Kjo mënyrë e shprehjes, në besimin e një “Përparimi” që ka të bëjë me udhëheqjen e kryeqytetit, nuk buron nga një siguri në vetvete dhe nga logjika e veprës, që mirëqenia qytetare kërkon të realizohet në plotësinë e saj.
Në rastin konkret, që të paralizohet qarkullimi i të gjitha linjave të transportit publik në gjithë kryeqytetin e vendit tonë, nuk është e vështirë të kuptojmë apo të bindet opinioni se këtu ka vetëm një prapavijë politike, të përgatitur thjesht kundër një qeverie, e cila është në detyrë dhe që nuk mund të marrë vendime ekzekutive, sepse edhe është bërë vonë…
Banorët e kryeqytetit të Kosovës nuk janë fajtorë për këtë trazirë, me të cilën po përballen si një ngjarje e pazakontë, që nuk u ka ndodhur asnjëherë në këto ditë të demokracisë: mungesa e transportit publik, duke u detyruar të gjejnë vetë zgjidhje alternative për të kryer obligimet e tyre të përditshme.
Ky problem është krijuar nga një motivim i paarsyeshëm politik, madje djallëzor, që ka depërtuar në shpirtin e subjekteve politike në vendin tonë. Këtij aspekti primitiv i takojnë pa dallim jo vetëm e djathta dhe e majta, por sikur shfaqet si një qëllim i përbashkët që i shërben kundërshtarëve dhe armiqve të këtij populli e të këtij vendi.
Si është e mundur që kryeqyteti ynë, Prishtina, në ditët e sotme të bllokohet dhe të mos ketë transport apo trafik urban, dhe qytetarët apo protestuesit të detyrohen të dalin në rrugë duke kërkuar të drejtat e tyre, të cilëve u mungon paga e merituar për të kryer shërbimet e nevojshme?
Nuk është arsyetim i kryetarit Rama që, në këto momente kur është bllokuar i tërë sistemi i transportit publik në kryeqytet, t’u drejtohet mediave duke fajësuar qeverinë aktuale në detyrë, apo drejtpërdrejt ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke i thënë “qiti paret”, sikur ministri do t’i nxirrte nga xhepi i tij privat mjetet e kërkuara nga buxheti i shtetit.
Kryetari i kryeqytetit është dashur më herët të kujdeset dhe të llogarisë një çështje të tillë për të mos ardhur deri në këtë situatë të paprecedentë, duke marrë parasysh qarkullimin e qytetarëve që shkojnë në punë dhe lëvizjet e tyre për nevojat esenciale.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, e bëri të qartë në një konferencë për media se me qytetarët nuk ka inate politike, sepse ndaj tyre kemi borxh t’u shërbejmë të gjithëve pa dallim. Thesari i shtetit e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Prishtinën me qëllim që të paguhen disa fatura të rëndësishme, si energjia elektrike dhe të tjera, por administrata e Përparim Ramës nuk ka kryer asnjë pagesë, me qëllim që të shkaktojë një rrëmujë të tillë.
Nuk është arsyetim i denjë i një kryetari të kryeqytetit të mbajë konferenca apo ligjërata para mediave për të shfajësuar veten, duke i dhënë kësaj situate kahe të një plani të qëllimshëm që e ngrit çështjen kundër qeverisë në detyrë, e cila gjoja po bllokon të hyrat vetanake të kryeqytetit dhe mjetet e tjera.
“Qiti paret” janë fjalët e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, drejtuar qeverisë aktuale, sikur financat e shtetit të ishin burime private që mund të nxirreshin nga xhepi i Hekuranit, apo sikur ndonjë “llokum” që gëlltitet pa u përbirë fare.
Tregimi i kësaj ngjarjeje mbetet jetëshkurtër dhe nuk duhet të përsëritet më, sepse qytetarët e këtij vendi nuk mund të acarohen dhe t’u rëndohet veshit edhe atëherë kur bllokohen rrugët e kryeqytetit për një avari a riparim të vogël.
Dhe çfarë do të thotë që sot të paralizohet kryeqyteti nga mosqarkullimi i trafikut urban dhe të mos ndjehet aspak fajtor kryetari i tij? Po të ndodhte kjo në ndonjë vend tjetër, do të duhej menjëherë të jepte dorëheqje. Por, siç duket, përderisa Përparimi i ka Lumirin në njërën anë dhe në anën tjetër disa përkrahës të subjekteve të tjera që e ndihmuan për të rimarrë mandatin, kryetari i kryeqytetit tonë do të mbetet i tillë. Por në realitet, jo si “Përparim”, por në një situatë të tillë do të duhej quajtur “Zhgënjim”.