Pse respekti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve është e vetmja alternativë për paqen në Maqedoni?

Opinione

Pse respekti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve është e vetmja alternativë për paqen në Maqedoni?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 2 gusht 2024 Në ora: 15:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në aeroportin e Shkupit ka ndodhur një skandal. Persona të sigurisë së këtij aeroporti kanë tentuar të ndalojnë dhe cenojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ajo po nisej nga ky aeroport për të marrë pjesë në një veprimtari në Slloveni. Personat në fjalë e kanë detyruar presidenten që të lëshojë çantën e dorës në skaner dhe i kanë kërkuar që edhe telefoni i saj të skanohej.

Kontrolli i sendeve personale është rregull rutinë dhe i patolerueshëm për çdo qytetar të zakonshëm. Por në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos bazuar në Konventën Diplomatike të Vjenës, përmes së cilës rregullohen sjelljet e shteteve për personat e caktuar nga kjo konventë, askush, në asnjë aeroport, port apo dalje e hyrje kufitare nuk mund të kontrollojë sendet personale të një presidenti, kryeministri e kështu me radhë të personave me status diplomatik.

Megjithatë një apo disa persona të sigurisë së aeroportit të Shkupit kanë guxuar ta shkelin rregullin ndërkombëtar dhe të tentojnë të dhunojnë të drejtën ndërkombëtare në rastin në fjalë. Këta persona nuk janë thjesht individë ose grup individësh. Ata janë urdhëruar nga dikush me autoritet të posaçëm në institucionet maqedonase për ta kryer këtë akt, që krijoi skandal në marrëdhëniet midis të dy vendeve fqinjë.

Për këtë arsye nuk e shoh skandalin e aeroportit të Shkupit si një akt kundër presidentes, sa kundër Kosovës dhe të sponsorizuar nga qarqet serbe dhe ruse në qeverinë e institucionet e Maqedonisë së Veriut. Çdo akt si ky kundër autoriteteve të Kosovës, nga cilido vend e aeroport që nxitet, është akt kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Por mesa duket Maqedonia e Veriut është vendi ku eksperimentohet lehtësisht diversioni, si ai i të enjtes së kaluar në Shkup.

Maqedonia e Veriut është e njohur si vend me një përbërje dhe ndjenja të përziera pro dhe kundër. Padyshim se shqiptarët janë pro euro-atlantikë. Po ashtu një pjesë e maqedonasve. Ndërkohë që segmente të caktuara të popullisisë së saj janë edhe pro serbe e pro bullgare. Copëzimi i publikut në pro dhe kundër ka prodhuar edhe copëzimin e politikës së krahut maqedonas. Nëse shqiptarët janë të copëzuar, ata e bëjnë këtë thjesht për interesa të pushtetit dhe qëndrojnë në rrafshin politik brenda familjes së tyre. Por ata janë unikë në mbështetjen që i japin orientimit euro-atlantik të Maqedonisë. Këtë e dëshmojnë gjithashtu të dhënat e sondazheve që bëhen vazhdimisht.

Përkundrazi, janë maqedonasit në shumicë anti-perendimorë. Dhe kjo ndodh, sepse grupe politikanësh maqedonas ushqejnë urrejtje ndaj shqiptarëve dhe kjo urrejtje e tyre funksionon sipas parimit “Miku i armikut tim është armiku im”! Fakti që shqiptarët janë pro-perendimorë i nxit maqedonasit ose një pjesë të madhe prej tyre që të ndjekin kursin pro-lindor, pro-rus. Nëse i shtojmë kësaj edhe investimin rus e serb në këtë fashë të besimit dhe orientimit të këtyre grupeve maqedonase, atëherë kuptojmë se cili është pozicioni i tyre aktiv kundër shqiptarëve e në rastin konkret kundër Kosovës.

Nga ana tjetër veprime të tilla si diversioni i segmenteve antishqiptare maqedonase kundër Vjosa Osmanit na provojnë se sa lehtësisht mund të destabilizohet situata në këtë vend. Ministria e Brendshme në Shkup ka lëshuar një komunikatë me këtë rast, me të cilën më shumë merret me ndërhyrjen e stafit të sigurisë së kreut të parlamentit, Afrim Gashi, sesa me shkeljen e ligjit maqedonas e ndërkombëtar nga forcat e sigurisë së aeroportit të Shkupit. Dikush në atë ministri ka marrë përsipër që ta transferojë problemin te ata që e mbrojtën presidenten e Kosovës. Pra që të shfajësojë autorët e këtij akti bandidesk. Kjo është gjithashtu një provë tjetër se segmentet pro-serbe e pro-ruse në administratën e shtetit të Maqedonisë së Veriut janë trimëruar dhe guxojnë të kryejnë akte të tilla të papranueshme e anti-ligjore.

Prandaj dhe ngjarjen e së enjtes në aeroportin e Shkupit, ku u dhunua e drejta dhe dinjiteti i kreut të shtetit të Kosovës, e shoh me shqetësim përtej kufijve të asaj ngjarjeje. Ajo mund të jetë një sinjal se shteti i Maqedonisë së Veriut mund të destabilizohet lehtësisht, Destabilizimi i tij do të sjellë zhbërjen e këtij shteti. Pra do të thotë luftë. Atëherë Shkupi nuk do të jetë më kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, por do të bëhet kryeqytet i Dardanisë, siç ishte në kohët antike e moderne të shoqërisë njerëzore! Është në interesin e maqedonasve dhe të shqiptarëve njëkohësisht të jetojnë në paqe e harmoni në një shtet të përbashkët. Por nëse maqedonasit dhe politikanët maqedonas kërkojnë luftë, atëherë ata duhet ta dinë se luftën e kanë të humbur ende pa e nisur atë! Kompromisi dhe respektimi i shqiptarëve, përfshirë edhe shtetin e Kosovës, është e vetmja alternativë e paqes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat