Historikisht, SHBA, si kryesuese e Perëndimit, ka ndjekur një strategji të qartë ndaj qeverive të atyre vendeve që nuk kanë qenë miqësore ndaj saj dhe Perëndimit: izolimin dhe mospërkrahjen. Kjo masë ka qenë shpesh e mjaftueshme që shtetet e vogla të vendnumëronin politikisht dhe ekonomikisht, duke çuar, kështu, në rënie regjimesh me pasoja të rënda.
Në fakt, SHBA ka përdorur këtë strategji izolimi edhe kundër BRSS-së dhe sistemit komunist. Të njëjtën strategji është duke e përdorur sot kundër Rusisë dhe Kinës. Kjo strategji vazhdon të shërbejë për të rritur përkrahjen popullore kundër atyre qeverive jomiqësore ndaj SHBA-së dhe Perëndimit.
E te ne rasti më i freskët ka qenë Shqipëria komuniste që hapur ishte jomiqësore ndaj SHBA-së dhe Perëndimit. Mjaftonte që një regjim i tillë të mbahej i izoluar dhe pa përkrahje perëndimore, për ta bërë Shqipërinë vendin më të varfër, më të izoluar dhe më të harruar në Evropë.
Ndërkohë, regjimi në Shqipëri, për t’i përballuar atij izolimi dhe mospërkrahjeje, nxiste nacionalizëm të brendshëm për të ngjallur sentimente antiperëndimore dhe për t’i përfituar masat e gjera popullore që mundësonin pushtetmbetjen me çdo kusht.
Një Shqipëri të tillë askush s'e merrte seriozisht, ndërkohë që qytetarët e saj vuani nga paperspektiva totale. Për këtë Shqipëria pati paguar çmim shumë të lartë. Pasojat janë vërejtur që në ditën e parë të rënies së komunizmit. Ato vërehen edhe sot.
A përbën rasti i Kosovës përjashtim, kur dihet që vendi – si i vetmi në Evropë - ka afro dy vite që është futur nën sanksione perëndimore? Krahas tyre vendi është izoluar edhe politikisht dhe e ka humbur përkrahjen që kishte nga SHBA dhe Perëndimi? Në rrafshin e rend-ditës transatlantike kemi shënuar prapakthim.
E për ta përballuar këtë, edhe Kosova – ashtu sikurse Shqipëria komuniste - po nxit nacionalizëm të brendshëm për të ngjallur sentimente antiperëndimore dhe për t’i përfituar, kështu, masat e gjera popullore, kjo si kusht për pushtetmbetje sa më të gjatë. Dihet që kur regjimeve apo qeverive u bie përkrahja popullore, ato menjëherë nxisin nacionalizëm për përfitim të masave të gjera popullore. Nuk e kemi zbuluar ne këtë strategji.
Gjersa askush më nuk na merr seriozisht, vendi vazhdon të lëngojë nga paqëndrueshmëria politike, institucionale dhe ekonomike që po e nxisin ikjen e rinisë dhe profesionistëve. Se a do të paguajë Kosova çmimin e Shqipërisë komuniste, mbetet për t’u parë. Një gjë dihet: tupani rreh për ata që marrin vesh. A.H.