Shoqëria po e sheh plakjen vetëm si çështje pamjeje, jo si pjesë natyrshme e jetës. Po mundohet ta fshehë, ta maskojë, ta harrojë, si të ishte diçka për t’u turpëruar. E keqja është që kjo frikë po nis shumë herët. Edhe vajzat 18-vjeçare sot po përdorin filtra për të mos i parë ashtu siç janë, për të fshehur një moshë që ende nuk e kanë jetuar. Po rritemi me idenë që duhet të jemi përherë të reja, përherë perfekte. Por plakja nuk është humbje, është nder. Rrudhat nuk janë shenjë e rënies, por e rrugës që kemi bërë. Duhet të mësojmë të plakemi me dinjitet. Të mos i fshihemi jetës, por ta përqafojmë ashtu siç vjen, në çdo moshë.
Jetojmë në një kohë kur shumica duan të jetojnë gjatë, por askush nuk do të plaket. Pleqëria është kthyer në frikë kolektive. Jo për shkak të vuajtjeve, por për shkak të pasqyrës. Jo nga vitet që kalojnë, por nga rrudhat që duken. Dhe kjo është një krizë e thellë psikike dhe shpirtërore.
Në vend që të përgatitemi për një pleqëri të shëndetshme, të kthjellët dhe të dinjitetshme, po shpenzojmë gjithnjë e më shumë për ta fshehur atë. Lloj-lloj serumesh, ndërhyrjesh estetike, operacione, filtra, të gjitha për të mohuar atë që është më e natyrshme: plakjen.
Po sillemi sikur rrudhat janë dënim, jo histori. Si të ishin turp, jo trashëgimi. Por rrudhat nuk janë deformime, janë përvojat tona të shtypura në lëkurë. Janë kujtimet e buzëqeshjeve dhe qarjeve tona, dëshmitë e durimit tonë, gjurmët e humbjeve dhe fitoreve.
Plakja është faza më e ndritshme e jetës. Aty ku pjekuria merr formë. Aty ku fjala fiton peshë. Aty ku koha nis të kuptohet me të vërtetë. Shoqëria sot po e sheh plakjen vetëm nga jashtë, dhe po përpiqet ta zhbëjë me çdo kusht. Në këtë garë për t’u dukur të rinj, po humbim mundësinë për të qenë të mençur. Po harrojmë se plakja është koha kur njeriu përmbledh veten, kur qetësia fiton mbi ngutjen, dhe kur përmbajtja ka më shumë vlerë se forma.
Nuk ka asgjë për t’u turpëruar nga vitet që kemi jetuar. Përkundrazi, duhet të krenohemi që kemi mbërritur deri këtu. Të ndërtojmë një kulturë ku të plakemi me dinjitet, jo me frikë. Ku e nderojmë trupin tonë, e jo ta imitojmë një fazë që s’na përket më. Ato rrudha nuk janë dobësi, janë pasqyrë e jetës. Dhe kush mundohet t’i fshijë, në fakt po fshin dëshminë më të çmuar që ka: vetë jetën.
Asnjë operacion nuk mund të zëvendësojë një mendje të kthjellët. Asnjë filtër nuk mund të maskojë zbrazësinë që vjen kur e mohon veten. Dhe asnjë serum nuk mund të shndërrojë një jetë të zbrazët në një pleqëri të bukur. Prandaj, në vend që të frikësohemi nga plakja, le ta jetojmë me mendje të kthjellët, me trup të kujdesur dhe me shpirt të paqtë. Sepse në fund të fundit, rrudhat tona janë përvojë, jo dobësi. Kush e lufton plakjen, në fakt nuk po fsheh rrudhat, por po humb vetveten.