Çështja e persekutimit të ish burgosurve politik shqiptar në ish Jugosllavi, nga një numër i madh i Udbashëve shqiptar gjatë kohës sa i kanë vuajtur dënimet nëpër burgjet famëkeqe jugosllave, muajin e fundit, televizioni “Dugagjini” e bëri temë debati publik, duke i ftuar shumë nga ata në emisionin “Debat-plus”, ku me rrëfimet e tyre trishtuese e aktualizuan edhe njëherë këtë temë, e cila asnjëherë pas luftës në Kosovë nuk është trajtuar në Kuvendin e Kosovës, madje për këtë çështje shteti i Kosovë nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret, që statusi ligjor dhe shoqëror i ish Udbashëve të rregullohet me ligj, siç kanë bërë disa shtete në Ballkan dhe Evropë.
Se, pse kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar dhe rregulluar me Ligjin për lustracion në Kosovë, se kush e ka penguar nxjerrjen dhe aprovimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, se cilat janë shkaqet që politikanë dhe ish udhëheqës shtetëror të Kosovës nuk kanë dashur të merren fare me këtë çështje, se pse i kanë ikur çdo debati dhe rregullimit të statusit juridik-shoqëror për ish udbashët shqiptarë, se pse asnjëherë çështja e hapjes së dosjeve nuk është bërë temë diskutimi në institucionet shtetërore të Kosovës, por as të iniciohet si problem shoqëror dhe social nga ndonjë institut arsimor-shkencor, si dhe as nga ndonjë organizatë joqeveritare, etj., duke kaluar mbi këtë çështje me një non-shallancë tepër neveritëse, sidomos për ish të burgosurit politik që kanë pësuar lëndime shpirtërore, morale, maltretime dhe persekutime fizike nga ish udbashët, siç ishte i ftuari mbrëmë në debat në TV Dugagjin, Mehmet Loci, etj., këto dhe shumë pyetje tjera presin përgjigje meritore nga organet kompetente të shtetit të Kosovës.
Sepse, siç dihet, është rregull i pashkruar, që ata popuj dhe shoqëri që nuk distancohen nga e kaluara e tyre e dyshimtë, ose kriminale, siç ka qenë në Shqipëri diktatura komuniste, por edhe në vende tjera evropiane, të cilat pas rënies së Murit të Berlinit janë distancuar nga aktorët dhe ish kriminelët e tyre, siç ka bërë Shqipëria me ligjin për hapjen e dosjeve nga koha e komunizmit të Enver Hoxhës, duke izoluar nga shoqëria një numër të ish “sigurimsave”, etj., ai popull dhe ajo shoqëri nuk mund të ndërtojnë rend demokratik, por as shtet ligjor.
Mbase, vetëm shpagesa me të holla që i është bërë ish të burgosurve tanë politik për kohën sa kanë qëndruar nëpër kazamatet ish jugosllave, nuk mund të ishte satisfakcion i mjaftuar për ta, derisa xhelatët e tyre shëtisin të lirë nëpër Kosovë, duke i takuar ata çdo ditë, madje pa asnjë kërkim faljeje ndaj tyre, por edhe pa e marrë dënimin e merituar për gjitha atë dhunë dhe krime që ua kanë bërë në kohën kur i shërbenin si udbashë regjimit ish jugosllav.
heshtja ndaj të bëmave të ish udbashëve shqiptarë ndaj mijëra të burgosurve politik shqiptarë në ish Jugosllavi, më mirë me thënë, amnistia shtetërore që është bërë ndaj tyre, ka qenë dhe vazhdon të jetë gabimi më i madh politik dhe kombëtar në Kosovë, që ka mundur ta bënin të gjitha qeveritë e Kosovës, që nga paslufta e deri më sot. Pra, një gabim dhe një lëshim kaq i madh politik dhe historik, nuk ka guxuar t’i ndodhë Kosovës së çliruar dhe të pavarur, pikërisht nga një regjim kriminal dhe fashist, siç ishte ish Jugosllavia komuniste dhe Serbia fashiste, të cilës, këta bastardë i kanë shërbyer me aq shumë zell, siç janë Udbashët e sojit dhe llojit gjakatar, si Mehmet Loci, bashkë me qindra udbashë tjerë, emrat e të cilëve këto ditë janë lakuar shumë shpesh në opinionin kosovar.