E, po bëni rindarjen e botës?

Opinione

E, po bëni rindarjen e botës?

Nga: MUHAMED HALILI Më: 30 prill 2025 Në ora: 16:49
Autori Muhamed Halili

Atë natë isha duke rilexuar për të disatën herë disa fragmente nga “Kronikë në gur” e Kadaresë, ku protagonistët po grindeshin dhe po bënin tregti me pulla poste mu në mes të rrugës:

– Na Francën dhe Kanadanë, dhe më jep Luksemburgun.

– Jo, more! E dashke Luksemburgun!

– Në qoftë se më jep Abisinë për dy Poloni, atëherë shohim e bëjmë.

– Abisinë s’ta jap. Merr Francën dhe Kanadanë.

– Jo.

– Atëherë ma kthe Indinë që ta dhashë dje për Venezuelën.

– Indinë? Na, merre! Ç’më duhet India? Të them të drejtën, që mbrëmë u pendova.

– Mos u pendove dhe për Turqinë?

– Turqinë e shita, se do ta kisha kthyer.

– Mirë atëherë, as unë s’ta jap Gjermaninë që të thashë.

– E bëj katër copa dhe ty s’ta jap.

– O, m’u bë vonë mua për Gjermaninë!

Ne kishim një orë që po grindeshim dhe po bënim tregti me pulla poste mu në mes të rrugës. Ishim në zënkë e sipër, kur Javeri na tha me të qeshur:

– E, po bëni rindarjen e botës?

(I. Kadare – Kronikë në gur)

Me të lexuar fjalinë e fundit, në celularin tim u shfaq si në CNN “breaking news” i një portali: “Sipas disa informacioneve nga burime të sigurta”, Arbeni (Taravari) qenka takuar me Alinë dhe se në zgjedhjet lokale do ta braktisë VLEN-in dhe do t’i bashkohet Frontit Evropian (multinacional) për korrupsion!

Punë e madhe. Edhe Vjosa, pas atij incidenti të pakëndshëm disa muaj më parë me valixhet e saj në aeroportin e Shkupit, nga mosnjohja apo mospërfillja e protokolleve diplomatike ndërkombëtare dhe pas një sulmi të ashpër ndaj Qeverisë Kurti – gjoja për tarifa të larta ndaj aleatit tradicional të Rugovës, SHBA-së, dhe “favorizim” të Serbisë – e priti me ceremoni të larta (mungoi vetëm tepihu i kuq dhe nderimi i gardës!) pionerin e Open Balkan-it, Alinë. Por nuk u bë kijameti.

Ndoshta Vjosa, me këto mosinformime që i kishte për qeverinë e saj (të cilat vetë i demantoi më vonë!), deshi t’i hakmerret Kurtit për mospërkrahjen në rastin “valixhet pa kontroll”, dhe për cilësimin tërthorazi të Kurtit me fjalorin e Ramushit si “antiamerikan”, deshi t’i vardiset opozitës së alivanosur kosovare, që të marrë bekimin e tyre për një mandat të dytë si presidente – ose ndoshta është diçka tjetër; koha do ta tregojë.

Madje Vjosa, për të dëshmuar se është “bijë amerikane” (ndryshe nga Kurti “katundar”), në varrimin e Papës, me vrap iu afrua Trump-it dhe e përshëndeti me: “How do you do?”. Kjo pati jehonë të madhe në Kosovë dhe na e kujtoi poezinë e Nolit: “Mbahu nënë, e mos kij frikë, se ke bijtë (Trump-in) në Amerikë!”

Në kafene (ne shqiptarët zakonisht bëjmë politikë në kafene!) komentojnë: Alija i ka ofruar Arbenit pesë komuna, kaq e kaq privilegje, madje edhe postin e kryetarit pas pensionimit politik! Këto oferta, si gjithnjë, shpërndahen fillimisht në degët e BDI-së që anëtarësia të ushqehet për një kohë të gjatë me llokumin e kthimit në pushtet – të paktën deri para Vitit të Ri – pastaj marrin dheun.

Me të kuptuar se Arbeni paska marrë më shumë këshilltarë komunalë se Izeti, Bilalli dhe Afrimi, ata të VLEN-it, nëpërmjet Qokut, ia zbrazën thesin Arbenit: “Na Tetovën, Gostivarin, Bogovinën, Strugën…” E ç’mbeti për ne si VLEN? A jemi një apo më shumë? A jemi për ndryshimin e shumëpritur prej më shumë se njëzet vitesh, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?!

I plasi durimi edhe Xhevdetit (Hajredinit). Pasoi statusi i tij: “Ata që duan të luftojnë korrupsionin, nuk duhet të bashkëpunojnë me ata të cilët dihet se janë të korruptuar.”

Pasi nuk desha ta besoj këtë lajm, e hodha në shportë si fake news.

Edhe pas kësaj nuk rrija rehat, dhe për të qenë i sigurt, i shkrova Arbenit:

“I nderuari Kryetar, mendoj se askush nuk duhet t’i ikë rrugës që ia caktoi elektorati në vitin 2024! Përshëndetje.”

Diçka është e sigurt: ndryshimin e shumëpritur e nisi Izeti, iu bashkua Arbeni, por nuk mbetën larg as Bilalli, Gashi dhe Kurti – nëpërmjet Qokut.
Vjosa Osmani iu bashkua Frontit Evropian për korrupsion dhe diskriminim të shqiptarëve – atij të BDI-së.

Edhe pse nuk i besoja, ky lajm nuk më dilte nga mendja netëve të tëra, kur zakonisht lexoj dhe shkruaj. Mendoja se një veprim i tillë, pa konsultën time dhe shumë të tjerëve si unë – pra votuesve të VLEN-it – Arbeni as që duhej ta kishte menduar, e jo më ta ndërmerrte.

Dhe nuk ia mohoj meritat për ndryshimin!

Megjithatë, ndryshimi duhej ta kishte epilogun e vet deri në triumfin e plotë.

Jo, ndryshimit gjysmak në mes të rrugës!

Mendoja me vete: shqiptarët këtu, para 23 vitesh, me dëshirë të madhe dhe vullnet votuan Abazin me shpresë për ndryshim.

Për fat të keq të tyre, ndryshimi jo vetëm që nuk ndodhi, por ata sollën të keqen edhe më të madhe: shqiptarët i kaploi varfëria, të rinjtë jopartiak mbetën të papunë, të tjerët të përbuzur në vendet e punës, ndërsa “zotërinjtë” e tyre me paratë e fukarenjve dhe në emër të patriotizmit u rreshtuan në listën e Forbes si pasanikë evropianë.

Fëmijët e tyre i lanë karrocat me kuaj të baballarëve dhe vozisin Bugatti, Lamborghini Countach dhe Ferrari nëpër rrugët me baltë të Uskanës.
Doli që fëmijët, dhëndurët dhe të afërmit e tyre na qenkan më të talentuarit ndër të rinjtë, dhe me pesë denarë në xhep bëjnë biznese marramendëse multimilionëshe!

Shqiptarët, të pakënaqur nga “komandantët” e tyre hajdutë, shumë herë votuan për opozitën e përçarë – por pozita e tyre mbeti e pandryshuar: plot parulla patriotike dhe barku bosh! “Plasnin” televizorët nga statusi i gjuhës shqipe, “kryeministri shqiptar” që s’u bë asnjëherë, përfaqësimi adekuat në institucionet e shtetit që vetë e keqpërdorën, ligji për gjuhët që vetë nuk e zbatuan, për shtetësinë që e bastarduan, për përkatësinë etnike në librat amë që vetë e dështuan, e shumë të tjera.

Megjithatë, ndryshimi ndodhi. Filloi si LEN dhe vazhdoi e vazhdon si VLEN.

E nisi Izeti si LEN, e vazhduan si VLEN: Besa e Bilallit, Aleanca për Shqiptarët e Arbenit, Alternativa e Gashit, dhe Qoku si Vetëvendosje, së bashku me popullin përkrahës.

Ende nuk e kuptoj se çfarë ndodhi aq papritur dhe çfarë nevoje kishte Arbeni të trokasë në derën e kalbur të Alisë! Nuk e kam të qartë pse ai, në zgjedhjet parlamentare, u përcaktua për ndryshim, ndërsa në ato komunale e ndal hovin e ndryshimit.

Nga këtu “e arsyeshme” duket ftesa e Frontit Evropian për korrupsion:

Ta lëmë së bashku parlamentin!

Ta “rrëzojmë” Mickoskin sepse ai dhe VLEN nuk i lënë rehat “hajdutët e vegjël” shqiptarë!

Ta rikthejmë në qeveri LSDM-në dhe Zaevin. Mundet edhe Gruevskin – se Sashon e kemi këtu – dhe Artanin (Grubin), i cili “na qenka në një tokë shqiptare”, e sjellim brenda natës!

Njësoj si në kohën e “revolucionit” jeshil.

Sepse LSDM-ja asnjëherë nuk ka fituar pa revolucion. Dhe atë me përkrahjen e shqiptarëve për të krijuar një “shoqëri të barabartë për të gjithë”, për hyrjen në NATO e BE.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat