Bojkoti i opozitës, projekt i Vuçiqit, roli i pakicave si “king maker”…!

Opinione

Bojkoti i opozitës, projekt i Vuçiqit, roli i pakicave si “king maker”…!

Nga: Agim Vuniqi Më: 19 prill 2025 Në ora: 06:54
Autori Agim Vuniqi

Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, klima politike ka arritur në një pikë kritike: bllokada institucionale kërcënon funksionimin e shtetit, ndërsa partitë kryesore shqiptare duket se i kanë harruar interesat e përgjithshme kombëtare. Përmes kësaj analize synoj të analizojë rrënjët e kësaj krize, rolin e pakicave si “kingmaker” dhe pasojat që sjell instrumentalizimi i tyre.

Bllokada parlamentare: Numrat që s’lejojnë lëvizje

Rezultatet e fundit pasqyrojnë një skenë të ndarë në dy kampe gati të barabartë: “Vetëvendosje” + Nisma: 51 deputetë; PDK + LDK + AAK: 49 deputetë dhe Pakicat (LS dhe të tjerat): 20 deputetë. Pra asnjëra palë nuk arrin shumicën prej 61 deputetësh, çka bën të pamundur miratimin e çfarëdo procesi kyç: verifikimi i mandateve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, formimi i qeverisë, e deri tek votat për ndryshimet kushtetuese. Kjo përçarje nuk është thjesht matematikë politike, por shpreh egon e palëve opozitare që refuzojnë të pranojnë humbjen ose të bëjnë kompromis – pavarësisht qëllimit të parë të demokracisë: shërbimin ndaj interesit publik.

Pakicat si “kingmaker” – variabli i jashtëm me peshë të brendshme

Kur 20 deputetë të pakicave kombëtare bëhen faktor përcaktues, rreziku i kapjes së institucioneve si ‘monedhë shkëmbimi’ thellohet. Në një shtet të konsoliduar, mandati i tyre do të respektohej si pjesë integrale e diversitetit shoqëror. Mirëpo, në kushtet e sotme ato përdoren për të bllokuar apo për të shpërblyer fituesit e zgjedhjeve. Kjo dinamike krijon varësi politike në raport me qeverinë dhe opozitën, duke minuar sovranitetin instituciona,ndërsa pjesëmarrja e pakicave, në vend që të forcojë unitetin, po shndërrohet në mjet presioni – politikisht dhe ndonjëherë edhe ekonomikisht.

Egocentrizmi politik kundër konsensusit institucional

E drejta e opozitës për t’u kundërshtuar është themel i demokracisë, por kur ajo e përdor procedurën për të penguar funksionimin e institucioneve, krijohet precedent i rrezikshëm: sikurse delegjitimimi selektiv i Kushtetutës – interpretim i ligjeve sipas nevojave momentale. Disckreditim i Gjykatës Kushtetuese – e cila, përtej politikave, duhet të mbrojë parimet dhe jo interesat e një grupimi. Ringjallje e retorikës “shqiptarë kundër shqiptarëve”, i cili minon besimin qytetar në mekanizmat e shtetit dhe i ngre në nivel personal konfliktet politike.

Pasojat për stabilitetin dhe perspektivën e Kosovës

Kriza e bllokimit ka pasoja të shumëfishta, ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet demokratike bie—përjetohen vonesa në shërbimet baze, projektet zhvillimore mbeten pezull, dhe korrupsioni mund të lulëzojë në hapësirat bosh ligjore. Reputacioni ndërkombëtar dëmtohet—partnerët strategjikë priren të kërkojnë siguri të investimeve dhe stabilitet, dy faktorë që sot mungojnë. Proceset integruese si liberalizimi i vizave dhe rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian vuajnë—mungesa e qeverisjes së plotë e vështirëson implementimin e reformave.

Rrugëdaljet e mundshme

Edhe pse situata është delikate, ekzistojnë disa hapa që mund ta nxjerrin Kosovën nga ky ngërç:

Pakti Kombëtar për Stabilitet

Një marrëveshje minimale mbi funksionimin e institucioneve, ku palët garantojnë: Mosbllokimin e të gjitha procedurave (p.sh., verifikimi i mandateve). Konsensusin për votat kyçe, si zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, me shumicë të thjeshtë, në mënyrë që të mund të fillojë puna e komisioneve. Angazhimin e Shoqërisë Civile, OJQ-të, mediat dhe akademikët duhet të bëjnë presion për transparencë dhe llogaridhënie, duke monitoruar çdo hap të procesit

Roli i Faktorëve Ndërkombëtarë

Bashkëpunimi me ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare që kanë kontribuar në themelimin e institucioneve të Kosovës, për t’i dhënë mbështetje teknike dhe morale Gjykatës Kushtetuese dhe KQZ-së. Forcimi i Kulturës Kushtetuese si dhe edukimi qytetar dhe debatet publike duhet të theksojnë: Kushtetuta është e të gjithëve dhe nuk i takon asnjërës parti.

Kriza aktuale ilustron se, përtej numrave, një demokraci kërkon frymë bashkëpunimi dhe respekt të institucioneve. Kur interesat partiake vendosen mbi atë kombëtar, rrezikohet e ardhmja e shtetit. Është koha që udhëheqësit politikë shqiptarë në Kosovë të tregojnë pjekuri dhe të vendosin interesin e qytetarëve përpara interesave vetjake. Vetëm kështu Republika e Kosovës mund të dalë nga kjo krizë dhe të fortësojë rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat