Ndalimi i dënimeve të çoroditura dhe të padrejta nga gjykatat: Fajtorët le të dënohen, të pafajshmit le të lihen të lirë

Opinione

Ndalimi i dënimeve të çoroditura dhe të padrejta nga gjykatat: Fajtorët le të dënohen, të pafajshmit le të lihen të lirë

Nga: EJUP BERISHA Më: 1 prill 2025 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar të Ballkanit e kanë gjetur një zgjidhje ideale për t’iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë. Të gjithë këta, për t’iu shpëtuar dënimeve me burg, po ikin ose në Rusi, ose në Hungari. Të dy këto shtete kanë regjime autokratike, edhe pse Hungaria është shtet anëtar i BE-së, ku bëjnë pjesë shtete që kanë sisteme demokratike të qeverisjes. Kur jemi te kriminelët dhe te të korruptuarit, ikanakë, pse të mos ikin këta, kur të njëjtët i kanë xhepat përplot me para të vjedhura, kanë bërë pasuri aq sa kanë dashur vetë, në mënyra të kundërligjshme, por edhe çfarë është më kryesorja, ata nuk kanë kurrfarë pengesash në lëvizje, pasi kufinjtë ndër shtetërorë i kanë të hapur cep më cep. Këta nuk janë vetëm hajdutë, por janë gjithashtu edhe njerëz shumë të pasur, por edhe qytetarë të lirë, të sigurtë dhe të trajtuar si shumë të rëndësishëm. Pra, të njëjtët janë më të sigurtë se njerëzit e ndershëm, të cilët nuk bëjnë asnjë të keqe dhe kurrfarë krimi e korrupsioni këtu në vendin tonë, por të cilët ndalohen dhe dënohen padrejtësisht me dënime tejet të larta.

Në përditshmërinë tonë, edhe pse të gjithë duan e kërkojnë përndjekje dhe gjykime të drejta dhe të paanshme nga ana e dy mekanizmave të sistemit gjyqësor: Prokuroritë dhe gjykatat, fatkeqësisht kjo nuk ndodh, pasi ka njerëz që padrejtësisht i durojnë pasojat dhe e mbajnë burgun për vepra që nuk i kanë bërë fare. Nga ana tjetër, gjithashtu ka individë që bëjnë shumë vepra të rënda kriminale dhe korruptive, dhe këta janë të paprekshëm në shtet. Pra, edhe pse të njëjtët janë me faj deri në fyt, këta kanë fatin të jenë të paprekshëm. Apo, në vend që të ngarkohen me faj, këta trajtohen si të jenë tepër të pastër. Prej tyre ka individë që kanë bërë vjedhje, shantazhe, kërcënime, mashtrime, dhunime e vrasje, dhe këta nuk ka kush i përndjek, i ndalon, i arreston, i heton, i ngarkon me faj, i gjykon, i dënon dhe i burgos.

Nga ana tjetër, ka shumë individë që ndoshta nuk vjedhin asgjë dhe nuk bëjnë asnjë vepër të keqe e të shëmtuar, por këta në realitet dënohen sikurse të kishin bërë ndonjë vepër të rëndë e të pafalshme. Nuk janë të panjohura për ne shqiptarët dhjetra rastet e montuara policoro-gjyqësore, ku njerëz të pafajshëm dergjen dhe kalben nëpër burgje, edhe pse janë të pafajshëm. Por ka edhe individë të tjerë që ndoshta kanë vjedhur një gjë simbolike, si për shembull një çamçakëz, një çokollatë apo dy qebapa, dhe të njëjtët nga organet kompetente shtetërore dënohen shumë rëndë me burgime, dhe ato me kohëzgjatje prej tre deri në 10 vjet. E hajdutët, kriminelët dhe të korruptuarit e mëdhenj dhe të vërtetë, ripërsëris, nuk ka kush i sankcionon. Pra, për ta nuk ka as polici, as Prokurori, as Gjykata, por as burgje për t’i mbyllur.

Këto kanë qenë deri tani veprimet dhe vendimet e çoroditura të një sistemi të çorientuar juridik, që ka përndjekur, ka ndaluar dhe ka dënuar njerëz të padinjitetshëm me masa dhe dënime të pabaza e absurde gjyqësore. Me këto praktika, kriminelët e mëdhenj kanë qenë më të mbrojtur e më të sigurtë, pasi kanë qenë të paprekshëm, ndërsa njerëzit e pafajshëm e kanë pësuar shumë rëndë dhe keq. Për këtë arsye, duhet ndaluar drejtësia selektive, për ta zbatuar drejtësinë adekuate dhe të domosdoshme, kjo me qëllim që ata që bëjnë vepra penale si krime dhe korrupsion të ngarkohen me faj dhe të dënohen me dënime të merituara, dhe ata që janë të pafajshëm të lihen të lirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat