Pothuajse s’ka mbetur asgjë pa u thënë, është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shumë. Vlerësohet se është rregull i pashkruar, aty ku nuk lexohet shkruhet shumë, mbase për të mbushur boshëllekun e leximit.
S’do mend se për kokë banori jemi të parët në shumë fusha, kryesisht në ato që s’duhej të ishim. Jemi të parët dhe mbase të vetmit që festojmë 1 majin, atë ditë kur bota proteston, si për ironi populli me numrin më të lartë të të papunëve, ne festojmë ditën e punëtorëve. Festojmë çdo festë që përmendet, edhe pse disa nuk i kuptojmë, s’ka rendësi përmbajtja, me rëndësi të kemi arsyje për të festuar.
Satisfaksioni i të qenit i varfër është lumturia, sa më i varfër aq me i gëzuar është shqiptari, kjo shpikje e popullit tonë s’ka pse mos të konkuroj për kuriozitetin e shekullit. Festojmë 14 shkurtin, jo për ndonjë gjë, por për t’iu vërsul moteleve, duke anashkaluar motivin e saj të vërtetë për dashuri, e shtrati me dashurinë nuk janë edhe aq të përafërt. Mjafton një trëndafil, një përfqafim për të bërë të lumtur dikë, pa qenë nevoja e motelit.
Nuk harrojmë rutinën e përditshme: të zgjohemi në ora 12 të drekës, të iu vëruslemi kafeneve, të përgojojmë të gjithë nga i madhi e më i vogli, e në mbrëmje duke sharë politikën. Jo që politika është e mirë, por asnjë kontribut nuk e jep askush që këta (politikanë) të shporrën nga pushteti.
Më kujtohet kur dikush doli në protestë kundër varfërisë, dhe askush nuk iu bashkangjit, të tjerët bënin sehir dhe shtrembëronin lugën e makiatove nën tymin helmues të cigareve.
Pas kafeneve destinacion i dytë mbetet fakulteti, kryesisht privat, aty ku është dendur rinia, sa për të thënë se po kryejmë dicka. Duke mbartur mbi vete mëkatin e politikës së gabuar, të rinjtë ashtu siç hyjnë edhe mbarojnë fakultetin, dhe në fund marrin një diplomë sikur legjitimon analfabetizim e tyre.
Mos dhashtë Zoti të sëmurësh, pasi duhet ta kesh xhepin me para, ndryshe do vdesësh nëpër korridore të spitaleve. Mantelbardhët më parë të sjellin vdekjen së të shpëtojnë jetën, disa nga padituria e disa nga mosngopësia me korrupsion. Edhe këtu jemi të parët për nga cilësia e dobët, vendi i parë në Evropë për vdekje të foshnjeve, dhe të rritureve nga mungesa e shërimit.
Po i them edhe nja dy fjalë për art, aty ku padyshim jemi të parët. Jo për ndonjë cilësi, por për kokë banori jemi të parë në Evropë (mbase edhe ne botë) që 10 % e popullësisë janë artista, VIPA, njerëz që skenën e gjetën si vatër strehimi. Njerëz që s’munden të gjejne veten askund, e shkolla “nuk iu eci” u përplasën në skenë, me fjalë banale dhe me veshje skandaloze prodhojnë “art”.
Në këtë vend tallava, s’ka rëndësi që jemi të varfër, të izoluar e të mjerë, mjafton që po kënaqemi që jemi të parët për nga optimizmi.