I nderuar Belgin,
Po përpiqem të vë veten në vendin tënd pas gjithë atyre fyerjeve dhe ofendimeve të pista e të turpshme që po t’i bëjnë disa njerëz pa fytyrë ndër ne.
Edhe unë kam përjetuar shumë ofendime raciste dhe bullizëm kur isha shqiptar në shkollime ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Por ishin rrethana të tjera atëherë. Pikërisht ato sjellje të këqija më bënë më të fortë dhe më krenar për atë që isha.
Ti merresh me sport. Ne kemi dalë nga lufta me frikë e dhimbje, por ato gjëra të këqija që i kemi përjetuar gjatë okupimit jugosllav si shqiptarë, nuk duhet t’ia bëjmë askujt tjetër në vendin tonë.
Asnjë njeri në botë, kur lind, nuk e zgjedh ngjyrën e lëkurës, prindërit, gjininë, emrin, kohën, vendin e lindjes, gjuhën apo fenë. Ne të gjithë jemi të ndryshëm mes nesh – me askënd nuk jemi të njëjtë, por të gjithë jemi krenarë për atë që jemi.
Duhet të mësohemi të respektojmë dallimet, nëse duam të jemi të respektuar.
Ti, Belgin, vazhdo punën, angazhimin dhe synimet e tua. Mos lejo që njerëzit e ligj të të pengojnë dhe mos u merre me ta, sepse ata ende nuk e kanë kuptuar që, sipas logjikës së tyre, ti je fajtor pse nuk je si ata – dhe po aq "fajtorë" janë edhe ata që nuk janë si ti.
Prandaj, unë, ti, ata – të gjithë jemi të ndryshëm, dhe duhet të mësohemi t’i respektojmë ato dallime që nuk i kemi zgjedhur vetë.