“Skandal” apo skandal i krerëve të shtetit shqiptar ndaj gjuhës shqipe!

Opinione

“Skandal” apo skandal i krerëve të shtetit shqiptar ndaj gjuhës shqipe!

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 1 mars 2026 Në ora: 19:08
Xhavit Kryeziu

Shumëkush me të drejtë e quajti “skandal” veprimin e presidentit Shqiptar, Bajram Begaj, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup, përdori kufjet e përkthimit gjatë pyetjes që ia bënte në gjuhën shqipe një gazetar shqiptar i Televizionit Alsat! (shih videon në linkun: https://www.youtube.com/shorts/drEfI-5LywM

Përse ky veprim i presidentit Begaj?! E kupton apo nuk e kupton ai gjuhën e vëllezërve tanë nga Maqedonia e Veriut?! Ose, e di apo nuk e di fare Presidenti Begaj se Shqiptarët e RMV-së flasin shqip, njësoj si të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Greqisë, Malit të Zi, Luginë së Preshevës, e kudo tjetër ku jetojnë ata. Presidenti Begaj nuk kishte nevojë t’i mbante kufjet në vesh, por do të duhej të gëzohej që një gazetar "i huaj" i bënte pyetje në gjuhën e tij Shqipe!

Është ky “skandal” apo skandal?!

Unë e kujtoj vitin 2013, atëherë kur Arben Imami ishte ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, i cili gjatë pritjes në Tiranë, i fliste në anglisht ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, shqiptarit Talat Xhaferi! Ndërkaq, që të ndodhë mrekullia, ministri “maqedonas” (Talat Xhaferi) ia kthen dhe i flet në shqip ministrit “shqiptar” (Arben Imami)! (shih videon në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=Mc6bEkQ_nsA

Tani, duke marrë shkak nga këto dy raste, pyes: vallë, a janë këto “skandale” apo skandale të krerëve të shtetit Shqiptar? Përse ata i frikësohen gjuhës së tyre Shqipe? Nëse po, prej kujt nuk guxojnë të flasin shqip me Shqiptarët jashtë Shqipërisë?

Derisa të jetë kështu, për çfarë mbështetje nga shteti Shqiptar do të mund të presin vëllezërit tanë Shqiptarë në RMV, sidomos tani kur krerët antishqiptarë të Maqedonisë së Veriut janë bërë tok së bashku për ta hequr nga përdorimi zyrtar gjuhën Shqipe edhe në ato raste ku sllavomaqedonasit kanë pranuar vetë?! Ku e pati gojën Presidenti Begaj që nuk i tha asnjë fjalë të vetme homologes së tij, Dapkova, rreth çështjes së zyrtarizmit të gjuhës Shqipe në RMV?!

Jo, ore jo! Krerët e shtetit Shqiptar, të të gjitha partive politike, pa asnjë dallim të vogël, duket se janë të impenjuar “në ruajtjen e paqes në Iliridë (Ballkan)”, gjithnjë në kurriz të Shqiptarëve, e jo në barazinë e e meritueshme të Shqiptarëve me popujt tjerë. Ata kanë mundur t’ua plotësojnë kërkesën një grushti të vogël sllavomaqedonasish në Shqipëri, të cilët kërkuan (dhe Shqipëria pranoi) që qytetin e Liqenasit ta emërtojnë nga gjuha Shqipe në gjuhën e tyre, Pustec! Unë nuk e kam të qartë nëse krerët e shtetit Shqiptar nuk guxojnë apo nuk duan t’i prishin “miqësitë” e tyre me të tjerët për hir të Shqiptarëve!

Më e pakta që Presidenti Begaj ka mundur t’i kërkonte presidentes së RMV-së, sikur do t'i kishte kërkuar Presidentes sllavomaqedonase, Dapkova, zbatimin e kushtetutshmërisë në vendin e saj, lidhur me të drejtën legjitime të Shqiptarëve të atjeshëm autoktonë për përdorimin zyrtar të gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut.

A do vijë ndonjëherë dita kur shteti Shqiptar do ta zbatojë Kushtetutën e vet për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, ashtu siç parashikon neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë?

Me të tillë si sot - kurrë; me të tjerë - ndoshta!!!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat