Pse heshtin politikanët shqiptarë ndaj trysnisë që serbët në Mal të Zi po ushtrojnë ndaj shqiptarëve autokton, që nga 30 gushti i vitit 2020?

Opinione

Pse heshtin politikanët shqiptarë ndaj trysnisë që serbët në Mal të Zi po ushtrojnë ndaj shqiptarëve autokton, që nga 30 gushti i vitit 2020?

Nga: Dr. Nikoll Shabani Më: 29 mars 2023 Në ora: 14:12
Autori Dr. Nikoll Shabani

Pra, nga kjo datë në Mal të Zi kur në pushtet erdhi një opozitë anti-malazeze e kryesuar nga kisha ortodokse serbe, e cila me provokimet e saj vandale dhe me kryq në dorë, e që nuk është parë në këto anë ndonjëherë më parë, vazhdon me shantazhe ndaj stabilitetit të vendit, që as historia nuk ka evidentuar diçka të tillë në këtë shtet.

Siç dihet, vetëm me një deputet më shumë opozita pro-serbe e mori pushtetin në vitin 2020 e cila menjëherë filloi t’i zbrazë sulmet e saj kundër Nato’s, Evropës si dhe kundër Kosovës dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Mirëpo këtë histeri të tyre nuk e lejuan të merr përmasa të gjera politike qarqet diplomatike të Evropës dhe SHBA-ve, ngase kjo opozitë donte të dëmtojë gjithçka që ishte ndërtuar për 17 vitet e fundit, duke ndërhyrë tek partia "URA" e kryesuar nga një shqiptar i cili shkëputet nga tabori pro-serb për të bërë koalicion me partinë e Milo Gjukanoviçit, e cila edhe e bënë këtë shqiptar kryeministër të Malit të Zi.

Madje me këtë rast mediat shqiptare shpupurishën nga qejfi, se ja "u bëmë edhe ne me një kryeministër shqiptar”, çfarë tregon se sa larg realitetit dhe problemeve politike në Mal të Zi është opinioni gazetaresk shqiptar. Dhe, në këtë rast do ishte e qëlluar ajo thënia e një ish politikani kosovar në ish Jugosllavi, se "këtu një dreq i madh kishte hyrë”..!?

Me 2 prill 2023 në Mal të Zi do mbahet raundi i dytë i zgjedhjes së presidentit të vendit, andaj shtrohet pyetja, se cilin prej dy kandidateve duhet ta votojnë shqiptarët, Milo Gjukanoviçin apo Jakov Millatoviçin..!

Zotëri Millo Djukanoviq, të cilit shqiptarët ia dhanë votën në vitin 2006 me qëllim për ta shkëputur Malin e Zi nga Serbia, ngase siç dihet ishte vota shqiptarëve ajo e cila ia ktheu Malit të Zi pavarësinë.

Zotëri Jakov Millatoviq, i cili vjen nga ish qeverisja, ku ishte ministër dhe i cili nuk e njohu gjenocidin në Srebrenicë, kandidat i preferuar i kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshelit, i cili po iu bën thirrje të hapur gjithë serbëve që ta mbështesin J. Millatoviqin. Ndaj, shtrohet pyetja, se çfarë ardhmërie do i pres shqiptarët në Mal të Zi, po qese ky kandidat i fiton votat të dielën e ardhshme..!?

Disa ditë më parë në kryesim të Intelektualëve tanë pranë BISHM-it, bëmë një varg takimesh me udhëheqës politik në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, ku siç dihet takuam edhe presidentin Gjukanoviq, i cili e vlerësoi lartë nismën për koordinim të agjendës tonë të përbashkët në rajon. Me këtë rast, në mes tjerash, e falënderuam për aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës si dhe për ndihmën e jashtëzakonshme që bëri gjatë luftës në Kosovë me hapjen e dyerve për strehimin e refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi. Njëherë, biseduam edhe rreth presioneve që po i bëhen Malit të Zi nga agjentët rus përmes Serbisë, siç ishte me rastin e zgjedhjeve lokale në Nikshiq, për të cilin veprim është njoftuar z. Escobar personalisht.

Opsioni i vetëm për shqiptarët në Mal të Zi është mbështetja e kandidatit për president, z. Milo Djukanoviq, ndaj politikanët shqiptar në Mal të Zi duhet, po ashtu të bashkohen para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti që të dalin sa më unik me kërkesat e tyre politike dhe zhvillimore.

Me fitoren e shqiptarëve në komunën e Tuzit nuk u zgjodhën të gjitha çështjet vitale të tyre në Mal të Zi, sidomos për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme serbo-ruse, kështu që nuk përjashtohet propozimi si dhe ideja e pezulluar e shqiptarëve në Mal të Zi për Status special politik dhe juridik të tyre.

Në vitet e 90-ta me fillimin e pluralizmit, politika kosovare ishte përcaktuar për pavarësi, shqiptarët në Maqedoni të bëhen faktor shtet-formues, Lugina e Preshevës për bashkim me Kosovën, derisa politika shqiptare në MZ u pozicionua për një Status special të shqiptarëve në këtë shtet, për çfarë edhe u nisen bisedimet në Bruksel me z. Karington. Mirëpo, Statusi special u pezullua si kërkesë me shumë elemente tjera me qëllim për ta dobësuar faktorin politik shqiptar në Mal të Zi, që si pasojë ishte edhe reduktimi i numrit të përfaqësuesve shqiptarë ne Parlament nga 4 në 1, mësimi i lartë Universitar në gjuhën shqipe u eliminua, shpërngulja u trefishua, etj. etj.

Sot shqiptarët në MZ në prag të këtyre zgjedhjeve po jetojnë në një shtet ku klima politike është katastrofale, Parlamenti është i shpërbërë, Qeveria është në mandat teknik, derisa kryeministri i saj dhe ministrat tashmë që 8 muaj janë nën statusin e ikjes i cili u ka skaduar. Ekzekutivi aktual mandatin e vet e pati gjithsejtë 4 muaj, dhe kjo shpresoj se tregon mjaftë se me çfarë sfidave po përballen shqiptaret e trevës në Pellgun Verior të Shkodrës.

Shqetësimi i shqiptarëve në Mal të Zi duhet të jetë edhe shqetësim mbarë-shqiptar, sepse nëse aty ndodhë fitore e taborit pro-serb, atëherë do kemi një domino-efekt të dëmshëm për kauzën mbarë-kombëtare në të gjitha trevat etnike shqiptare. Tek ne thonë, "Kur priten e vërshon uji, arat i mori Buna". Mirë mbetshi vëllezërit e mi kudo që jeni !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat