Fjala ose nocioni "inteligjencë" vjen nga fjala latine intelligere, që do të thotë “të kuptosh” apo “të organizosh lidhje”, respektivisht marrëdhënie midis lidhjeve ekzistuese.
Ky term është prezantuar dhe konfirmuar që nga kohët e lashta, nga figura të njohura si Ciceroni, Sokrati, Platoni, etj.
Sipas tyre, inteligjenca është aftësia që e bën njeriun të kuptojë dhe të pranojë më mirë jetën, botën, natyrën dhe vetveten.
Ndërkohë, sipas Aristotelit, trupi, mendja (truri) dhe shpirti i njeriut janë të pandashëm. Sipas tij, shpirti ka dy pjesë: njëra është racionale, tjetra iracionale.
Gjithmonë sipas tij, në thelbin e vet, shpirti përmban ide, të cilat konceptohen dhe perceptohen përmes inteligjencës së njeriut. Në këtë kuptim, shpirti ushqen trurin dhe truri ushqen shpirtin.
Për Hegelin, inteligjenca është kujdestare e tërë jetës së ndërgjegjshme (logjike) dhe psikologjike.
Ndërsa Immanuel Kanti e konsideronte inteligjencën si të pandashme nga intuita dhe ndjeshmëria, dhe si një funksion i ndërthurjeve absolute që burojnë nga dija, përvoja dhe zhvillimi i njeriut.
Schopenhauer e shihte inteligjencën si një nënshtrim të shpirtit dhe vullnetit njerëzor – si elementin e parë dhe thelbësor.
Descartes e përkufizonte inteligjencën si "mjet për përfitimin e shkencës dhe si teknikë e përsosur e lidhur me pafundësi gjërash".
Leibniz i referohej inteligjencës si shprehje e bërthamës progresive të vetëdijes dhe ndërgjegjes.
Në të njëjtin drejtim, Darwin, në librin e tij “Origjina e specieve”, pohon se "qenia njerëzore është kurorëzimi i evolucionit dhe progresit, dhe inteligjenca është ajo që e diferencon njeriun nga kafshët".
Në psikologji, inteligjenca ka dy komponentë kryesorë që e dallojnë një person inteligjent nga një person më pak inteligjent: energjia ose kapaciteti për të punuar dhe krijuar, si dhe performanca dhe ndjeshmëria.
Me fjalë të tjera, një person inteligjent, intelektual dhe performant në fusha të ndryshme, ka një kapacitet pune dhe një nivel energjie krijuese shumë më të madh se një person më pak inteligjent apo intelektual. Psikologjia e konsideron inteligjencën në shumë dimensione: intelektuale, profesionale, sociale, morale, materiale, shpirtërore, emocionale etj.
Nga kjo perspektivë, e ndikuar edhe nga filozofia sociale e Thomas Robert Malthusit – i cili pohonte se burimet natyrore janë të kufizuara dhe se njerëzit, mbi bazën e zhvillimit, intelektualitetit dhe inteligjencës së tyre, garojnë për to – psikologët arrijnë në përfundimin se është një e drejtë legjitime që personat më të mençur dhe intelektualë të mbizotërojnë ndaj atyre më pak të aftë.
Personat me çrregullime mendore apo me aftësi të kufizuara emocionale, shpirtërore, mendore ose psikologjike, nuk arrijnë të identifikojnë siç duhet detyrat, të planifikojnë strategji për zgjidhjen e problemeve apo të monitorojnë veprimet e tyre.
Psikologët e njohur bëjnë dallimin midis dy llojeve të inteligjencës:
Inteligjenca ideative – që vepron përmes fjalës dhe ideve, duke përdorur analizën logjike dhe racionalitetin.
Inteligjenca instinktive – që vepron përmes ndjenjave (pra, inteligjenca emocionale).
Kjo nënkupton se aftësia për të arsyetuar dhe për të zgjidhur probleme rritet me kalimin e moshës.
Graham Wallas, në librin e tij “Psikologjia e krijimit”, përshkruan katër faza të procesit krijues:
Përgatitja – mbledhja e informacionit nga përvoja kulturore, edukimi, arsimimi, emancipimi etj.
Inkubacioni – faza e pritjes, kur individi qëndron i lidhur me një problem dhe ndikohet nga faktorë të ndryshëm.
Ndriçimi – momenti i gjetjes së zgjidhjes, ku përfshihen aspektet njohëse dhe emocionale të personalitetit krijues.
Verifikimi – zbatimi praktik i procesit krijues apo inovativ.
Më tej kemi modelin e inteligjencave të shumëfishta (multiple intelligence), ku dallojmë:
Inteligjenca vizuale-hapësinore – përdoret në ndërtim, pikturë, lexim, balancim, interpretim të motiveve apo imazheve.
Inteligjenca verbale-gjuhësore – e shfaqur në dëgjim, të folur, shkrim, retorikë, shpjegim të koncepteve shoqërore, politike etj.
Inteligjenca logjike-matematikore – aplikohet në zgjidhje problemesh, ekuacionesh matematikore, koncepte abstrakte etj.
Inteligjenca kinestetike – e pranishme në aktivitete si vallëzimi, sporti, teatri, gjuha e trupit, mimika etj.
Inteligjenca muzikore – përdoret në këndim, përdorim instrumentesh muzikore, kompozim dhe dirigjim.
Inteligjenca ndërpersonale – shfaqet në aftësinë për të dëgjuar, ndjerë empati, këshillim, bashkëpunim, vëzhgim të gjendjes emocionale.
Inteligjenca intrapersonale – përfshin vetëdijen për pikat e forta dhe të dobëta, vetëvlerësimin dhe njohjen e vetvetes.
Pra, inteligjenca ka një shtrirje të gjerë dhe dimensione të ndryshme.
Ndërkohë, intelektuali në sferën shkencore, kulturore dhe politike është ai që si "persona integral", "enfant terrible", "homo magnus" apo "demiurg i zgjedhur", bashkëpunon dhe vepron me këto forma inteligjence në mënyrë të integruar, duke i transmetuar ato në logjikën, ndërgjegjen dhe arsyen njerëzore – qytetare, kulturore dhe politike.