Në Kosovë s’ka kufij të dhunës ndaj femrës

Opinione

Në Kosovë s’ka kufij të dhunës ndaj femrës

Nga: Dedë Preqi Më: 5 dhjetor 2025 Në ora: 15:20
Autori Dedë Preqi

Rasti i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, e cila u fye nga kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, me fjalët: “sikur del prej një shtëpie publike” dhe “unë i them Albin: lidhi këto kudra se boll është”, tregon shembullin më të keq dhe më të ulët të nivelit njerëzor në shoqërinë tonë.
Në këto rrethana, si mund ta pranojmë se këto janë fjalë të një komandanti të UÇK-së, apo të një kryetari komune në Drenicën martire, që i drejtohet në këtë formë fyese një femre shqiptare dhe një deputeteje të Kuvendit të Kosovës?

Nëse femrën tonë e paragjykojmë dhe e trajtojmë në këtë mënyrë, atëherë çfarë mund t’i themi të ardhmes së saj? Apo ta harrojmë të kaluarën e saj, kur shumë gra u maltretuan dhe u përdhunuan para familjeve të tyre e para fëmijëve të tyre nga okupatori serb?

Kemi mjaft përvoja të hidhura nga abuzimet ndaj femrës shqiptare dhe nga dhuna e ushtruar ndaj tyre gjatë luftës së fundit nga paramilitarët dhe ushtarët serbë. Por ajo që ndodh sot është absurde, sepse ndaj femrës shqiptare po bëhemi vetë autorë të dhunës dhe keqtrajtimit. Kjo është e ndjeshme dhe e dhimbshme për qenien tonë njerëzore dhe kombëtare.

Vendosja e kufijve të dhunës ndaj femrës shqiptare do ta ndihmonte atë dhe shoqërinë tonë të dilnin nga pasiguria dhe mbrapambetja shekullore. Nëse kësaj i shtojmë edhe abuzimet dhe keqtrajtimet e sotme, kjo nuk ka nevojë për koment.

Prandaj, civilizimi ynë duhet të arrijë ta kuptojë ndryshe jetën dhe pozitën e femrës në shoqërinë tonë, dhe jo t’ia mohojë as të drejtat elementare, duke e ofenduar me epitete të tilla që lidhen me shtëpi publike apo të ngjashme.

Deri kur femra jonë shqiptare do të mbetet viktimë dhe objekt shfrytëzimi të epsheve, që në një mënyrë biologjike e kanë edhe shtazët si qenie të paedukuara?

Dhuna ndaj femrës është bërë shprehi në vendin tonë, sikur nuk ka të ndalur, ku shumë gra dhe vajza vuajnë në heshtje dhe në gjendje të rëndë psikike, nga frika dhe mungesa e guximit për të shprehur dhimbjet që përjetojnë nga bashkëshortët, bashkëjetuesit dhe bashkëkombësit e tyre.

Dikush mund të thotë se është e pamundur të pengohen këta dhunues dhe keqtrajtues ndaj femrës, sepse sikur janë njerëz të paprekshëm, ashtu siç konsiderohet edhe Sami Lushtaku. Por me paralajmërimin dhe qartësimin e situatave të tilla, së paku kufijtë e këtij fenomeni të rëndë shoqëror mund të zvogëlohen dhe zbuten, në bazë të ligjit, kodit penal dhe moralit.

Ky nivel i ulët i shoqërisë sonë ndaj gruas, ndaj vajzave dhe nënave tona, paraqet një zhgënjim të thellë për t’u çliruar ndonjëherë nga e kaluara shekullore dhe mentaliteti i mbrapambetur, kur femra ka qenë tërë jetën e shtypur dhe e shfrytëzuar për epshe dhe për lindjen e fëmijëve.

Fyerjet, dhunimet dhe keqtrajtimet ndaj gruas janë ende të pranishme në mesin tonë; kjo është një veti parake, e cila shkon edhe përtej logjikës. Një përgjigje e thjeshtë do të ishte se kjo lidhet me kulturën dhe traditën tonë, jo sepse ato kanë trashëguar dhunë ndaj femrës shqiptare, por për shkak të huazimeve dhe mbeturinave të kulturave të huaja që kanë dominuar për shekuj në vendin tonë dhe kanë lënë pasojat e tyre.

Prandaj, pesha e kësaj barre bie para së gjithash mbi mungesën e fuqisë dhe zbatimit të ligjit për zgjidhjen e këtyre problemeve. Po të zbatoheshin procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke marrë parasysh paralajmërimet dhe rrethanat në organet kompetente, rastet e tilla do të ishin shumë më të pakta në shoqërinë tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat