I nderuar Ambasador,
Shpresoj që ky mesazh t’ju gjejë mirë.
Si qytetar i Republikës së Kosovës, ndjej nevojën të shpreh mendimin tim lidhur me qëndrimin e Ambasadës së Francës dhe të Bashkimit Evropian për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Unë nuk jam kundër të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Përkundrazi, besoj fort se të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të mbrojtura nga ligji.
Nga ana morale dhe politike, kjo shpesh shihet si hipokrizi, që një vend si Franca – i cili nuk lejon autonomi për komunitetet e veta – të kërkojë një të tillë në një vend tjetër.
Më lind kështu një pyetje:
Pse shteti juaj, i cili ka një përqindje të konsiderueshme qytetarësh me origjinë të huaj (përfshirë komunitete arabe, afrikane, aziatike e të tjera), nuk aplikon modele të ngjashme të autonomisë apo asociacioni për komunitetet e veta, ndërkohë që mbështet një model të tillë në Kosovë?
Jetoj aktualisht në Kanada dhe e shoh se në provincën e Quebec-ut bëhet çdo përpjekje për të mbrojtur gjuhën frënge. Pa dashur të gjykoj, shumë njerëz atje e konsiderojnë faktin që qytetarët detyrohen të përdorin frëngjishten si një formë të diskriminimit ligjor.
Ngjashëm, edhe në Francë dhe Zvicër mbrojtja e gjuhës frënge shihet si pjesë e identitetit kombëtar – gjë që është e drejtë dhe legjitime.
Por më lejoni të theksoj se në Kosovë, ndryshe nga këto raste, të gjitha komunitetet gëzojnë të drejtën ligjore për të përdorur gjuhën e tyre, edhe pse mbi 95% e popullsisë është shqiptare. Kjo tregon se shteti ynë respekton shumëllojshmërinë dhe barazinë gjuhësore.
Në të njëjtën kohë, mendoj se edhe ne shqiptarët jemi në rrezik për të humbur, duke qenë të vetmit me një gjuhë unike në Ballkan. Prandaj, për ne, ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar nuk është thjesht çështje politike, por edhe ekzistenciale.
Gjithashtu, ne, qytetarët shqiptarë të Kosovës, jemi të vetëdijshëm për historinë e ndarjes së trojeve shqiptare që u bë në Kongresin e Berlinit dhe më pas në atë të Londrës, ku edhe Franca ishte pjesëmarrëse. E kuptojmë se këto kanë qenë vendime të një periudhe tjetër historike, por shpresojmë që sot Franca ta kuptojë drejt ndjeshmërinë që kjo e kaluar ngjall tek shqiptarët, dhe të mbështesë një Kosovë të drejtë, funksionale dhe me trajtim të barabartë për të gjithë.
Qëllimi im nuk është kritikë, por mirëkuptim. Dua të kuptoj pse standardet duket se ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Shpresoj që ambasada juaj të mund të ndajë me publikun kosovar arsyet dhe filozofinë pas këtij qëndrimi.
Me respekt,
Zejadin Dedinca