Mos e hapni urën e Ibrit në Mitrovicën e ndarë, pa koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera të QUINT-it!

Opinione

Mos e hapni urën e Ibrit në Mitrovicën e ndarë, pa koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera të QUINT-it!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 gusht 2024 Në ora: 11:52
Rexhep Elezaj

Janë të dëmshme për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët deklaratat e disa zyrtarëve shtetëror të Kosovës, të cilët pas takimit që patën dje me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, pohuan se Ura e Ibrit, e cila qe 25 vite e ka ndarë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, do të hapet patjetër, që i bie se hapja e saj do bëhet në mënyrë të njëanshme nga organet e qeverisë së Kosovës, e që një veprimi tillë i pakoordinuar paraprakisht me SHBA-të dhe aleatët e saj, do t’i dëmtojë rënd interesat e Kosovës, siç e kanë treguar këtë ngjarjet e vitit të kaluar, kur për shkak të këtij mos-koordinimi me faktorët ndërkombëtarë erdhi deri tek vendosja e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ende nuk i janë hequr.

Është kështu për faktin, sepse Kosova vazhdon të jetë nën protektoratin ushtarak të NATO-s, pra u bën 25 vite qëkur kufijtë dhe sigurinë e saj të brendshme i ruajnë forcat e KFOR-it, dmth. NATO-s dhe ato të EULEX-it, dhe kjo gjithnjë sipas Rezolutës së KS të OKB-së 1244, e cila ende është në fuqi, prandaj duke e ditur faktin se veriu i Kosovës vazhdon të jetë çështje e sigurisë ndërkombëtare për shkak të ndikimit dhe prezencës ruse në Serbi, para se të jetë kjo çështje e dialogut Kosovë-Serbi, implikon në vete kushte dhe specifika të natyrës “Sui-generis” për Kosovën, ngase ajo ende nuk është bërë anëtare e OKB-së dhe as e organizatave relevante ndërkombëtare.

Pra, gjendja e statusit ende të përmbyllur të Kosovës, gjithnjë sipas Kartës së OKB-së, me patjetër e shtron domosdoshmërinë e koordinimit të institucioneve të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë, para së gjithash, me miqtë amerikan.

Se, cili është shkaku që zyrtarët e qeverisë së Kosovës duhet patjetër të koordinohen me vendet e QUINT-it, edhe në rastin e hapjes së Urës së Ibrit në qytetin e Mitrovicës, këtë obligim besoj se e kanë të qartë krerët e shtetit të Kosovës, meqenëse veriu i Kosovës paraqet rrezik permanent për destabilizim të rajonit të Ballkanit, siç e dinë të gjithë, së është regjimi fashist i Serbisë, ai i cili në çdo kohë, siç kanë pohuar që disa muaj vetë udhëheqësit e Kosovës, se sulmi i Serbisë ndaj Kosovës është çështje ditësh dhe orësh, dhe se para nesh qëndron një konflikt i ri i armatosur në Ballkan..!?

Ndaj, të ndërmarrësh në këto rrethana ndonjë veprim krye me vete dhe ta hapësh urën e Ibrit pa miratimin, së pari të qytetarëve serb në veri, si dhe pa koordinim me SHBA-të dhe anëtarët tjerë të QUINT-it, ky veprim bartë me vete rreziqe të mëdha, jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por para së gjithash, për raportet e Kosovës me miqtë tanë amerikan, marrë këtu parasysh, sidomos mundësinë e ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë, ish presidentin Donald Trump, i cili siç dihet ka qëndrim miqësor ndaj Serbisë, sidomos nunci i tij R. Grenell.

Pra, çdo veprim i njëanshëm i qeveritarëve aktualë të Kosovës për ta hapur urën e “shenjtë” në qytetin e Mitrovicës, bartë me vete përgjegjësi të madhe politike dhe kombëtare, përveç nëse e gjithë kjo kampanjë për hapjen e saj nuk bëhet në shërbim të fushatës zgjedhore, mundësi të cilën nuk duhet përjashtuar, por e cila aktorëve të saj mund t’iu kthehet shpejtë si bumerang.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat