Subjektet e vjetra politike shqiptare në RMV, fatkeqësisht, asnjëherë nuk u poqën politikisht

Opinione

Subjektet e vjetra politike shqiptare në RMV, fatkeqësisht, asnjëherë nuk u poqën politikisht

Nga: Ejup Berisha Më: 14 prill 2025 Në ora: 12:03
Autori Ejup Berisha

Përkundër të gjitha analizave, interpretimeve dhe opinioneve tendencioze e dashakeqe në opinion, ekziston një e vërtetë absolute: në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Kosovë kanë fituar qytetarët e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Humbësit janë armiqtë e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda territorit të vendit.

Përsëris: ky është realiteti dhe kjo është e vërteta absolute. Përtej kësaj, në sipërfaqe dalin tendencat për gënjeshtra, intriga, manipulime dhe shtrembërime të realitetit e të fakteve, për interesa të ngushta politiko-partiake dhe për interesa të elementeve armiqësore të shteteve të jashtme, të pranishme në forma dhe mënyra të ndryshme në territorin e Republikës së Kosovës.

Këtu nuk po flas vetëm për tendencat, por për ndikimin faktik në punët e brendshme të Kosovës nga dy shtete: Rusia dhe Serbia. Ky ndikim dhe kjo përzierje janë jo vetëm evidente, por edhe shumë reale në Kosovë. Fatkeqësisht, këto dy shtete, me strukturat dhe shërbimet e tyre inteligjente, janë mjaft të pranishme në mënyrë të theksuar në Kosovë.

Edhe pse pas luftës së fundit, të shkaktuar nga Serbia, është dashur të ndërmerren përpjekje dhe veprime konkrete për eliminimin, ose të paktën për minimizimin e ndikimit të Rusisë dhe Serbisë brenda vendit, duket se këto masa nuk janë marrë në mënyrën dhe në masën e duhur. Për pasojë, kemi përzierje dhe ndikim real ruso-serb brenda Kosovës.

Tani, pas më shumë se trembëdhjetë vitesh nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, po dalin në pah fakte dhe realitete që dëshmojnë se shërbime dhe struktura të shteteve të huaja janë mjaft aktive në territorin e Kosovës. Madje, atje ato kanë gjetur edhe argatët, apo bashkëpunëtorët e tyre.

Këto bashkëpunëtorë përfshijnë struktura të caktuara politike, shtëpi mediatike, analistë, opinionistë, madje edhe disa intelektualë. Siç duket, Rusia dhe Serbia këto subjekte në Kosovë i kanë joshur dhe po i joshin me para dhe burime të ndryshme, materiale e jomateriale.

Sa i përket punëve të brendshme të Kosovës: strukturat politike kosovare duhet të organizojnë zgjedhje për vete, e jo për dikë tjetër. Qytetarët e Kosovës duhet të dalin dhe të votojnë për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në mënyrë të lirë e të pavarur, për ata që do t’u shërbejnë atyre dhe institucioneve të Republikës, e jo interesave të huaja.

Thënë shkurt, shqip dhe qartë: Kosova duhet të mbajë zgjedhje për të përmbushur nevojat e veta, jo të shteteve të huaja armiqësore ndaj saj.

Kosova duhet të zhvillojë zgjedhje në kushte të ndikimit të minimizuar, madje të bëjë përpjekje për eliminimin e plotë të ndikimit të shteteve të jashtme dhe strukturave të tyre. Qytetarët e Kosovës duhet të votojnë për qejfin e tyre dhe për inat të Rusisë, Serbisë dhe strukturave të tyre politike, policore dhe ushtarake, të cilat jo vetëm që duan të ndikojnë, por është e dukshme se kanë ndikuar dhe po ndikojnë në punët e brendshme të Kosovës, përfshirë edhe në zgjedhjet e djeshme.

Fatkeqësisht, opinioni në Kosovë është polarizuar në dy blloqe: në ata që votojnë pa ndikime të jashtme dhe në ata që, në mënyrë aktive, janë nënshtruar ndikimit të Rusisë dhe Serbisë.

Kjo situatë tregon se një pjesë e shoqërisë kosovare, me vetëdije, qëllim dhe tendenca të qarta, është duke rrezikuar lirinë e fituar me gjak e sakrificë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës – duke luajtur rolin e argatëve të djallit.

Këta individë, me sjelljet e tyre të papërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, po vënë në pikëpyetje edhe vetë vlerat kombëtare shqiptare. Kjo qasje dhe sjellje tendencioze e një pjese të shoqërisë kosovare është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Për interesa të ngushta personale e grupore nuk guxon të rrezikohet e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe e qytetarëve të saj. Mbushuni mend, o njerëz – nuk e keni në rregull!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat