Nuk ka shtet të fortë pa mbrojtje të fortë, e nuk ka mbrojtje të fortë pa pjesëtarë të kënaqur dhe të motivuar

Opinione

Nuk ka shtet të fortë pa mbrojtje të fortë, e nuk ka mbrojtje të fortë pa pjesëtarë të kënaqur dhe të motivuar

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj Më: 16 janar 2026 Në ora: 20:09
Prof. Dr. Muhamet Racaj

Ka fjali që duken si klishe, por që në realitet janë ligje të hekurt të shtetit dhe të sigurisë kombëtare. Njëra prej tyre është kjo: nuk ka shtet të fortë pa mbrojtje të fortë, e nuk ka mbrojtje të fortë pa pjesëtarë të kënaqur dhe të motivuar. Kushdo që ka veshur uniformën, kushdo që ka komanduar njerëz apo ka mbajtur përgjegjësi për rendin, sigurinë dhe sovranitetin e një vendi, e di se kjo nuk është retorikë politike, por realitet strategjik, i zhveshur nga propaganda.

Mos i nënçmoni dhe mos i nënvlerësoni pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë me standarde mizore jetese, sepse fatkeqësia e tyre është vetë profesioni i tyre: një profesion që kërkon sakrificë, disiplinë, rrezik dhe përkushtim të pakushtëzuar. Nëse nuk keni besim te vartësit tuaj, atëherë mos e kërkoni besnikërinë dhe lojalitetin e tyre në momentet kur do t’ju nevojiten më së shumti për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit.

"Në ditët kur miratohet Buxheti për vitin 2026 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pushteti na servir shifra “historike”, rritje “rekord” dhe suksese “strategjike” në sektorin e mbrojtjes"thekson ish ministrja e mbrojtjes PMV S.Petrovska. Por, paralelisht me këtë narrativë triumfaliste, sindikata reprezentative e Armatës del publikisht dhe deklaron se tash e dy vjet nuk ka pasur asnjë rritje të pagave për pjesëtarët e saj dhe se përgjigjja nga Ministria e Mbrojtjes ka qenë e prerë: nuk do të ketë rritje. Kjo kontradiktë e hapur ngre pyetjen thelbësore që pushteti mundohet ta shmangë: ●a është rritja e buxhetit reale apo thjesht fiktive, vetëm në letër?

●Nëse buxheti realisht rritet, atëherë është e pakuptimtë dhe e papranueshme që kjo rritje të mos reflektohet edhe në standardin jetësor të atyre që mbajnë armën, uniformën dhe betimin.
●Ushtria nuk është vetëm teknikë, pajisje dhe kontrata për modernizim.
Ushtria janë njerëz:
● oficerë,
●nënoficerë,
●ushtarë dhe
●civilë në mbrojtje, të cilët jetojnë në këtë shoqëri, përballen me inflacion, shpenzime të larta, pasiguri sociale dhe mungesë perspektive.

Nuk mund të kërkosh profesionalizëm të lartë, gatishmëri të përhershme dhe besnikëri absolute, ndërkohë që njerëzit ndihen të nënvlerësuar dhe të harruar. Motivimi nuk krijohet me deklarata për NATO-n, as me fotografi nga poligonet ushtarake. Motivimi krijohet me paga dinjitoze, trajtim të drejtë, siguri sociale dhe respekt institucional.
E njëjta logjikë vlen edhe për Policinë e Shtetit. Nuk ka rend publik të qëndrueshëm dhe nuk ka luftë efektive kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit pa policë të motivuar dhe të trajtuar me dinjitet. Policia është vija e parë e mbrojtjes së shtetit nga brenda, ashtu siç ushtria është mburoja e tij nga jashtë. Injorimi i standardit jetësor të policëve është po aq i rrezikshëm sa neglizhimi i ushtrisë.

Kur je në pushtet, nuk ke luksin e justifikimeve. Nuk mjafton të thuash “nuk ka mjete”, “nuk është momenti” apo “ka prioritete të tjera”. Siguria kombëtare nuk është sektor dytësor dhe as shpenzim i panevojshëm; ajo është investim jetik. Një ushtri dhe një polici e demotivuar nuk janë vetëm problem social, por rrezik serioz për stabilitetin, sigurinë dhe kredibilitetin e shtetit.

Për më tepër, mungon transparenca reale. Nëse buxheti po rritet, qytetarët dhe pjesëtarët e sektorit të sigurisë kanë të drejtë të dinë:
●ku po shkojnë paratë,
●çfarë modernizimi konkret po realizohet dhe
●a po rritet realisht aftësia mbrojtëse,
●apo thjesht po fryhen shpenzimet në statistika.

Dhe mbi të gjitha, pse kjo “rritje historike” nuk ndihet aspak nga ata që janë shtylla e Armatës dhe Policisë?

Përfundim

Një shtet serioz ndërtohet mbi respektin ndaj njerëzve që e mbrojnë atë. Armët, teknologjia dhe buxhetet janë të rëndësishme, por pa njeriun janë të pakuptimta. Ushtria dhe Policia nuk kërkojnë privilegje, por drejtësi, dinjitet dhe trajtim të ndershëm. Nëse duam vërtet një shtet të fortë, duhet të fillojmë nga themelet:

●nga paga,
●motivimi dhe respekti për ata që çdo ditë garantojnë sigurinë tonë.
Pa këtë, çdo buxhet “historik” mbetet vetëm një iluzion politik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat