(Me qëndrime të tilla, Atdheu gjithmonë do t’ju mallkojë.)
Enkas një poezi nga unë, për ta:
O, mos vraponi, o njerëz, për kapuç, për gjep e për kuletë,
Por rreth sofrës bashkohuni, o ju vëllezër shqiptarë!
Me fjalë si plumb i pushkës mos e goditni njëri-tjetrin,
Lidhni besën e fortë për gjakun tonë kombëtar!
Se posti politik zgjat katër, tetë, dymbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjet,
E secili që ka ardhur, një ditë kthehet e në vend të vet shkon.
Vetëm Kosova Dardania, trimëresha jonë shekullore,
Me vuajtjet e së kaluarës, drejt së ardhmes marshon!
Aq sa për hatër të vendlindjes sime – vendlindjes sonë madhështore, shtetit tonë, Kosovës, sa i përket bukurisë natyrore – porse të gjorë e të rraskapitur nga sulmet tradhtare, përpara e pas shpine, nga aktorët e vetëquajtur “çlirimtarë” – po aq nuk do të hesht kurrë së foluri e së shkruari kundër padrejtësisë së armiqve tanë nga jashtë dhe tradhtarëve nga brenda!
E bash për inatin e atyre “çlirimtarëve kamuflues”, dua të theksoj se po të njëjtit po ia zbehin autoritetin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të njëjtit, në formë kontradiktore e absurde, po veprojnë kundër vetes dhe kombit, duke u bërë – siç thotë fjala e urtë popullore –
“E zeza e vetes, e fikja e shtëpisë.”
Me këtë rast, nuk dua t’ua mohoj të kaluarën këtyre çlirimtarëve si protagonistë liridashës, plot entuziazëm kundër regjimit serbo-gjenocidal, iredentist e çetniko-fashist të Millosheviqit në vitet ’90.
Po ashtu, nuk dua t’ua mohoj bashkëluftëtarëve të tyre të asaj kohe që luftuan me të njëjtin qëllim, kundër një regjimi që ishte dhe mbetet po aq brutal sa ai i Aleksandër Vuçiqit sot – regjim që ende nuk ndalet së sulmuari vendlindjen tonë me taktika të rafinuara, kriminale e hibride!
O njerëz, pse ditë për ditë po e përlyeni të kaluarën e vendlindjes sonë?!
Ju – ose një pjesë e madhe prej jush – pjesëmarrës apo pjesëtarë të luftës së UÇK-së, pse po e teproni me monotoninë përsëritëse, kinse vetëm ju paskeni qenë çlirimtarët e Kosovës?!
A thua nuk ishin edhe foshnjat, gratë, të rinjtë e pleqtë që u përndoqën e u dëbuan nga vatrat e tyre, sikurse unë – një grua 32-vjeçare atëkohë, bashkë me birin tim 10 vjeç e gjysmë – të përndjekur e dëbuar nga çetnikët serbë të Millosheviqit, në vitin 1992?!
A nuk ishte dhe nuk është i tërë populli ynë shqiptar luftëtar – çlirimtar?!
Apo vetëm ju, me propagandat tuaja të pafundme?!
Mos harroni kurrë, o propagandues, se nuk po bëni aspak mirë duke u fshehur pas motos:
“Liria ka emër.”
Po, edhe ne – edhe pse nuk e themi çdo ditë – kemi të drejtë të themi:
LIRIA KA EMËR.
Por ne themi:
LIRIA E KA EMRIN – KOSOVA JONË DARDANI!
Ne nuk e përsërisim vazhdimisht këtë, sepse për ne:
I GJITHË SHTETI YNË, KOSOVA, ËSHTË VETË LIRIA!
Ju, që vetëm kundërshtoni, që shani, që pandërprerë fyeni qeverinë e shtetit tonë në rrugën e vështirë të shtetformimit e shtetndërtimit – pa marrë parasysh se cila parti është në pushtet – nuk jeni asgjë tjetër veçse:
“E zeza e vetes, e fikja e shtëpisë,”
pra e atdheut tonë, Dardanisë.
P.S.
Si po ju bën ndërgjegjja, që me gjithë ata mbi “30 mijë” veteranë, emrin e shenjtë të lirisë – të fituar me gjak nga të gjitha moshat e popullit shqiptar të Kosovës sonë – ta përkufizoni vetëm me katër persona?!
Si, pra?!
Por nejse…
Një fjalë e urtë gjermane thotë:
“Das Gewissen ist Haus der Tat.”
Në gjuhën e bukur të nënës sonë, kjo do të thotë:
“Ndërgjegjja është shtëpia e veprave.”
Zoti gjithmonë e bekoftë dhe e ndihmoftë Kosovën tonë Dardani!