Kush e ka luksin dhe guximin të veprojë kundër interesave shtetërore e amerikane dhe vendimit eksplicit të Presidentit Donald Trump?

Opinione

Kush e ka luksin dhe guximin të veprojë kundër interesave shtetërore e amerikane dhe vendimit eksplicit të Presidentit Donald Trump?

Nga: Hafiz Shala, New York Më: 27 janar 2026 Në ora: 15:46
Autori Hafiz Shala anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe autor i 5 librave kushtuar Kosovës

Thirrja për mosvotimin e Vjosa Osmanit për presidente është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Donald Trump e vendosi emrin e Presidentes Vjosa Osmani për anëtare të Bordit të Paqes dhe, asesi, nuk do të pranojë një emër tjetër. Vetëm po koriteni, sepse me kor jeni pajtuar, por do ta votoni, do ta votoni dhe do ta brohorisni. Sepse ky edhe do të jetë fundi juaj pas veprimeve hajduto-kriminale me dekada, të cilat do të zbulohen edhe me ndihmën e organeve të hetuesisë të kësaj fuqie edhe në aspektin e drejtësisë, që nënkupton se do të qëndroni në Kuvend duke ia mundësuar zgjedhjen për presidente, përndryshe i bie se do ta nënshkruani kapitullimin individual dhe partiak.

Po harroni se 25 vjet jeni fshehur pas parullave demagogjike: “jemi me SHBA-të”, e tani po del e vërteta se me këtë slogan opozita i ka fshehur me mijëra faqe të zeza. Përmes këtyre sloganeve i keni vënë në lajthitje popullin dardan dhe Amerikën (ashtu keni menduar ju, sepse ajo i ka pasur të gjitha informatat), duke mashtruar popullin se po punoni për interesa të shtetit, ndërsa në fakt iu keni dorëzuar Serbisë, e cila ua ka mundësuar që, me njerëzit e saj që kanë bërë krime në Dardani, të pasuroheni, duke i harruar edhe ato: falje territoresh dhe tentim ndryshimi kufijsh përmes ndonjë demarkacioni të imagjinuar eventual, i cili do të ndodhte me pajtimin e partive të atëhershme të koalicionit opozitar, ku veriu i Dardanisë dhe 17 fshatra, “dhuratë e Rankoviqit”, do t’i faleshin Serbisë në këmbim me disa fshatra të Medvegjës. Mashtrim dhe tradhti.

Më 20 shtator 2020, në Uashington DC, në momentin e fundit u shpëtua ndarja e pjesës veriore, me ndërprerjen e udhëtimit të Thaçit për Uashington për të marrë pjesë në këtë ceremoni të ndarjes, që u pa duke i shtrirë hartat në tavolinë për t’i caktuar detajet se cilat pjesë duhet t’i bashkëngjiten Serbisë, gjë që e vërtetoi edhe këshilltari i Presidentit Trump, John Bolton.

Kush ishte në pushtet gjatë këtyre akteve tradhtie ndaj Dardanisë dhe në favor të Serbisë, pasi e kishit pranuar statusin e të shantazhuarit, sepse Serbia kishte të dhëna për krimet ndaj shqiptarëve, pasi gjatë sundimit serb, në shërbimin e punëve të brendshme, kishte shqiptarë të cilët pastaj u bënë vegël e sigurt në rolin e shërbëtorit-spiunit, numri i të cilëve ishte dhe është marramendës.

Me ardhjen në pushtet të binomit udhëheqës të Dardanisë, Kurti–Osmani, kjo e fundit e mbështetur nga Amerika, nënkupton se duhet patjetër t’i vazhdohet mandati në interes të përkrahjes dhe ndihmave të cilat do të pasojnë në të gjitha aspektet: politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Shtohet pyetja e thjeshtë se duhet të jesh i çmendur mos ta shfrytëzosh këtë rast, i cili vetëm një herë të vjen në derë. Dardania do të forcohet si shtet i cili, pa hezitim, do ta përdorë fuqinë e institucioneve relevante shtetërore në interes të shtetit dhe qytetarit rreth zbatimit të ligjit dhe pastrimeve nga të gjitha këto dukuri që i ceka në brendësi të këtij shkrimi, që në historinë e Dardanisë deri më tani nuk kanë ndodhur.

Tani kjo do të ndodhë sepse në krye të shtetit do të qëndrojnë dy udhëheqës të pastër, të aftë, të dijshëm, të guximshëm, dhe mbi të gjitha të respektuar nga populli dhe faktori ndërkombëtar, mu për këto arsye. Këta të dy udhëheqës nuk e kanë fijen e frikës se dikush ua drejton gishtin për bëmat, sikur atyre që i ka bërë opozita në pushtet në koalicion ndërmjet vete për më tepër se 20 vjet.

Opozita, e gjendur në këtë gjendje pa rrugëdalje për veprat e tyre hajduto-kriminale-tradhtare dhe problemet e tyre brendapartiake, po mundohet t’i rezistojë kërkesës amerikane për votimin e Presidentes, që njëherit është votim për anëtare të Bordit të Paqes, duke organizuar kundërshtime që janë në dëm të shtetit dhe qytetarit, sepse janë të vetëdijshëm se vendimet, si ajo që është kryesorja, nuk po u mund ta pranojnë se pasuria e vjedhur nga populli, nën udhëheqjen e kësaj dysheje historike fenomenale – Kryeministri Albin Kurti në Ekzekutiv dhe Presidentja Vjosa Osmani në krye të shtetit dhe e thirrur për diplomacinë zyrtare në emër të Dardanisë – do të na renditin në rrethin e shteteve më të respektuara, me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ishte rasti i ftesës në Bordin e Paqes të themeluar nga SHBA-të me në krye Presidentin Donald Trump. Amerika dhe Evropa, sipas informatave zyrtare, Dardaninë e rendisin në krye në luftimin e krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë, si dhe në siguri.

Prandaj, përzgjedhja e këtij binomi do të jetë në favor të shtetit, pos tjerash dhe më e rëndësishmja, pranimi në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare me ndihmën e Amerikës, siç është anëtarësimi në Organizatën Veriatlantike Ushtarake – NATO, që nënkupton nën ombrellën e sigurisë së fuqishme të sovranitetit dhe tërësisë territoriale.

Si mund t’i rezistohet këtij rasti të fuqishëm historik për herë të parë, ku meritat i atribuohen Presidentes Vjosa Osmani, mu ashtu sikur edhe çlirimi definitiv i Mitrovicës, që i atribuohet Kryeministrit Albin Kurti?

Populli është në anën e këtyre dy udhëheqësve historikë, të cilët e vërtetuan me vullnetin dhe votën e tyre në formë plebishiti.

Rasti i djeshëm në Mitrovicë, duke u djegur bageri i cili rrënonte objektin pa leje ndërtimi, është sinjal se në çfarë rezistence do të hasin organet shtetërore kur të fillojë zbatimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Jashtëligjshme.

Gjithashtu, veprimi i Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci, njëkohësisht tregon vendosmërinë e udhëheqësve të pastër se nuk do të hezitojnë t’i zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Hafiz Shala

New York

26 janar 2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat