Shqiptarët: Nuk dalin në protestë për rrymën, shkojnë në Tiranë për Gjestin

Opinione

Shqiptarët: Nuk dalin në protestë për rrymën, shkojnë në Tiranë për Gjestin

Nga: Faton Mehmeti Më: 24 prill 2025 Në ora: 13:11
Autori Faton Mehmeti

Pavarësisht se janë ndër më të varfrit në Evropë, shqiptarët ende nuk e kanë zhvilluar në një nivel të lartë kulturën e duhur të reagimit. Ndër arsyet e mungesës së reagimit është edhe mungesa e arsimit cilësor, çka pasqyron thelbin e kësaj anomalie: fakti që shqiptarët nuk reagojnë kur duhet dhe mobilizohen për gjëra krejt të parëndësishme.

Një rast konkret: të shtunën e kaluar ndodhën dy ngjarje të ndryshme që zbuluan mendësinë kolektive të shoqërisë. Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike nuk mblodhi më shumë se 200 persona në protestë, shumica prej tyre të moshuar. Ndërkohë, të rinjtë po prisnin finalen e Big Brother Albania. Me vetura u nisën drejt Tiranës, dërguan mijëra mesazhe dhe u entuziazmuan nga fitorja e një banori nga Kosova.

Pa dashur të mohojmë meritat e Gjestit në këtë fitore, duhet pranuar se shqetësimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike duhej të reflektohej shumë më fuqishëm. Reality show-t dominojnë audiencën në një vend me shumë probleme, ku çmimet rriten çdo ditë, ndërsa pagat janë ndër më të ulëtat në rajon.

Fatkeqësisht, gjërat që në çdo vend të botës janë përparësi e shqetësim i përditshëm, tek ne shpesh nuk janë – dhe anasjelltas. Vetëdija e ulët shoqërore prodhon anomali të tilla: më i rëndësishëm bëhet një reality show sesa vetë jeta reale me sfidat dhe shqetësimet e saj.

Siç jemi, edhe i kemi punët. Prandaj, arsimi cilësor dhe edukimi familjar duhet të jenë prioritet kombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat