“Skema kriminale” kalon kah zyrat e LDK-së

Opinione

“Skema kriminale” kalon kah zyrat e LDK-së

Më: 1 prill 2025 Në ora: 14:29
Autori Faton Mehmeti

Dalja e mesazheve të fundit nga grupi i anëtarëve të LDK-së në "Viber" zbërthen më së miri divergjencat e mëdha brenda partisë së tretë opozitare. Akuzat për “skemë të organizuar kriminale” brenda partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, nga disa prej anëtarëve të Kryesisë, më 2 mars të këtij viti, janë skandaloze. Nga këtu rrjedh edhe kërkesa e ish-kryeministrit Hoti për lidership të ri brenda partisë, çka shpërfaq edhe debatet e forta mes kryetarit Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala dhe bashkëpartiakut të tij Arben Gashi, me këtë të fundit që këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

Kjo bisedë nxori në pah akuzat e Vetëvendosjes për dallavere me votat e diasporës nga ana e LDK-së, të cilat tani janë thënë edhe nga vetë anëtarët e saj. E habitshme është se si Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e VV-së për votat në fjalë, duke vënë në dyshim seriozitetin e gjykatës për të trajtuar rastin në fjalë. Pavarësisht se në reagimin e tij, kryetari Abdixhiku, me nervozizëm të madh, akuzoi të tjerët për sulmet ndaj LDK-së, ai po harron se kalaja po i shembet nga brenda.

Mesazhet që kanë dalë në pah demonstrojnë realitetin që mbretëron brenda LDK-së, dhe gjendja duket alarmante për shkak të pabesisë që kanë mes njëri-tjetrit. Pas akuzave për "hajni", vihet në dyshim edhe rritja e LDK-së me Lumirin, i cili duhet të kërkojë vetë anulimin e votave nga diaspora.

Lumir, partia po të shembet nga brenda, hajnia nuk kalon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat