Ndonëse janë bërë katër muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë një kompromis për zgjedhjen e kryetarit/es së Kuvendit.
Çështja ka ngecur tek formimi i komisionit për votim të fshehtë të të propozuares për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Seancë pas seancë pas seance e dështim pas dështimi, partitë politike assesi nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptimin për të ecur para.
Kosova ende nuk ka dalë nga fryma zgjedhore e 9 shkurtit, ndërsa qytetarët po i vuajnë më së shumti pasojat e kësaj bllokade.
Kjo sepse deputetët e zgjedhur nuk humbin asgjë, pagat i marrin madje edhe për asistentët e tyre personal, ndërsa qytetarët përballen me krizën ekonomike e shoqërore që ka mbërthyer vendin.
Kosova në disa palë zgjedhje është përballur me ngërçe politike ku gjithmonë është dashur ndërhyrja e QUINT-it për t’i zgjedhur ato. Por, kësaj radhe ishim dëshmitarë të një “indiference” të dukshme të ndërkombëtarëve karshi situatës së krijuar.
Megjithatë, së fundi vendi ynë u shtrua si temë diskutimi nga vet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Trump rikujtoi se gjatë mandatit të tij kishte ndalur shpërthimin e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin ashpër, ashtu siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova. (Biden i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por unë do ta rregulloj përsëri!)”, ka shkruar Trump, ndërsa ka komentuar mbi konfliktin e fundit Izrael-Iran.
Kjo deklaratë, ndonëse u përdor në kontekst të një konflikti tjetër, ka efekte të drejtpërdrejta për Kosovën.
Ajo risjell në vëmendje faktin se zgjidhja përfundimtare për raportet mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk është arritur — dhe më e rëndësishmja, se kjo zgjidhje mund të vijë vetëm nga jashtë, pra nga vet SHBA-ja.
Por, a është Kosova e përgatitur politikisht për t’i bërë ballë këtij momenti, në një kohë kur skena politike është më e përçarë se kurrë më parë?
Dialogu me Serbinë, ndër vite është shoqëruar me paqartësi, presione ndërkombëtare dhe mungesë koordinimi të brendshëm.
Në vend të një qëndrimi të përbashkët, skena politike në Kosovë shpesh në këtë proces të rëndësishëm ka reflektuar ndasi, retorikë të brendshme për konsum elektoral, dhe mungesë të një strategjie afatgjatë.
Kjo e ka dobësuar tej mase pozitën e Kosovës në tryezat ndërkombëtare dhe e ka bërë më të lehtë që zgjidhjen ta ofrojnë të tjerët.
Deklarata si ajo e presidentit Trump, përbën një rrezik real që dialogu të trajtohet si çështje e politikës së jashtme të superfuqive, dhe jo si një proces që drejtohet dhe udhëhiqet nga vetë Kosova. Madje, nëse klasa politike nuk flet me një zë, Kosova rrezikon të mbetet një faktor pasiv në vendimmarrjen për fatin e saj.
Me fjalën unitet nuk nënkuptojmë se të gjithë duhet të mendojnë njësoj, por për çështje të mëdha si statusi ndërkombëtar i vendit, integrimi euroatlantik dhe procesi i dialogut, politika e Kosovës duhet të gjejë medoemos një gjuhë të përbashkët.
Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për ndërtimin e një platforme shtetërore që mbështetet nga pozita dhe opozita, nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, por edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve.
Çdo vonesë e mëtejshme në unifikimin e skenës politike e forcon narrativen se janë “të tjerët” që vendosin për të ardhmen e vendit tonë.
Nëse Kosova dëshiron të ruajë integritetin territorial, të avancojë në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe të jetë një aktor serioz në rajon, atëherë duhet të flasë me një zë. Ky zë nuk është zëri i një partie apo i një individi. Është zëri i një shteti të pjekur politikisht, që di çfarë kërkon dhe si ta arrijë duke u mbështetur gjithmonë në vullnetin e popullit.
Historia nuk i pret të papërgatiturit!