Mjaft më vetëm me konstatime për tradhti, vrasje të kundërshtarëve politikë për pushtet, vrasje të gazetarëve për fjalën e lirë, vjedhje të parave që mërgimtarët tanë i dërgonin për luftën e UÇK-së. Mjaft më me hajnitë dhe korrupsionin multimilionësh, me bashkëpunimin e bosëve politikë të Kosovës me kapobandat serbe të kontrabandës në veri të vendit, dhe me shantazhin që PDK, LDK dhe AAK po ia bëjnë popullit të Kosovës përmes lojës tinzare që ia kanë kurdisur Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit — duke bllokuar dhe mosvotuar në Parlamentin e Kosovës për t’ia marrë fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe duke shkaktuar krizë institucionale që i ngjan një grushti shteti.
Është koha e fundit për veprime konkrete. Ka mjaftueshëm argumente dhe prova për arrestimin e tradhtarëve, që nëse nuk i ndërmerr Prokuroria e Kosovës, mbetet që të veprojë Qeveria në detyrë e Albin Kurtit dhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla — njëjtë siç po veprojnë ndaj terroristëve serbë në veri të Kosovës. Kthim prapa nuk ka. Nëse ia duam të mirën vendit dhe dëshirojmë ta mbrojmë Kosovën nga “kuajt e Trojës” që hanë bukën e saj dhe flirtojnë me Serbinë e kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe me Edi Ramën — kryeministrin pro-serb të dëshmuar — atëherë duhet të ndërmarrim veprime të vendosura dhe efektive.
Nëse nuk veprohet shpejt dhe me vendosmëri, armiqtë e Kosovës, nga brenda dhe jashtë, do të na e grabisin vendin nga duart — përkundër gjithë sakrificës dhe dhimbjes së popullit tonë gjatë agresionit gjenocidal serb në vitet 1998-99.
Të nisë hetimi nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që tashmë ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte. Por ndaj tyre duhet të nisin hetime edhe për keqqeverisje dhe hajni multimilionëshe gjatë kohës sa e udhëhiqnin Kosovën. Po ashtu, hetimet duhet të shtrihen edhe ndaj Memli Krasniqit — kryetar në detyrë i PDK-së — për mosreformimin dhe mosdistancimin e kësaj partie nga e kaluara.
Të shtunën, më 19 prill 2025, Parlamenti i Kosovës mbajti një mbledhje të pasuksesshme për konstituimin e tij, për shkak të obstruksioneve të opozitës, që synojnë ta pamundësojnë formimin e Qeverisë së re nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje.
Vlora Çitaku — nënkryetare e PDK-së — më 19 prill deklaroi se:
“Nëse Albin Kurti nuk arrin ta themelojë Qeverinë e re, PDK është e gatshme ta bëjë këtë dhe të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese edhe draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.”
Kjo deklaratë tregon qartë gatishmërinë e PDK-së për të bashkëpunuar edhe me Listën Serbe — e cila haptas nuk e njeh shtetin e Kosovës — vetëm për të ardhur në pushtet.
Po kjo - Vlora Çitaku, kur ishte ambasadore e Kosovës në SHBA, për t’ia përmbushur dëshirën shefit të saj Hashim Thaçit, në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin, Edi Ramën dhe emisarin amerikan Mattheë Palmer (me bashkëshorte serbe), përgatiti planin për ndarjen e Kosovës, për t’ia dhuruar Serbisë gjenocidale veriun e vendit — së bashku me minierat e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit.
Ajo gjithashtu nuk bëri asgjë për shpërndarjen e librit të Luljeta Selimit mbi rrëfimet autentike të grave të mbijetuara nga dhuna seksuale serbe gjatë luftës — edhe pse libri ishte përkthyer në anglisht. E njëjta Vlora Çitaku nuk e ndihmoi as heroinën Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila me guxim dhe vendosmëri ka luftuar për të drejtat dhe dinjitetin e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.
Më 10 prill 2025, kongresistët amerikanë dërguan në Senat propozim-rezolutën për ndalimin e pandëshkueshmërisë së krimeve seksuale të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Nismëtarët e saj janë Julie Johnson dhe Keith Self, të cilët përfshinë edhe rrëfimin e Vasfije Krasniqi-Goodman dhe bënë thirrje për drejtësi.
Po ashtu, duhet hetuar si u vodhën paratë e dërguara nga mërgata për UÇK-në dhe kush i fshehu vrasjet e veprimtarëve të LDK-së;
Isa Mustafën, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociacionin në Bruksel dhe keqqeverisjen e tij;
Ramush Haradinajn, për shuarjen e Institutit të Krimeve të Luftës, dhurimin e 8,200 hektarëve Malit të Zi, bashkëpunim me kriminelë serbë si Radoiçiqi, si dhe për afera të dyshimta pronësore dhe korrupsion.
PDK, LDK dhe AAK akuzohen edhe për mashtrime dhe blerje votash në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, përfshirë rekrutimin e Sala Jasharit nga PDK dhe të djalit të Sali Çekajt nga LDK.
Albin Kurti si Kryeministër dhe Vjosa Osmani si Presidente janë shpëtim për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, të ngritur mbi gjakun e dëshmorëve. Opozita mendon vetëm për kthimin në pushtet për të shpëtuar pasuritë dhe për të ikur nga ligji — edhe nëse kjo do të thotë bashkëpunim me Serbinë.
Qeveria e re në Kosovë do të jetë shpresëdhënëse vetëm me Albin Kurtin Kryeministër dhe Vjosa Osmanin Presidente që kanë dëshmuar se dinë t’i dalin zot Kosovës, ndryshe domosdo lypsen zgjedhje të reja për ta deklasuar opozitën tradhtare dhe për ti vetëdijesuar ata votues që i bleu dhe i mashtroi opozita.
Qeveria e re e Kosovës domosdo duhet t’i identifikojë dhe dëbojë sekserët që i ngulitën në tërë institucionet e rëndësishme të Kosovës qeveritë e Hashim Thaçit,Isa Mustrafës dhe Ramush Haradinajt. Kjo është e vërteta dhe ky është realiteti që duhet luftuar me tërë forcën e ligjit për ta shpëtuar Kosovën nga armiqtë.