Kosova ka hyrë në një fazë të re vetëizolimi diplomatik, pavarësisht liberalizimit të vizave. Dështimi në Këshillin e Evropës, tensionet me aleatët dhe paraliza e shërbimit diplomatik po e kthejnë politikën e jashtme në pikën më të dobët që nga shpallja e pavarësisë. Në këtë analizë, trajtohet humbja graduale e përkrahjes ndërkombëtare dhe mungesa e vizionit shtetëror që po e çon Kosovën drejt një izolimi të rrezikshëm.
Pavarësisht arritjes së shumëpritur të liberalizimit të vizave, që hyri në fuqi më 1 janar 2024, Kosova po përballet me një krizë të thellë në planin ndërkombëtar. Ky zhvillim, që pati ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën e qytetarëve, u interpretua nga shumëkush si sukses diplomatik, por në të vërtetë, ishte një përmbushje e vonuar e një zotimi të dhënë nga Bashkimi Evropian që prej vitit 2012. Procesi u mbyll jo për shkak të ndonjë avancimi të jashtëzakonshëm institucional të Kosovës, por për shkak të vlerësimit teknik se kriteret ishin përmbushur tashmë që në vitin 2018 (Komisioni Evropian, 2018). Në mënyrë paradoksale, liberalizimi ndodhi në një kohë kur pozita ndërkombëtare e shtetit është përkeqësuar ndjeshëm dhe diplomacia e vendit ndodhet në një terr alarmant.
Një nga simptomat më të dukshme të këtij izolimi është dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës në maj 2024. Megjithëse Kosova kishte përmbushur një sërë kërkesash teknike dhe kishte mbështetje nga një pjesë e madhe e anëtarëve, vendimi për ta shtyrë procesin u mor për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zbatuar pjesë kyçe të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Radio Evropa e Lirë, 2024). Ky dështim nuk është teknik, por thellësisht politik. Ai pasqyron humbjen graduale të përkrahjes nga aleatët kyç evropianë dhe mosbesimin në seriozitetin institucional të Kosovës për të zbatuar obligimet ndërkombëtare.
Situata përkeqësohet më tej nga ngërçi i thellë në dialogun me Serbinë. Marrëveshja e Ohrit, që përfaqësonte një përpjekje të rëndësishme ndërkombëtare për të normalizuar raportet mes dy vendeve, mbeti pa zbatim konkret. Kosova këmbëngul në njohjen reciproke si parakusht, ndërsa Serbia përdor struktura paralele për të sabotuar çdo hap përpara. Në këtë përplasje, Kosova po perceptohet gjithnjë e më shumë si pala që nuk është e gatshme të bëjë kompromiset e nevojshme, gjë që ka sjellë masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian: pezullim fondesh IPA, përjashtim nga takime të nivelit të lartë dhe ngrirje të bashkëpunimeve të caktuara (EEAS, 2023). Ky është izolim real dhe i maturueshëm me pasoja afatgjata për zhvillimin institucional dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit.
Në këtë klimë tensioni, diplomacia kosovare është thuajse e paralizuar. Shumë prej ambasadave funksionojnë pa ambasadorë të emëruar, për shkak të përplasjeve ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, ndërsa mungesa e një strategjie të koordinuar ka bërë që Kosova të humbë momentume të rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Shërbimi diplomatik është politizuar, profesionalizmi është anashkaluar dhe emërimet shpesh reflektojnë interesa partiake e jo shtetërore. Një raport i fundit i Institutit Demokratik të Kosovës thekson se Kosova nuk ka ndonjë plan të mirëfilltë diplomatik për afirmim ndërkombëtar dhe as një qasje proaktive për të konsoliduar subjektivitetin e saj në organizatat ndërkombëtare (KDI, 2024).
Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, marrëdhëniet me aleatët strategjikë si SHBA dhe BE janë tensionuar seriozisht. Deklaratat publike nga diplomatët më të lartë ndërkombëtarë pasqyrojnë një zhgënjim të thellë ndaj qeverisë së Kosovës për mungesë koordinimi, mungesë vullneti për kompromis dhe veprime të njëanshme në veri të vendit. Kjo ftohje, ndonëse ende jo zyrtare, është e qartë dhe e rrezikshme. Mbështetja ndërkombëtare nuk është më e pakushtëzuar dhe është e kushtëzuar me sjellje të pjekura, të parashikueshme dhe të përgjegjshme.
Rrjedhimisht, Kosova ndodhet në një qorrsokak diplomatik, ku mungesa e vizionit shtetëror dhe refuzimi për të pranuar realpolitikën ndërkombëtare e kanë bërë të paqartë orientimin strategjik të shtetit. Suksesi teknik i liberalizimit të vizave nuk mund të mbulojë këtë dështim politik. Liberalizimi është për qytetarët, por dështimi në diplomaci është përgjegjësi ekskluzive e lidershipit.
Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të reformuar qasjen ndaj politikës së jashtme, për të kthyer besimin e humbur të partnerëve dhe për të profesionalizuar shërbimin diplomatik, Kosova rrezikon të mbetet një shtet me pasaportë që lejon udhëtim, por me zë të heshtur në tryezat ku vendoset fati i saj.