Prekja e lapsit nga mërgimi: Një shtet pa timon, në një botë në stuhi

Opinione

Prekja e lapsit nga mërgimi: Një shtet pa timon, në një botë në stuhi

Nga: Dashnim Hebibi Më: 21 qershor 2025 Në ora: 14:56
Dashnim Hebibi

Për të 35-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështojnë të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo nuk është më krizë, kjo është një situatë trishtuese politike – një dramë që po luhet në sytë e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi. Albulena Haxhiu mbetet emri i vetëm që kjo parti e sheh të denjë për postin. Por për partitë tjera – PDK, AAK, madje dhe LDK – ajo është figurë përçarëse. Për pasojë, herë pas here, bëhet thirrje për ndryshim kandidature, ndërkohë që krijimi i komisionit për votim të fshehtë sabotohet në vazhdimësi.

Ndërsa në Kuvend hyhet e dilet si “Syla në Bilaç” – një shprehje nga Lugina që përshkruan kotësinë dhe përsëritjen pa dobi – qytetarët përjetojnë frustrim e pasiguri. Çdo 48 orë pritet një dështim i ri. Fjalët janë të njëjta, duart ngrihen për inerci, e deputetët mbajnë letrat në duar pa ndonjë efekt real. E kushdo që guxon të thotë të vërtetën, përfundon duke u krahasuar me “deputetët e 9 shkurtit” – ata që vijnë, rrinë pak, e ikin pa lënë gjurmë.

Ndërkohë, Kosova mbetet pa institucione të reja, pa kryetar Kuvendi, pa Qeveri të re.

E gjithë kjo ndodh në një kohë kur bota është në flakë: lufta Izrael-Iran, Ukraina në agoni, Palestina në gjakderdhje, ekonomitë në tronditje. E ne, në vend që të mblidhemi për t’u përballur me realitetin, zhytemi në lojëra politike që po e rrënojnë besimin në sistem.

LDK-ja ofroi një plan për qeveri uniteti – një hap që ndoshta do duhej marrë seriozisht. Por u hodh poshtë nga Vetëvendosje, ndërsa PDK e AAK preferojnë një koalicion pa partinë fituese të zgjedhjeve. Me këtë qasje, vendi ngec në një spirale bllokimi institucional.

Në gjithë këtë ngërç, populli pret. Çmimet rriten, varfëria thellohet, rrugët mbeten të prishura. Mërgata shqiptare, që tradicionalisht sjell gjallëri verës, është përfshirë nga dilema. A ia vlen të vish në një vend ku ndihesh i huaj, i nënçmuar, dhe gjithçka sillet rreth politikës dhe fukarallëkut? Siç thotë Bekimi nga Gjilani: “Malli po më djeg, por nuk po më shkohet.”

Në këtë situatë, deputetët mbase duhet të kujtojnë se nuk janë aty për të mbajtur letra në duar, por për të marrë vendime. Të mos mbeten vetëm emra në procesverbale, por zëra të një populli që pret shumë më tepër se sa premtime të thata. Faji? Ai ka mbetur jetim. Por përgjegjësia është e të gjithëve atyre që, për pushtet a për inate personale, po e lënë vendin në baltë.

Koha nuk pret. Kosova nuk ka luksin të humbasë më shumë. Nëse nuk mund të ecin përpara me dinjitet dhe përgjegjësi, le të lirojnë rrugën për ata që mundin.

( PhD Dashnim Hebibi është doktor i shkencave politike dhe njëkohësisht president i Institutit Shkencor Helvetik për Evropën Juglindore, me seli në Cyrih të Zvicrës )

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat