Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për një ekuilibër të qëndrueshëm në diplomaci

Opinione

Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për një ekuilibër të qëndrueshëm në diplomaci

Nga: Lirim Gashi Më: 6 qershor 2023 Në ora: 14:05
Lirim Gashi

Sa më shpejt të mësojmë nga gabimet tona, aq më mirë për ne. Sigurisht, do të ishte edhe më mirë nëse do të mësonim nga gabimet e të tjerëve, sepse pasojat për ne do të ishin shumë më të vogla.

Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për një ekuilibër të qëndrueshëm në diplomaci.

Opozita ishte shumë e nënshtruar, Kurti është shumë i vrazhdë.

Sidoqoftë, ekziston diçka që quhet takt ose ndjesi në majë të gishtave.

Është aftësia për të balancuar me mençuri, në një shkallë diplomatike, forcën tuaj të vërtetë dhe dëmin ose përfitimin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të një veprimi të caktuar.

Ka akte që krijojnë iluzione optike ose truke urgjente optike që duken si suksese në afat të shkurtër, por që shkaktojnë dëme të pariparueshme për popullin tuaj dhe vendin tuaj në afat të gjatë.

Një nga këto veprime të pamenduara, të çmendura dhe të dëmshme ishte nënshkrimi i Asociacionit  Monoetnik të Komunave Serbe nga Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri, i cili mund të ketë epilog fatal nëse qeveria aktuale nuk e analizon asnjë veprim të mëtejshëm me kriteret më avangarde politike, diplomatike, ligjore, taktike, gjeostrategjike, psikologjike, sociologjike dhe morale dhe nuk i koordinon veprimet dhe vendimet e ardhshme me superfuqitë vendimtare, që garantojnë lirinë e popullit dhe sovranitetin e shtetit të saj.

Sepse ka akte që, ndonëse juridikisht dhe moralisht janë krejtësisht të drejta, etike, morale, legale, legjitime dhe kushtetuese, mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme diplomatike në afat të gjatë, nëse nuk koordinohen me superfuqitë e mëdha që mbrojnë lirinë e popullit tuaj dhe garantojnë ekzistencën e shtetit tuaj.

Kur ndodh kjo?

Nëse këto akte minojnë synimin e superfuqive të mësipërme për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një konflikt afatgjatë në përputhje me rrethanat ekzistuese në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në politikën botërore pothuajse nuk ka shtete plotësisht sovrane, ndërsa Kosova është një shtet sovran vetëm në letër, sepse asaj i mungon një ekonomi dhe ushtri e fortë, gjë që e bën sovranitetin e saj edhe më të brishtë.

Si kompensohet kjo dobësi?

Nëse merren masa paraprake në mënyrë që një superfuqi botërore të mos keqkuptojë kurrë veprimet tuaja të drejta dhe të ligjshme.

Dhe një marrëdhënie e tillë zhvillohet vetëm përmes forcimit të vazhdueshëm të besimit dhe besnikërisë reciproke.

Dështimet diplomatike ishin të zakonshme në politikën kosovare, sepse ne nuk kishim diplomatë profesionistë për lobim inteligjent dhe frytdhënës.

Nga ana tjetër, ne nuk kishim as kryeministra të balancuar që posedonin sensin për të kuptuar se kur bëhen veprimet e duhura për të arritur rezultate maksimale.

As që dua të flas për punën parandaluese. Ajo nuk ekzistonte fare.

Në fakt ne kishim në të kaluarën Qeveri të drejtuara nga njerëz jashtëzakonisht injorantë, të korruptuar, tradhtarë dhe të shantazhuar, që i lanë qeverisë aktuale pas një gjendje kaotike diplomatike dhe një shtet jofunksional .

Fatmirësisht sot në krye të qeverisë kemi një kryeministër të mirëfilltë, të ditur dhe të guximshëm, i cili me të drejtë gëzon një autoritet të madh në popull, por që punon me diplomatë amerikanë dhe europianë, të cilët në të kaluarën kanë pasur punë me kryeministra shqipfolës hardhucë dhe vasalë.

Me sa duket, ata ende nuk po mësohen me faktin se Kurti është para së gjithash kryeministër i Kosovës dhe se ai nuk është zgjedhur me votën e popullatës shumicë për të përmbushur dëshirat e klerikal-fashistit të korruptuar Vuçiq dhe terroristit gjenocidal Putin.

Megjithatë, vendimmarrja e Kurtit vështirësohet vazhdimisht nga diversantët e opozitës, të cilët kanë gjetur mbështetje të fortë tek Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, që ka marrëdhënie vëllazërore me armikun më të madh të Kosovës, Vuçiqin.

Si kompensohet kjo mungesë mbështetjeje?

Me mbështetjen e shtuar të popullit, sigurisht.

Si rezultat, Kurti detyrohet të bëjë veprime që elektrizojnë dhe mahnitin masat, qoftë edhe në një afat të shkurtër, sepse ai ka nevojë për mbështetjen e tyre të shtuar jo vetëm për hir të tij, por sidomos për hir të tyre.

Por ku qëndron burimi i forcës së vërtetë në këto rrethana të shtrembëruara?

Sigurisht, në ekuilibrin dhe profesionalizmin e përshkruar më sipër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat