër se kurrë sup më sup qoftë ne këtu në zonën tonë të mbrojtjes me gjithë popullin e zonës qoftë republika e Shqipërisë me politikën edhe gjithë popullin e saj e gjithë shtetin, qoftë edhe Kosova me politikën e ushtrinë e saj, natyrisht duhet të jetë plotësisht unike për të kryer misionin e lirisë e të drejtës për të jetuar si gjithë popujt e tjerë dhe për të mos qenë të robëruar e për të mos u djegur sa herë t’u teket serbëve që t’u hedhin granata, apo të hedhin predha, apo të rrafshojnë me tanke fshatra të tëra që realisht kur i shikon të rrënqethet mishi dhe të krijohet një situatë e pakëndëshme, një situatë e rëndë psiokologjike që të mbledh trurin, të shkakton një shqetësim, ndoshta nuk di se si mund ta shpreh që t’i jap emër këtij lloj shqetësimi, por them që është diçka shumë e rëndë që nuk e sheh tjetër vend dhe është e papërjetuar në kuptimin e plotë të fjalës. Por ja që paska qenë një kohë si kjo koha jonë sot që duhet të shikojmë edhe gjëra të tilla dhe ndoshta edhe të rrimë e t’i bëjmë sehir.

Pyetje: Kohët e fundit ka zëra se po shmangen ose po dezertojnë nga lufta disa ushtarë të UÇK, që siç duket hynë në luftë sa për ta shkruar emrin, ose kujtuan se lufta do të zgjaste gjashtë muaj. Si do të shpreheshit ju gjeneral për këtë fenomen që po ndodh duke patur parasysh edhe akuzat që shpërndajnë këta ikës të luftës se “na tradhëtuan komandantët”, “s’ka organizim të mirë UÇK”, “s’kemi komandanta profesionistë”, etj., etj. Si ushtarak ju si do i gjykonit këto.

Përgjigje: Nuk e di një fakt të tillë dhe nuk mund të marr përgjegjësinë që ta analizoj këtë situatë pasi nuk më është krijuar mundësia e kontaktimit, detyrat e mia që kam në drejtimin e punëve që më janë ngarkuar nuk më lejojnë që të merrem me gjëra të kësaj natyre. Ata, unë di që kanë fuqinë e tyre kosovarët dhe kanë një forcë, një potencial popullor të aftë për të kryer misionin ndaj vetvetes. Dhe kam bindjen që ata do të kenë forcën dhe deshirën për ta kryer atë.

Nëse vertetë ka ushtarë të UÇK që dezertojnë nga lufta, unë e di që dezertorët pushkatohen. Dhe neqoftëse mua do të më ndodhë nesër që të më dezertojnë ushtarët nga fronti, po u krijua ndonjë mundësi e tillë, në rast se do të ketë ndonjë akt agresiv ndaj kufijve shtetërorë të republikës së Shqipërisë, unë do t’i pushkatoja ushtarët që do të dezertojnë e do të largohen nga fronti sepse nuk ka rrugë tjetër. Fronti ka ose luftëtarë ose të pushkatuar. Ose heronj, ose armiq të frontit e të luftës. Pra, them, që ushtarin të mos e lësh që të thotë se s’kam komandant, komandanti duhet të bëjë detyrën. Detyra e tij është që ta udhëheqë ushtarin në luftë, ta çojë atë në front, ta mbrojë, ta dojë, ta respektojë, ta furnizojë, të kujdeset për të në kuptimin e plotë të fjalës me një dashuri prindërore, dhe kur ai të shkelë rregullat e luftës, ta pushkatojë. Nuk mendoj se duhet të ekzistojë ndonjë ligj tjetër në luftë. Lufta nuk është për hatër, lufta nuk bëhet me hajde ta bëjmë o vllazën, lufta bëhet me urdhëra, me kërkesa, bëhet me rreptësinë e saj se po hyre në luftë duhet të hysh për të fituar se nuk hyhet për të luajtë. Edhe një lojë futbolli që bëjnë lojtarët kur hyjnë, hyjnë me gjithë shpirt për të fituar dhe arrijnë deri atje sa kapin edhe arbitrat në fyt nëqoftëse u prishet diku ekuilibri i lojës për faj të diçkaje, jo më të futesh në luftë me armë për të fituar një të drejtë që të takon dhe të dezertosh pastaj kjo do të thotë që nuk je serioz ose që je në shërbim të armikut që ke përballë. Ndaj një përson i tillë po të shfaqet, ai është armik, konsiderohet njëlloj sikur ai që dezerton nga fronti dhe le një shteg të hapur ose le një shok të pambrojtur ose le një shok të plagosur njëlloj është me atë që mësyn përpara dhe vjen të të vrasë me gjithë të tjerët. Nuk i diferencoj unë. Kështu që unë nuk do të kisha dëshirë të kishte njerëz të tillë dhe aq më pak do të kisha dëshirë të kontaktoja njërez të tillë ose të njihja të kësaj kategorie sepse do ta quaja edhe unë veten bashkëfajtor nëse do të kisha të bëja me të tillë.

Pyetje: Ju z. gjeneral jeni shprehur nëse s’gaboj se lufta e Kosovës, pra kjo luftë shqiptaro – serbe që po zhvillohet aktualisht është lufta e fundit në Ballkan dhe mbase në Europë. Nga del ky mendim i juaj.

Përgjigje: Me thanë të drejtën, nuk e di ku e kam shprehur një mendim të tillë por e kam një bindje të tillë për arsye se konstatoj se bota po ecen drejt demokratizimit të plotë. Dhe unë një demokraci me luftra etnike, të armatosura ndërshtetërore nuk mund ta kuptoj fare. Unë demokracinë e kuptoj demokraci në kuptimin e plotë të fjalës, të asaj që përmbledh, mirësinë, edukatën, kulturën, mirëqenien, punën, çka janë elemente të demokracisë. Por në elementet e demokracisë nuk ka luftë dhe nuk ka sundim të njeriut nga njeriu, në demokraci secili bën detyrën e tij. Ndaj unë them që pas kësaj lufte që po bëhet do të vijë përfundimisht shkatërrimi i diktaturave dhe nuk do të ketë më asnjë lloj diktature, nuk do të ketë më asnjë lloj shtypje të njerzve nga disa të tjerë siç po ndodh në rastin konkret e për rrjedhojë s’ka si të ketë edhe luftë. Do të bëjë secili detyrën e tij, do të jetë secili në drejtimin e tij, në pronën e tij, do të luftojë secili për mirëqenien e tij, do të jetë secili brenda ligjit të tij, do të ketë kulturën, edukatën dhe privilegjet që i takojnë gjithsecilit. Dhe në këtë rast natyrisht që nuk mund të ketë luftë. Ndaj unë kam bindje që kjo është lufta e fundit në Ballkan dhe në gjithë Europën. Varet se sa do zgjasë kjo se siç duket po vazhdon gjatë. Shpresoja se do të kishte edhe një mirëkuptim, edhe një ndërhyrje të posaçme që të mos mbeteshin më qindra mijëra njerëz nëpër pyje si në kohën e lashtësisë duke i kthyer si të egër ata, duke i kthyer që të hanë bar, të hanë dushk. Mirëpo siç duket reagimet janë të avashta e ndoshta sa më larg frontit të luftës të jesh aq më e ftohtë vjen ajo, kështu që kur je i ngopur nuk mendon fare për të uriturin, kur je i lirë nuk mendon për të robëruarin, ndaj do venë me javashllek edhe ndërhyrjet përkatëse që gjithsecili të shkojë në pjesën e tij, secili të sundojë atë që i përket dhe askush të mos sundojë tjetrin. Unë them që një ditë e tillë do të vijë, jo vetem për shqiptarët e Kosovës po për të gjithë ata që mbeten të sunduar nga të tjerët dhe natyrisht ajo do të jetë dita që edhe ata që ndjehen uzurpatorë do të ndjehen më të lehtësuar, më të qetë dhe do ta shikojnë më me besim, me shpresë e më të ndriçuar të ardhmen e tyre.

Pyetje: Vrasjet e dy politikanëve në Tiranë, a shihen si zhvendosje apo mbartje e luftës në Tiranë, si ndezje e luftës në shqipëri, që Serbia ta spostojë luftën sa më larg vetes së saj, të vazhdojë të investojë në përcarjen tonë, në rrënimin e ceshtjes tonë kombëtare.

Pergjigje: Natyrisht që çdo armik përpiqet të ndezë luftën sa më larg vetes së tij dhe tendenca për të krijuar destabilitet në Shqipëri, unë e thashë dhe më lart, është e dukshme, por ajo tendencë deshtoi përfundimisht. Ndërsa atentati që iu bë z. Krasniqi është për të filluar përçarjen mes vetë kosovarëve. Pra këto të dyja janë tendenca që përpiqen të krijojnë përqarje mes shqiptarësh, pavarësisht në Shqipëri apo në Kosovë. Natyrisht që një përpjekje e tillë mban edhe probleme të tjera me vete që sjellin mjaft shqetësim. Por unë dua të them që pavarësisht nga përpjekja për ta kthyer opinionin botëror drejt Tiranës dhe për ta zhvendosur vemendjen prej Kosovës, çka është një nga objektivat e këtyre goditjeve, unë them se nuk ia arriti dhe nuk ka për t’ia arritur kurrë qëllimit. Se jo një vrasje por as dhjetë as njëqind vrasje nuk e mbulojnë dot gjithë atë prush që po digjet nëpër Kosovë. Ndaj vemendeja e botës, vemendja e forcës botërore atje do të jetë dhe atje do të shpërthejë në momëntin e duhur për t’i dhënë secilit atë pjesë të të drejtyave të tij dhe për t’i dhënë secilit atë pjesë të dënimit që i takon për situatën që ka krijuar. Realisht këtë situatë e ka krijuar Serbia dhe ajo shpresoj që do të marrë atë që meriton. Megjithatë, duhet t’ju them që ne duhet të jemi vigjilentë, shumë vigjilentë, të mos ketë depërtime mes nesh të atyre që s’na duan, të atyre që përpiqen të na përçajnë, të atyre që përpiqen të na destabilizojnë. Nëse do të jemi vigjilentë, nëse do t’i besojmë njëri – tjetrit, nëse do të jemi sup më sup me njëri – tjetrin, nëse ne do ta dimë ku e kemi frontin, nëse do të dimë ta ruajmë prapavijën tonë, nëse do të dimë ta mbështesim njëri – tjetrin, nëse do të dimë të bashkojmë edhe elementët shtetërorë edhe elementet popullorë edhe elementet politikë dhe mbarëkombëtarë, sipas detyrimit që ka gjithësecili në këtë situatë, ne jemi të fituar në çdo moment, jemi pa destabilitet, e natyrisht vetem ditë të mira e vetem mbarësi pritet. Nëse nuk do të mbajmë parasysh këto elementë dhe do të qëndrojmë larg ose indiferentë ndaj tyre dhe nuk do të mbështesim të mbarën, nuk do të mbeshtesim mbrojtjen, nuk do të mbështesim lirinë, atëhere ne jemi të destinuar të shkatërrohemi dhe kush e deshiron këtë është i dështuar. Duhet të kini parasysh, Shqipëria ka mbijetuar disa dhjetra shekuj duke luftuar kundër sundimeve të huaja. Ai që sundon dhe përpiqet të shkatërrojë dhe mendon se mund ta destabilizojë Shqipërinë dhe mund ta mohojë etnitetin shqiptar gabon rëndë. Ai e përgatit varrin e vetes. Nuk dua të zgjatem shumë por dua të them se ne duhet të dime rrugën tonë. Unë besoj plotësisht edhe nga kontaktet që kam patur me popull, ushtarakë, me elementë të ndryshëm, të politikës, të shtetit, të popullit, kuptoj që ne e dimë rrugën tonë, dimë të jemi të bashkuar dhe t’i vëmë emër real asaj çka ndodh, dimë t’i bëjmë rezistencë për ta ezauruar çdo lloj të çare që lind mes nesh. I besoj shumë të ardhmes, i besoj shumë popullit, disiplinës shqiptare, forcës shqiptare, dhe jam i bindur se e ardhmja është e jona.

Faleminderit gjeneral.

Faleminderit juve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat