Nëse Amerika pyet, pse nuk votohet znj. Albulena Haxhiu, cila është përgjigjja?

Opinione

Nëse Amerika pyet, pse nuk votohet znj. Albulena Haxhiu, cila është përgjigjja?

Hafiz Shala Nga Hafiz Shala Më 16 qershor 2025 Në ora: 10:00
Vazhdimi i seancës. 15 qershor

Këtë shkrim e titullova në mënyrë të thjeshtë: nëse pyet Amerika, miku dhe shpëtimtari ynë historik, e cila ani pse shkruhet nga disa media, qofshin edhe ato të njohura spekulative, se “nuk do të merret më me neve”, Republikën e Dardanisë, deri te ato që e citojnë Donald Trump-in se, ashtu siç kam vepruar unë në mandatin e parë në parandalimin e konfliktit potencial Serbi–Dardani, do ta bëjë përsëri, duke shprehur kritika ndaj ish-Presidentit Joe Biden i cili me mosveprimet e tij i ka dëmtuar perspektivat afatgjata për paqe në rajon. Trump vjen me premtimin se do ta rregullojë këtë situatë.

Hipotetikisht e vëra si pikëpyetje të cilën gjoja do ta paraqiste Amerika rreth znj. Haxhiu. Nuk është se kjo kandidaturë paraqet “interesim”, por, kur situata ka mbërritur deri këtu, se opozita a priori e refuzon kandidaturën e VV-së me “arsyet si përçarëse e jo bashkuese”, sipas tyre, po ia vlejka që vendi të vijë në një bllokadë të pakuptimtë, ani pse e propozuar nga subjekti i parë i votuar me vullnetin prej 42% të popullatës, duke i siguruar 48 deputetë, që i bie më shumë se dy partitë e para opozitare dhe gjysma e të tretës në koalicion, nuk duan të lëshojnë pe, duke i harruar dëmet dhe pasojat që po i sjellin vendit në shumë aspekte. Por ndër më të rëndësishmet në këto momente, është ai i aspektit të sigurisë, kur me një shpejtësi të paparamenduar, po zgjerohen konflikte shumë të rrezikshme, jo vetëm në rajonet aktuale, por edhe për Ballkanin, Evropën dhe botën në përgjithësi.

Mund ta merrni me mend që të ndodhte, jo ndonjë konflikt i përmasave të një agresioni ushtarak apo qoftë edhe një akt i ngjashëm me atë të Banjskës — si do të sillemi si shtet, kur në të gjitha mënyrat po veprojmë për ta vetëpenguar konsolidimin e shtetit të mirëfilltë: Parlamentit, Qeverisë dhe ministrive përkatëse, me theks të veçantë asaj të Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila, ani pse është në detyrë, nuk i ka kompetencat e plota për vendime të mëdha parandaluese e parapërgatitëse.

Në kushte normale, një çrregullim sado i vogël në nivel të vendit, shfaq mangësi në shumë aspekte, e lëre më në situatat e paparashikuara në të cilat mund të ndodhemi, kur edhe miqtë tanë më të kujdesshëm ndaj nesh, nuk do të jenë në gjendje të na gjenden pranë sikur atë mund ta bënin në rrethana normale.

Unë nuk e di, por në çfarëdo pozite shtetërore të isha, qoftë edhe në detyrë shtetërore, deputet i zgjedhur dhe si qytetar i rëndomtë në këto rrethana, nuk do të më shkonte mendja që të sillem në këtë mënyrë aq komode, kur secili mund ta paramendojë rrezikun potencial, së pari nga fqinji ynë i cili rri sikur “ujku në majë të plehut”, duke na përcjellë në çdo situatë për ta gjetur momentin e duhur për ndonjë aventurë, të cilën pothuajse përditë e përsëritë edhe zyrtarisht por edhe nëpër takimet e brendshme zyrtare e tubimet të ndryshme, duke dalë me deklarata sikur ajo se “kurrë nuk heqim dorë nga Dardania (Kosova) dhe një ditë, jo fort larg, do të kthehemi atje”.

Organet e sigurisë (ndoshta janë në veprim e sipër), AKI-a dhe resurset tjera, do të duheshin të ishin në gjendje gatishmërie, duke bërë analiza ditore të të gjitha varianteve, qofshin edhe të imagjinuara, për t’u përgatitur sa më mirë për çdo lloj befasie që mund të na ndodhë.

Nuk po mund ta kuptoj pse kandidatja e propozuar nga partia fituese me çdo kusht dhe tërë mllefin duhet të refuzohet, thuajse ajo na qenka personi që do ta mbante tërë situatën shtetërore në dorë. Dhe, besomëni se shpesh më shkon mendja se një kundërshtim aq armiqësor ndaj një femre e cila, e tillë, do të mund të krahasohej me kandidaturën e një tipi të terroristit Millan Radoiçiq.

Tragjikomedia që po ndodhë në Parlamentin e Dardanisë nuk është diçka e panjohur edhe në demokracinë evropiane, por, kur e ke parasyshë mentalitetin tonë ballkanas dhe mbi këtë shqiptar, të prirur për vetëshkatërrim, është një pasqyrë e cila para botës demokratike, me theks të veçantë asaj amerikane, po na ul aq poshtë sa që nuk jam i sigurt se kur do të ngrihemi në nivelin që ajo dëshiron të na shohë si aleatin më të sinqertë dhe të sigurt.

E nisëm luftën heroike vetëmbrojtëse dhe aty, miqtë tanë na përkrahën dhe u çliruam me ndihmën e tyre. Me këto veprime, po e demantojmë vetveten, se sikur nuk jemi ne ata që ishim — e në të vërtetë, ata jemi.

Kur bëhet fjalë për popullin, për një moment duhet shikuar udhëheqjet partiake të cilët, në radhë të parë i kanë interesat politike e karrieriste. Mbase të kaluarat e tyre të zymta, qoftë korruptive, hajdute apo kriminale, nuk guxojnë t’i heqin dorë sepse ata as nuk janë në gjendje që të palëkundur të luftojnë për interesa shtetërore, sepse janë të shantazhuar nga armiku ynë, me të cilin kanë hyrë në biznese e marrëveshje të dëmshme të nënshkruara, ndaj të cilave nuk guxojnë të heqin dorë nga frika se do t’ua nxjerrë të vërtetat në shesh.

Pritja e opozitës, ashtu siç janë mësuar nga e kaluara, se problemet politike, ekonomike dhe diplomatike ua zgjidhin ndërkombëtarët — në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës — po përsëritet, duke kërkuar tani secili prej tyre të tregohet sa më proamerikan, sikur dikur në kushtet normale.

Nëse punët i lini vetëm në dorën e mikut, duke ndejtur duarkryq e mos u angazhuar për të drejtat tuaja historike reale, kurrë nuk do të keni zgjidhje të dëshiruar e të merituar normale. Kjo, assesi nuk do të thotë t’i kundërvihesh mikut pa argumente bindëse dhe pa ia bërë me dije se seriozisht po angazhohesh për interesat e popullit që përfaqëson, e jo për ato partiake e personale.

Besomëni se të gjithë i kanë njohuritë rreth të kaluarave tuaja — po flas këtu për SHBA-të — pasi i kanë profilet e juaja të sajuara nga shërbimet inteligjente.

Votojeni kandidaten dhe hapni rrugë për formimin e Qeverisë sipas fuqisë politike dhe kaloni në rundin tjetër. Ose, rruga e vetme mbeten zgjedhjet nacionale. Ndërsa deri atëherë, i lutemi Zotit që të mos na ndodhë diçka e papritur dhe e rrezikshme për vendin.

Përgjegjësia u mbetet të dy palëve, por opozita duhet të hapë rrugë me konstituimin e Parlamentit për të ecur përpara, ndërsa formimi i Qeverisë i mbetet partisë së parë.

Pa marrë parasysh, në të gjithë këtë konstelacion, pa përgjegjësi nuk shpëtoni asnjëra palë. Para botës, nuk po dukemi seriozë, ndërsa pasojat do t’i ndjejmë gjatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat