Respiracion i partive politike dhe jo vetem duhet të jenë rregullat dhe ligji

Opinione

Respiracion i partive politike dhe jo vetem duhet të jenë rregullat dhe ligji

Nga: Sabahate Byci Më: 27 janar 2026 Në ora: 08:32
Autorja Sabahate Byci

Rregulli dhe ligji gjithnjë në tandem (tandem = kur dy ose më shumë komponente formojnë një ekip, prej të cilit kërkohet të jetë i pranishëm gjatë një rasti specifik dhe të paracaktuar!) duhet të jenë faktorët kryesorë të politikave të çdo shteti, i cili në mënyrë permanente në fokus e ka piedestalin e sigurisë ekonomike, po ashtu edhe atë sociale e politike, vetëm me qëllim që të ecë sa më mirë që është e mundur përpara, respektivisht drejt një drejtimi të zhvillimit ideal të mirëqenies së popullit në të gjitha aspektet e jetës.

Enkas duke u nisur nga ky fakt, si rregulli po ashtu edhe ligji, që të dy janë përbërësit primarë dhe njëkohësisht elementet kryesore të “boshtit kurrizor” të anatomisë juridike kushtetuese të një shteti.

Janë sikurse likuori (liquor = lëngu i trupit që e rrethon sistemin nervor qendror – trurin dhe palcën kurrizore).

Andaj (sipas mendimit tim), secili propozim deklarativ lateral politik që për qëllim e ka “përfitimin” partiak e jo shtetëror, si dhe që është kontravers dhe konfrontues ndaj qëndrimeve e vendimeve të një shteti, kudo pa marrë parasysh se cili shtet në botë qoftë ai, një propozim i tillë deklarativ kundër presidencës apo qeverisë në funksion, pavarësisht kohërave në fjalë, në një masë të paparë ia zbeh rolin, pozitën dhe respektin nivelit politik shtetëror, si brenda shtetit vetanak, ashtu edhe jashtë tij.

E kur autoriteti politik partiak i partive që vite me radhë e kanë pasur pushtetin “në dorën e tyre”, me ndërrimin e kohës, momenti i radhës për vazhdim u ka dalë “nga dora”, për shkak se vetë shumica e sovranit me votën e vet e ka shfaqur dhe shprehur vullnetin e tij, sipas dëshirës së garantuar nga vetë demokracia, atëherë çdo propozim i partive në fjalë, të kohërave të shkuara, që veçse e kanë pasur “forcën” dhe të drejtën për ta bërë ndryshimin në realizim – por të njëjtin, në një formë somnolente, në kohën e duhur e kanë injoruar apo edhe anashkaluar (ose fare nuk iu ka interesuar), për të marrë iniciativa për ndryshim – tani më duket fatale që të njëjtin, në format më brutale psikologjike dhe fizike, strikt po tentojnë që shtetit të vet, me sjellje absurde e të papranueshme, t’ia “shembin” themelet, në vend se me maturi të kërkojnë bashkëpunim me kompromise e ndërmjetësime (mediacion = ndërmjetësim!) bilaterale e, po qe nevoja, edhe multilaterale (me ndërmjetësues të huaj), duke u nisur nga fakti se:

– “Ne më shumë i duam (dhe i dëgjojmë) të huajt se tonët.”

Andaj, në mënyrë eksplicite i lutem Zotit për spektrin e gjerë politik shqiptar dhe jo vetëm – që jo me shkatërrim, por me bashkëpunim, posaçërisht pa humbje jetësh njerëzish, të gjejnë kompromise për çdo ndryshim.

Sepse të veprohet siç thotë fjala e urtë popullore:

– “Kur më shkuan dhentë, më erdhën mendtë!”

Kjo formë e veprimit, nëse me gjithçka ka të bëjë, asesi nuk ka të bëjë me atë që, në emër të çdo ndryshimi, të veprohet me shkatërrim.

Sepse tani për tani, çdo kërkim apo propozim duhet të jetë shumë i mirë menduar dhe politikisht kurrsesi nuk duhet të jetë brutal lateral, me kritika të tilla që në sytë e botës ia humbasin shtetit shkëlqimin, duke dëmtuar njëkohësisht instrumentin matës tejet të rëndësishëm për kompetencat e inventarit të aftësive politike, i cili bazohet në katër faktorë:

Aftësitë sociale,

Ndikimet ndërnjerëzore,

Aftësitë e lidhshmërisë zinxhirore, si dhe

Sinqeriteti transparent – i dukshëm.

Kjo ia ruan rëndësinë dhe vlerën shtetit, duke i treguar çdokujt se shteti është pasuria më e shtrenjtë e çdo populli, i cili, pa dallime partiake, politike, fetare, etnike, gjinore, e përmbi të gjitha pa ego dhe urrejtje ndërnjerëzore – posaçërisht ato ndërfamiljare (duke u nisur nga fakti se gjak s’të bëhet askush) – është vetë areali ku çdokujt i kanë gjetur strehë rrahjet e zemrës, që nuk është tjetër veçse vendi që secili prej nesh e quan VENDLINDJE.

Sepse, siç thotë Johann Wolfgang von Goethe:

– “E gjithë bota është shtëpi, nëse jeton në zemrën tënde.”

Prandaj, është mëkat shumë i madh që me metoda vandale, vetëm për shkak të mospajtimeve me politikat ditore ndërpartiake kundër pushteteve në funksion, në shumicën e shteteve botërisht të shkaktohen humbje dhe shkatërrime të papara, fatkeqësisht subjektive dhe objektive.

Sepse, njëlloj sikurse dhimbja e njerëzimit është aq e madhe, aq e madhe duhet të jetë edhe dhimbja ndaj rruzullit tokësor, e shkaktuar nga vetë njerëzimi – DHIMBJA E SHKATËRRIMIT!

Zoti e bekoftë Shtetin tonë, Kosovë Dardaninë!

Sabahate Byci

Autore

26.01.2026, e hënë, 17:22

Gjermani

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat