Presidenti amerikan, Donald Trump, në stilin dhe cilësinë e liderit të superfuqisë kryesore të globit, në fjalimin ose ekspozenë e tij gjatë ditës së djeshme në Forumin e Madh Ekonomik në Davos të Zvicrës, audiencës së lartë botërore ua tha edhe këto fjalë: “Po të mos kishin qenë amerikanët gjatë të dyja luftërave të mëdha botërore, e sidomos në Luftën e Dytë Botërore, Evropa dhe një pjesë e madhe e Azisë (duke aluduar kryesisht në Kinën) sot do të flisnin gjermanisht dhe japonisht.”
“Unë e dua dhe e çmoj shumë Evropën dhe vlerat e larta të kulturës dhe civilizimit evropian, sepse edhe vetë kam origjinë evropiane. Nga e ëma jam skocez (britanik) dhe nga i ati jam qind për qind gjerman”, nënvizoi në vazhdim z. Trump.
Gjermania sot, menjëherë pas SHBA-së dhe Japonisë, është ekonomia, industria dhe teknologjia e tretë e globit.
Gjermania, së këndejmi, është prodhuesi i dytë më i madh në botë, me mbi 800.000 të punësuar (punëtorë, ekspertë, inxhinierë, sipërmarrës dhe prodhues të specializuar) në industrinë dhe teknologjinë e lartë automobilistike.
Ndërkaq, kompanitë dhe korporatat e fuqishme multinacionale të Gjermanisë si Daimler Chrysler, BMW, Mercedes-Benz, Bosch, BASF, Bayer, Siemens, Krupp Stahl etj., janë të pranishme dhe të respektuara në të gjitha tregjet dhe meridianët e globit.
Së këndejmi, vetëm nga viti 1994 deri në vitin 2004, financimet dhe investimet e jashtme të firmave, koncerneve, sipërmarrjeve ose kompanive më të fuqishme të financave ose kapitalit botëror në Gjermani, e tejkaluan shifrën rekorde prej 450 miliardë eurosh ose dollarësh amerikanë.
Përderisa, gjatë viteve 2020–2021, gjermanët i shtuan kursimet e tyre në mbi 8 miliardë dollarë.
Vetëm gjatë vitit 2024, brutoprodhimi i përgjithshëm industrial dhe ekonomik i Gjermanisë e tejkalonte shifrën rekorde ose astronomike prej 1.3 trilionë eurosh.
Në saje të aksesit të saj robust, korpulent dhe komprehensiv në tregjet e investimeve, financave dhe kapitalit botëror (lexo: Access comprehensive financial data with unmatched coverage and precision: Trusted by the world's leading leadership in financial and industrial institutions), Gjermania gjithashtu është e njohur për prodhimin e energjisë gjeotermale, në industrinë kimike dhe farmaceutike, në industrinë (teknologjinë) elektronike dhe kompjuteristike, precize, solare etj.
Me fjalë të tjera, Gjermania është lokomotiva kryesore e BE-së dhe fuqia kryesore e Evropës.
Ndërkohë që çdo i katërti shtetas ose qytetar amerikan ka origjinë gjermane. E thënë ndryshe: në SHBA jetojnë mbi 85 milionë njerëz ose qytetarë amerikanë me gjene ose origjinë gjermane.
Vërtet është për t’u përshëndetur dhe admiruar ftesa (oferta) e Presidentit Trump për Presidenten Osmani të Kosovës dhe Kryeministrin Rama të Shqipërisë në tryezën (sofrën) globale të paqes dhe sigurisë botërore. Respekt.
Askush nuk është kundër aspiratave dhe interesave të larta shtetërore, nacionale, politike, strategjike, gjeopolitike dhe të tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Dhe, aq më pak kundër fjalës së lirë mediatike, gazetareske ose publicistike.
Por, duke iu referuar etimologjisë dhe infografisë së përgjithshme të tërë asaj që shkruhet dhe thuhet, spekulohet dhe manipulohet vazhdimisht në disa media të shkruara dhe elektronike në Kosovë dhe Shqipëri, mediosfera e përgjithshme shqiptaro-kosovare sikur ka rënë ose ka kaluar komplet nën lupën e një censure, mediokracie apo fetishizmi të papërmbajtur, iracional, joprofesional dhe ekstremist, si në kohën e pushteteve (regjimeve) të dikurshme autoritare, totalitariste, borgjeze, skllavopronare, kullake dhe feudalisto-latifundiste, duke i përhapur dhe propaganduar vazhdimisht “të vërtetën” dhe “lavdinë e madhe” të liderëve-shtet, partive-shtet dhe shteteve-parti.
Nuk e kam fjalën këtu për Pol Potin dhe Kmerët e Kuq, por për pushtete pluraliste dhe demokratike.
Mediokracia është shkalla e parë e instalimit të idiokracisë, nebulozës, narkolepsisë dhe anarkisë totale ose absolute.
Çdo njeri i kulturuar dhe racional e di fort mirë strukturën ose substancën e politikës dhe politikëbërjes shqiptare, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.
Ndaj, edhe ftesën ose ofertën dashamirëse dhe shumë inkurajuese të Presidentit amerikan drejtuar dy liderëve shqiptarë, më tepër duhet kuptuar në prizmin e përkujdesjes ose kujdestarisë së njohur amerikane (e besa madje edhe gjermane, britanike ose anglosaksone) për shqiptarët, sesa si ndonjë vlerë, meritë ose rëndësi të veçantë që kanë Kosova dhe Shqipëria në masivin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kështu që, përderisa Albin Kurti dhe pushteti i tij në Prishtinë i kanë tubuar dhe mobilizuar rreth vetes dhe kauzës së tyre shtresat ose kategoritë më të dëshpëruara dhe zhgënjyera me qeveritë ose pushtetet pararendëse, Edvin (Edi) Rama, ndërkaq, për shumëçka ose për gjithçka, ia vlen të krahasohet me monarkun ose perandorin autokrat dhe absolutist në Francë, Luigjin XVI, i cili së bashku me gruan ose bashkëshorten e tij supersticioze, megalomane, egomane, egopatike dhe ekstravagante, Marie Antoinette, të quajtur dikur më vonë si “Madame Deficit”, e çuan Francën e asokohe në krizë dhe recesion të përgjithshëm, gjegjësisht buzë kolapsit, bankrotit ose falimentimit total.
Si pasojë e revoltës dhe dëshpërimit të përgjithshëm të popullsisë ose qytetarëve të Parisit dhe të gjithë Francës me politikat, ekstravagancën dhe luksin e tepruar të Luigjit XVI, Marie Antoinette-s, Bernard René Jourdan de Launay-t, Zhan Zhak Necker-it, Tuileries etj., më 14 korrik të vitit 1789 ndodhi sulmi, rrethimi, pushtimi dhe shembja e përgjithshme dhe përfundimtare e kështjellës së njohur të Bastiljës, të ngritur dhe ndërtuar në vitin e largët 1357 si kështjellë ose fortifikatë mbrojtëse nga sulmet ose invazionet e vazhdueshme të trupave angleze gjatë luftës së gjatë (njëqindvjeçare) ndërmjet Anglisë dhe Francës.
Porta kryesore e Bastiljës quhej “Port Saint-Antoine”, prej nga trupat kryengritëse depërtuan brenda në kështjellë, duke ua prerë kokat dhe duke lënë të vrarë de Launay-n, Tuileries-in dhe ushtarët ose gardianët e tyre.
Kështu asokohe ra Bastilja dhe… dikur më vonë edhe Versaja dhe Saint-Germain.
Edhe Luigji XVI dhe Marie Antoinette përfunduan me prerje koke nën gijotinë.
Thuhet se dikush asokohe, pos çelësave të Bastiljës (Markiz de Lafayette), deshi t’ua çonte George Washington-it dhe bashkëpunëtorëve të tij në Washington ose New York edhe kokat e prera të Luigjit XVI dhe Marie Antoinette-s si “trofe lufte” ose revolucioni.
Hëm…
Nganjëherë sikur krijohet përshtypja që pushtetet (regjimet) autoritare dhe totalitariste të Edvin Ramës dhe Albin Kurtit i ngjajnë një mikrokosmosi ose piramide monarkisto-absolutiste, në të cilën i pari është mbreti (monarku), sundimtari ose faraoni absolut i tokës, detit, diellit, qiellit dhe nënqiellit të përgjithshëm shqiptar (“L’État c’est moi”), dhe pas tyre janë të bindurit, të nënshtruarit, kamarilat dhe vasalët e tyre.
Përballë tyre, ndërkaq, ndodhet i ashtuquajturi “pushteti moral” i opozitës shqiptare ose kosovare në Prishtinë dhe Tiranë, i cili i ngjan një jete dhe karriere të mundimshme morale, politike, liberale, demokratike ose makiaveliste, të ndodhur diku në mes “lirisë së rrezikuar dhe robërisë së qetë”, për të mos thënë këtu në mes krimit, dënimit, mashtrimit dhe fasadës.
Ç’është e vërteta, as opozita e Prishtinës dhe aq më pak ajo e Tiranës nuk kanë, si të thuash, një agjendë ose plan B se si të dilet nga situata konfuze dhe kaotike. Sikur nuk kanë madje as besim dhe kredibilitet.
Atje ka vetëm luftëra fjalësh të kota ose fare boshe në kuptimin e asgjësë për asgjë.
Kështu që të dyja palët vazhdojnë të luajnë “mjeshtërisht” rolin e kuajve trojanë dhe marionetave të ndryshme të oligarkisë dhe masonerisë botërore, në kuadër të shtetit të thellë – dubioz.
Lufta e njohur brenda llojit vazhdon deri në pakufi, apo deri në infinit, si në ato dy linja të thella paralele në “postulatin e pestë” të Euklidit që nuk puqen dhe nuk bashkohen kurrë, përveç në pafundësi.
Ç’është edhe më keq, si zyrtarët më të lartë të Tiranës, ashtu edhe homologët e tyre në Prishtinë, ftesat e larta të liderëve botërorë si Presidenti Trump i keqpërdorin dhe i keqinterpretojnë vazhdimisht si fitore të kampit (bllokut) të tyre partiak, pushtetmbajtës dhe politik, për të vazhduar kështu (deri në pafundësi) me manipulimin e masave ose shtresave të gjera shoqërore ose qytetare.
Ndonëse, z. Rama është vënë, si të thuash, edhe në pozitën e kalorësit ose gardianit të znj. Belinda Balluku, përderisa dr. Berisha është ithtar i asaj që znj. Balluku dhe çdo ministër ose udhëheqës tjetër dikasterial, institucional dhe funksional që kanë çuar, sipas tij, Shqipërinë dhe shqiptarët në krizë të madhe politike, sociale, financiare dhe ekonomike, të vihen para ligjit dhe drejtësisë.
U mor vesh se as Sali Berisha (përveç Edi Ramës) nuk mund të mburret dhe lavdërohet aq shumë për duart e pastra të disa ish-bashkëpunëtorëve, funksionarëve dhe titullarëve në kohën e pushtetit të tij.
Edhe në kohën e Berishës kishte krim të organizuar, korrupsion, abuzime dhe keqpërdorime të ndryshme me pronën dhe pasurinë shoqërore, private ose publike.
Por ja që Edvin Rama, i njoftuar dhe sensibilizuar paraprakisht mbi fundin ose fundosjen e tij, ka zgjedhur dhe preferuar pozitën ose statusin e pengut, kalorësit ose gardianit të ministres së tij, znj. Balluku, me shpresë se kjo e fundit, së bashku me pjesëtarët e tjerë të gjinisë së bukur ose “polit të butë”, nesër ose pasnesër do ta mbrojnë dhe shpëtojnë z. Rama nga gijotina.
“Shumë prej tyre janë kokëfortë, të verbër dhe tepër fanatikë në kërkimin e rrugës së profesionit dhe karrierës që kanë zgjedhur, ndërkaq shumë pak prej tyre janë në kërkim, studim dhe analizë të qëllimit, misionit, interesit dhe idealeve të larta individuale dhe kolektive”, do të thoshte dikur një mendimtar i madh i kalibrit botëror.
“Në luftë dhe politikë, nuk ka fakte, dashuri dhe miqësi të sinqerta, por vetëm frikë, interes dhe interpretime të ndryshme. Ndaj, nëse faktet dhe realiteti praktik dhe teorik nuk përputhen me idetë, teoritë dhe interesat e përgjithshme, atëherë ndryshoni faktet dhe interpretimet tuaja.” (Friedrich Nietzsche)
Në instancë të fundit, sipas Makiavelit, vlera dhe sekreti i artit të luftës, politikës dhe diplomacisë është ai kur dini t’i ruani (mbroni) dhe afirmoni interesat e secilës palë, së bashku me ruajtjen e fshehtësive – sekreteve të larta.
Aristoteli i Madh njëherë tha: “Së pari duhet të kemi një qëllim, ideal dhe objektiv të qartë; së dyti, duhet gjetur mjetet për t’i arritur qëllimet që i justifikojnë mjetet; dhe së treti, duhet përputhur mjetet me qëllimet.” (Fund i citatit.)
Të flasim, reagojmë dhe kundërshtojmë njëri-tjetrin kemi të drejtë gjithmonë, ndërkaq të hakmerremi, veprojmë dhe reagojmë kundër njëri-tjetrit, gjegjësisht kundër interesave më të larta të kombit dhe atdheut, nuk kemi të drejtë kurrë dhe asnjëherë. Pikë.
Një digresion:
Talësi dikur (në Antikë) nuk shihte asgjë të gabuar në rrudhat në ballë, apo në hijet e thella kolosale dhe titanike të një heroi lufte, strategu ose komandanti. Sipas tij (Talësit), ato janë simbol, sinonim dhe arketip sublim dhe relevant i heroizmit dhe sakrificës epike dhe kalorësiake.
Në kuptimin e asaj se nata për trimin, heroin, të mençurin dhe të përkushtuarin është një ditë më herët, ndërsa dita një natë më pak: strategët dhe komandantët e njohur të UÇK-së, së bashku me forcat e NATO-s, e bënë, e zhvilluan dhe e fituan luftën e tyre çlirimtare dhe heroike kundër Serbisë.
Kjo do të thotë, përveç të tjerash, se një ditë e keqe për epshet, instinktet, emocionet dhe ambiciet e sëmura luftarake ose ushtarake të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve, gjithmonë është një ditë e mirë për Kosovën dhe aleatët e saj natyrorë dhe historikë.
Në fund të fundit, tigrat dhe luanët e vërtetë dalin thjesht për të gjuajtur, si dhe për të zënë (kapur) dhe për të ngrënë prenë ose trofeun e tyre.
Në fund:
Një gojë e mbyllur dhe e pafjalë, një zemër dhe shpirt i pastër dhe një mendje e ndritur, nuk kanë, si të thuash, asnjëherë miza, mikrobe ose baktere helmuese në brendinë e tyre.
Në të kundërtën, pesha, rëndësia, përvoja dhe aftësia e shquarjes, valorizimit, himnizimit ose glorifikimit të politikanëve dhe politikave të ndryshme ditore ose periodike nuk kanë vend dhe kuptim të mjaftueshëm shkencor dhe humanist për shkencat politike ose politologjike. Dhe aq më pak “krimi dhe dënimi” i determinuar, insubordinuar, justifikuar, paraqitur ose prezantuar si proces normal i konsolidimit të gjithëmbarshëm dhe tranzicionit.
Përballë tyre ekzistojnë studimet, analizat dhe këndvështrimet e njohura juridiko-politologjike, së bashku me kohën dhe hapësirën e shfaqjes dhe manifestimit të tyre, aktorët ose autorët e tyre, çështjet dhe aspektet e faljes, pajtimit, abolimit, ndëshkimit, abrogimit etj.
Hipotezat, prognozat, idetë dhe teoritë e vërtetuara ose konfirmuara në shkencat politike quhen ligje, ndërsa idetë, supozimet, parashikimet ose hipotezat e pavërtetuara ose të pakonfirmuara quhen imagjinatë dhe fantazi.
Në politikën dhe diplomacinë moderne ose bashkëkohore, mbi të gjitha kanë peshë dhe rëndësi të madhe stili dhe metodat e njohura supervizive të dialogut ose komunikimit verbal dhe joverbal (lexo: Communication Aspects of New Public Policy and Diplomacy), etj.
E sidomos aftësia, përvoja dhe tradita e preferuar politike dhe diplomatike.
Nuk dua të flas ose shkruaj këtu mbi skribomaninë, grafomaninë, egomaninë, egopatinë, nebulozën, stupiditetin, inferioritetin, maliciozitetin, demagogjinë, dogmatizmin, nihilizmin, mediokritetin, idiopatinë, narkolepsinë, melankolinë etj.
Kaq.
ASh