Shteti ynë, bukuroshja ime Kosovë Dardani, Zoti të ndihmoftë!

Opinione

Shteti ynë, bukuroshja ime Kosovë Dardani, Zoti të ndihmoftë!

Nga: Sabahate Byci Më: 6 mars 2026 Në ora: 12:31
Autorja Sabahate Byci

Kur njeriu nuk di se çfarë do, ai automatikisht justifikohet me një gjendje të pasigurisë së thellë, me frikë nga angazhimi, si dhe tregon vetëvlerësim të ulët personal, mungesë disponimi emocional, po ashtu edhe ambivalencë, e cila njëkohësisht tregon një dyfytyrësi kontradiktore.

Një politikë ideale, e shëndoshë dhe e mirë, në të gjitha aspektet e jetës, e posaçërisht në atë të nivelit shtetëror, nacional dhe internacional, karakterizohet nga një kombinim i kompetencës, integritetit etik dhe aftësive ndërpersonale për t’i zgjidhur problemet e një shoqërie.

Karakteristikat kryesore të një politikani apo politikaneje të mirë janë:

Integriteti dhe ndershmëria, të cilat me sinqeritet, transparencë dhe përpikëri të vazhdueshme, si dhe me aplikim permanent të drejtësisë dhe të vërtetës, e ndërtojnë dhe e forcojnë besimin e popullit.

Aftësia e komunikimit, posaçërisht e çështjeve tepër komplekse, në mënyrë që edhe njeriu më i thjeshtë, i cili nuk merret fare me politikë, të kuptojë se për çfarë po bëhet fjalë.

Dhe karakteristika më me vlerë është besueshmëria ndaj sovranit, i cili ia ka besuar të ardhmen e vet personit politik pothuajse me gjithë shpirt e zemër, në emër të përparimit dhe zhvillimit të atdheut. Me ç’rast, personi i zgjedhur politik duhet të ketë një vizion të qartë për të ardhmen dhe aftësinë për ta zbatuar atë.

Po ashtu, kompetenca sociale, e cila e ka parasysh mirëkuptimin e shoqërisë, të kulturës së saj, si dhe, enkas, empatinë për kuptimin e nevojave të popullsisë pa dallim.

Pa mëdyshje vlen të theksohen aftësitë e lidershipit, i cili në vend të ndarjes duhet, me një përgjegjësi të madhe, të promovojë dhe të lobojë për bashkim. Ç’është më e rëndësishmja, gjithmonë dhe në çdo kohë duhet ta marrë përgjegjësinë, duke dhënë kontributin maksimal për BASHKIMIN E POPULLSISË E JO PËR NDARJE në baza partiake, duke krijuar destabilizim dhe përçarje ndërnjerëzore me retorika brutale e belbëzuese, duke shkelur mbi vlerat e luftës së viteve të nëntëdhjeta në vendlindjen tonë.

E mjerë qoftë gjithmonë vetëm për politikanët (luftëtarët?!) dhe për të gjithë ata që i kanë harruar të gjitha vuajtjet e popullit tonë shqiptar.

SHTETI IM, KOSOVË DARDANI, TË PRIFTË E MARA, EDHE ZOTI GJITHMONË TË BEKOFT! 🙏

Sabahate Byci – Autore
05.03.2026, e enjte, 17:31
Gjermani

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat