Kur demokracia bllokohet nga padija dhe egoizmi politik

Opinione

Kur demokracia bllokohet nga padija dhe egoizmi politik

Nga: Prof. Isuf Bajraktari Më: 23 maj 2025 Në ora: 17:18
Autori Prof. Isuf Bajraktari

Në shoqëritë që synojnë ndërtimin e institucioneve demokratike, sfida më e madhe shpesh nuk është mungesa e resurseve apo e aleatëve ndërkombëtarë, por paaftësia e brendshme për ta kuptuar dhe respektuar thelbin e demokracisë. Republika e Kosovës, që prej themelimit të saj, ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të konsolidimit institucional. Megjithatë, ajo që po ndodh sot është alarmante: një bllokadë politike e vazhdueshme, e cila jo vetëm që e paralizon funksionimin e institucioneve, por edhe e rrezikon kredibilitetin e vet shtetit.

Në një kohë kur qytetari ka folur qartë përmes votës së tij, përfaqësuesit politikë nuk po veprojnë si shprehje e atij vullneti, por si pengues të tij. Në vend të një parlamenti që debaton me përgjegjësi dhe pjekuri, kemi një skenë politike që ngjan me një teatër fëmijëror, ku mungon serioziteti institucional dhe dominon interesi personal.

Është trishtuese të konstatohet se shumë nga ata që sot zotërojnë mandatin përfaqësues nuk kanë asnjë lidhje me traditën institucionale që u ngrit me mund dhe sakrificë dekada më parë. E gjithë përpjekja historike për shtetformim, që nga rezistenca e paqes së Presidentit Rugova e deri te ndërtimi paralel i institucioneve në kushte okupimi, duket se është harruar ose, më keq, injoruar.

Elita aktuale politike, në një masë të konsiderueshme, karakterizohet nga një ego e tejskajshme, mungesë kulture politike dhe një vizion të mjegullt për të ardhmen e shtetit. Mospërfillja ndaj ligjshmërisë, degradimi i gjuhës politike dhe instrumentalizimi i pushtetit për interesa personale janë simptoma të një demokracie të sëmurë.

Kosova nuk është viktimë e ndonjë krize të jashtme — ajo është peng i një degradimi të brendshëm, që ka ardhur si pasojë e padisë politike dhe mungesës së etikës publike. Kjo përbën një rrezik real për funksionalitetin dhe të ardhmen demokratike të vendit.

Në një poezi të shkruar dikur në Frankfurt thuhet:

“…viele wissen nicht was sie tun”

(shumë nuk e dinë çfarë po bëjnë)

Por ne e dimë. Dhe kemi përgjegjësi të flasim.

Heshtja përballë këtij rrëshqitjeje demokratike është bashkëfajësi. Nëse nuk reagojmë, atëherë nuk kemi as të drejtë të ankohemi për pasojat. Sepse një demokraci e lënë në duart e të verbërve politikisht nuk është më demokraci — është vetëm një simulim i saj, një formë e zbrazët dhe e rrezikshme e qeverisjes.

Kosova nuk ka nevojë për pronarë politikë, por për shërbëtorë institucionalë.

Nuk ka nevojë për ego, por për vizion.

Rrnoftë Kosova — jo për t’u tallur me të, por për t’u ringritur me dinjitetin me të cilin nisi rrugën e saj!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat