Pesë vitet e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, vendin e gjejnë me probleme të shumta të brendshme, siç janë: mungesa e sigurisë së brendshme, gjendje e cila ndikon edhe në mungesën e sigurisë së qytetarëve. Brenga jonë kryesore tani është se si t'i ruajmë jetët tona dhe të më të afërmve tanë nga vdekjet e shumta që po ndodhin shumë shpesh këtu te ne. Sot, fatkeqësisht, dalim në komunikacion dhe jetët i kemi të rrezikuara, shkojmë në ndonjë aheng për t'u kënaqur e për t'u argëtuar, por për ne prapë ekzistojnë rreziqe të shumta për sigurinë dhe jetët tona si qytetarë.
Këto, si duket, vijnë si pasojë e çmendurive të shumta të bëra nga ana e disa njerëzve, nga mosrespekti për njëri-tjetrin, nga moszbatimi i Kushtetutës dhe i ligjeve, nga niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit, nga lakmia për pasurim të shpejtë dhe për të bërë më shumë para, nga mosfunkcionimi i sistemit gjyqësor, si pasojë e të cilit ekziston drejtësi selektive. Kjo gjendje në këtë sferë të funksionimit të shtetit ka për pasojë instalimin e sistemit të mosdënimit të kriminelëve dhe të korruptuarve.
Për këto gjëra nuk flas kot; ka dëshmi dhe fakte, dhe ai kryesori është se ky sistem te ne ka besueshmëri më pak se dy për qind në mesin e qytetarëve. Nëse esenca dhe motivi kryesor i anëtarësimit të ndonjë shteti në NATO është siguria, një gjë e tillë nuk është arritur që të sigurohet plotësisht në vendin tonë, edhe pse po e shënojmë pesë vjetorin e anëtarësimit në organizatën më të madhe dhe më të fuqishme të sigurisë botërore, NATO-n.
Për të gjitha problemet, parregullsitë dhe brengat që na mundojnë ne sot si shtet, në pesë vjetorin e anëtarësimit në NATO, dhe që i përmenda më lartë, autorët nuk janë kjo organizatë e madhe e sigurisë, por disa individë dhe grupacione të këtushme individësh, të cilët me dekada e paralizuan funksionimin e shtetit. Ndërsa, si pasojë e kësaj gjendjeje, ne sot kemi jo vetëm sistem mosrespektimi, por edhe praktikë të shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut. Kjo e fundit është faktor kryesor për ekzistimin e pasigurisë sonë të brendshme.
Pra, është fakt se për këto parregullsi që ekzistojnë më shumë se dy dekada ndër ne, siç përmenda edhe më lartë, autorët nuk janë vetëm Organizata Veriatlantike, por ajo bartë një pjesë të përgjegjësisë, sepse e njëjta po i toleron të gjitha këto fenomene negative në gjirin e një shteti anëtar të saj, tashmë pesë vjet. Pra, nëse me anëtarësimin e shtetit tonë në NATO kemi arritur ta sigurojmë sovranitetin, stabilitetin dhe integritetin territorial të shtetit nga tentimet për rrezikim dhe destabilizim nga armiqtë e mundshëm të jashtëm, ne fatkeqësisht nuk kemi arritur të sigurojmë siguri dhe stabilitet brenda në shtet.
E stabiliteti i jashtëm dhe ai i brendshëm janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk mund të ekzistojë gjatë kohë stabiliteti i jashtëm pa atë të brendshëm. Të shpresojmë se NATO i ka parasysh të gjitha këto parregullsi, çrregullime, anomali dhe brenga që ekzistojnë në vendin tonë dhe e njëjta do të bëjë pak më shumë presion ndaj autoriteteve të shtetit tonë, që të punojnë në mënjanimin e tyre, ose do t’i detyron këta që të vendosin rregull dhe rend, që janë baza e domosdoshme për funksionimin e sigurisë së brendshme. Pra, duhet të ndërmerren aktivitete dhe masa për të siguruar edhe stabilitet dhe siguri të brendshme, të rrezikuara nga faktorë të brendshëm, të cilët nuk ndajnë vetëm vlera të përbashkëta brenda vendit tonë, por këta nuk i respektojnë as nuk ndajnë as vlerat Veriatlantike. Pra, të njëjtët nuk e duan shtetin e tyre, por as NATO-n si organizatë, që tani pesë vjet aktivisht kujdeset për stabilitetin dhe sigurinë e jashtme të RMV-së.