Nëse te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut më parë ishte praktikë që në politikë, pas mbajtjes së zgjedhjeve, të fitonin individë që nuk e meritonin fitoren, së fundmi kjo praktikë ka filluar të ndryshojë në favor të atyre që e meritojnë atë. Ky ndryshim ndodhi para dhjetë muajsh, me ardhjen në pushtet të koalicionit politik VLEN.
Duket se, edhe pse me vonesë, qytetarët shqiptarë kanë filluar ta mësojnë mësimin dhe ta kuptojnë realitetin: besimi në politikë duhet t’u jepet më të mirëve, e jo atyre që nuk kanë bërë punë apo vepra të mira për ta. Pra, duket se shqiptarët më në fund janë bindur se duhet ta bëjnë dallimin mes të mirës dhe të keqes, mes pozitivitetit dhe negativitetit.
Kështu që, siç thotë populli, ata kanë filluar ta ndajnë shapin nga sheqeri, baltën nga ari dhe frutat e shëndosha nga ato të dëmtuara. Zgjedhja e individëve të duhur në politikë tregon se ekziston një ambient i shëndoshë zgjedhor në shoqëri dhe në shtet. Prandaj, kjo është një e vërtetë që qytetarët shqiptarë është dashur ta kuptojnë shumë më herët — se nuk duhej t’ua jepnin besimin gjithkujt në politikë, siç kanë bërë deri para dhjetë muajsh.
Këtë të vërtetë shqiptarët është dashur ta mësojnë më herët, jo pas tridhjetë e pesë vitesh përvojë zgjedhore. Është e dukshme se elitat politike të mëparshme kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe, për pasojë, edhe me fatin e tyre, duke u premtuar përherë të njëjtat gjëra të mëdha e të bukura, por duke realizuar shumë pak ose aspak në interes të tyre.
Çuditërisht, më parë në ambientin tonë politik, me më shumë vota shpërbleheshin ata politikanë që kishin gënjyer, manipuluar ose mashtruar qytetarët, më shumë sesa ata që ishin të ndershëm, të sinqertë dhe të drejtë. Këta të fundit, pikërisht sepse ishin të tillë, penalizoheshin nga votuesit shqiptarë dhe asnjëherë nuk merrnin votat e nevojshme për të fituar.
Më duket se bindja e shumicës së votuesve shqiptarë ka qenë kjo: “Nuk i votojmë politikanët e ndershëm dhe të sinqertë, sepse këta, meqë nuk vjedhin, nuk gënjejnë dhe nuk bëjnë intriga, janë të paaftë për politikë.” Duhet theksuar se kjo bindje nuk ka qenë as e drejtë dhe as e arsyeshme. Gjithashtu, më parë qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar politikën si një aktivitet në të cilin politikanët duhet të gënjejnë vazhdimisht, apo si një fushë që u përket vetëm atyre që manipulojnë dhe bëjnë intriga.
Ndërkohë, politikanët e ndershëm dhe të sinqertë është dashur të qëndronin larg politikës. Realisht, qytetarët shqiptarë kanë treguar më shumë gatishmëri për të zgjedhur politikanë me cilësi dhe virtyte negative sesa ata me cilësi dhe virtyte pozitive njerëzore.
Pra, praktika e fundit, ku në pushtet vijnë realisht — dhe jo vetëm teorikisht — më të mirët, më të ndershmit dhe më të drejtët, shënon një moment të ri dhe shumë të rëndësishëm në ambientin tonë politik. Kjo është një dëshmi se votuesi shqiptar në RMV ka filluar të vetëdijësohet dhe të piqet politikisht, duke votuar për aktorë të vërtetë, të duhur dhe të domosdoshëm politikisht, e jo për ata që vetëm kanë aktruar në politikë.