Suicid i zgjeruar i vetë njerëzimit, apo ‘atentat’ kundër nënës natyrë dhe rruzullit tokësor?!

Opinione

Suicid i zgjeruar i vetë njerëzimit, apo ‘atentat’ kundër nënës natyrë dhe rruzullit tokësor?!

Nga: Sabahate Byci Më: 16 gusht 2025 Në ora: 13:27
Sabahate Byci

“Ndërgjegjja është shtëpia e veprave”!

Prej disa kohësh, veçanërisht në vitet e fundit, bazuar në mediat e ndryshme – e sidomos në ato televizive – me informacionet që publikohen çdo orë e çast, pothuajse në mbarë botën, duket se i gjithë rruzulli tokësor po kallet dhe digjet flakë!

Po! Po digjet, po shkrumohet – dhe kjo, nga vetë dora e njeriut!

Po çfarë po ndodh kështu me njerëzimin? Me një ndër speciet më inteligjente të këtij planeti?

A mos ndoshta inati dhe mllefi i “depozituar” nga mospajtimet me gjendjen aktuale po vepron sipas fjalës së urtë:
“Mos ke ç’t’i bësh kalit, bjeri samarit”?

Edhe pse duke e goditur “samarin”, ky njerëzim – me pakujdesi, me apo pa qëllim – po i shkakton vetes dhe të gjithë rruzullit tokësor dhimbje dhe humbje të pariparueshme!

Dhe, ashtu siç po e shohim, gjendja momentale (sipas mendimit tim), e shkaktuar nga këto zjarre – të cilat po shpërthejnë kudo, në çdo cep të botës – është alarmante dhe katastrofale!

Sipas mendimit tim, kjo situatë reflekton një gjendje “suicidi kolektiv” të njerëzimit, për të cilin duhet të qajmë e të vajtojmë ditë e natë, kur shihet fare qartë se ku ka mbërritur ndërgjegjja e tij.

Ndaj, siç e thashë më lart dhe po e përsëris sërish:
“Ndërgjegjja është shtëpia e veprave”!

Pra, shumica po veprojnë në bazë të ndërgjegjes së tyre?

E gjithë kjo sjellje e individëve, e këtyre aktorëve që po i shkaktojnë dhimbje tokës së Zotit, duket si një skenar makabër – një atentat i vërtetë dhe fatal kundër natyrës!

Sjellje të tilla, që vetë këta njerëz i rendisin si të pandërgjegjshme, brutale, dhe kundër vetes së tyre! E në tërësi, jo vetëm kundër vetes, por edhe kundër gjithë universit, të cilin – për të mos harruar! – nuk e kemi krijuar ne, por Zoti i Madh!

Dhe si përfundim, them se të gjitha këto zjarre që po ndodhin nëpër botë, nuk janë gjë tjetër veçse vepra të brishta satanike. Dhe zjarrvënësit e këtyre shkatërrimeve,
Zoti do t’i dënojë përjetësisht!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat