Fashisto–idiotët, me dhunë rrafshuese e imponuese, në një gjendje të rëndë na deportuan në diasporë – na bënë mërgatë!

Opinione

Fashisto–idiotët, me dhunë rrafshuese e imponuese, në një gjendje të rëndë na deportuan në diasporë – na bënë mërgatë!

Nga: Sabahate Byci Më: 2 dhjetor 2025 Në ora: 16:13
Autorja Sabahate Byci

Shumica prej nesh – kështu së paku është mendimi im, dhe jo vetëm mendimi im, por edhe vërtetimi sipas bazave anatomike shkencore – të gjitha speciet, posaçërisht ne njerëzit, jetojmë e veprojmë përmendësh.

Pra, do të thotë se në përgjithësi jetojmë e veprojmë nga ndjenjat, të cilat – duam apo nuk duam – ndodhin gjithmonë dhe jo vullnetarisht.

Ashtu si frymëmarrja, rrahjet e zemrës, gjumi e zgjimi etj.

Dhe të gjitha këto procese, qëndrime dhe veprime udhëhiqen nga sistemi nervor vegetativ:

Nga simpatikusi,

– i cili e aktivizon trupin me energji dhe stres;

Dhe nga parasimpatikusi,

– i cili kujdeset për qetësinë dhe rigjenerimin e tërë trupit.

Pra, përpos të tjerash, këto janë dy format ekzistenciale, elementare dhe kryesore të sistemit nervor të njeriut, që pavetëdijshëm e kanë në dispozicion udhëheqjen e funksionimit të zemrës dhe procesit të tretjes.

E pikërisht kjo na lejon shumë qartë të kuptojmë se sa egoistë jemi – jo të gjithë, por shumica prej nesh.

Pse?

Sepse këto organe me funksionet e tyre fiziologjike i marrim seriozisht, i vlerësojmë dhe i respektojmë vetëm atëherë kur ritmi apo funksionaliteti i tyre del jashtë normales, pavarësisht shkakut apo natyrës së problemit.

Pra, rrahjet e zemrës i ndjejmë vetëm atëherë kur dashurohemi – dhe kur na dhemb.

Dhe pikërisht për këtë, unë këtë proces jetësor, me plot vetëdije e ndërgjegje, e krahasoj me sjelljet aktuale naive politike të disa personave të ashtuquajtur “liderë” të partive në vendlindjen tonë, Republikën e Kosovës – Dardaninë, ekskluzivisht me shkronjën RR, ashtu siç i takon etimologjikisht, Dardania – vend i daRRdhave, jo i daRdhave.

Një sjellje absurde e po aq primitive politike ndaj nesh të mërgatës (diasporës), term që vjen nga greqishtja e lashtë gjatë kohës së ekzilit të Babilonisë, kur shumë grupe të popullit hebre, pa dëshirën e tyre, ishin detyruar ta lëshonin vendlindjen dhe të shpërndaheshin në vende të ndryshme.

Dhe për t’i dhënë epitetin adekuat këtij opinioni tim, them se shumica e opozitës në ikje, pa pikë turpi dhe ndërgjegjeje, me kërkesa primitive, amatoreske dhe egoiste, po insiston të na konfiskojë të drejtën tonë shpirtërore si vendës, për një votim komod që do ta përkrahte vendlindjen ashtu siç i shkon për shtat.

Sa shumë keq më vjen… madje edhe ndërgjegjja më dhemb, njësoj si vendlindja ime, shteti ynë Kosovë–Dardania, kur opozita në vend se të merret me reforma të dobishme, të qëlluara dhe konstruktive për shtetformim, prej dekadash stagnon, duke vepruar vetëm me funksionimin e nervit të tyre simpatik (shumë të favorizuar prej tyre), që në çdo kohë i stimulon me distres – formën negative të stresit – dhe jo me eustres, formën pozitive dhe konstruktive të tij.

Të dyja këto të definuara nga biokimisti Hans Selye në vitin 1936.

Dhe si përmbledhje, theksoj se:

Po, është më se e vërtetë se ju (i drejtohem disa opozitarëve në ikje) na shikoni dhe na vlerësoni nga perspektiva e jashtme e rrahjeve të zemrave tuaja, të dirigjuara – siç e thashë më lart – nga simpatikusi.

Por mos harroni kurrë se pesha e gurit të vendlindjes sonë është gjithmonë në zemrën dhe shpirtin tonë.

Dhe sa herë që kthehemi në atdheun tonë, Kosovë–Dardani, me mall e dashuri e përqafojmë dhe puthim tokën e saj me të gjitha qelizat e qenies sonë.

Mos harroni kurrë se gjatë luftës së fundit në vendlindjen tonë, të shkaktuar nga fashistët serbë, kafshata jonë ka qenë e juaja!

Dhe është mëkat i madh që e ardhmja e shtetit tonë Kosovë–Dardani, në zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025 (një dëshirë e realizuar e armikut, e mbështetur nga opozitarët tanë famkeq), të votohet me simpati partiake e jo me vetëdije shtetërore – pra, për interesin e shtetit.

Për Kosovën tonë – Dardaninë, më tej në shtetformim.

Jo për partitë politike në ikje dhe drejt mos–ekzistimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat