Gjysmë shekulli nga vdekja enigmatike e Qenan Shaipit në Kankun të Meksikës, si raportues i parë i Rtv Prishtinës

Opinione

Gjysmë shekulli nga vdekja enigmatike e Qenan Shaipit në Kankun të Meksikës, si raportues i parë i Rtv Prishtinës

Nga: Nehat Hyseni Më: 11 mars 2026 Në ora: 23:53
Nehat Hyseni

Sot, më 12 mars 2016, bëhen 50-të vjet të plota nga humbja tragjike e jetës rinore të Qenan Shaipit, në krye të detyrës dhe pa i mbushur 30 vjeç, në qytetin Kankun të Meksikës, ku ishte si raportues i parë i Radio Televizionit të Prishtinës, në vizitën zyrtare shtetërore të Kryetarit të RSF të Jugosllavisë, Josip Broz Titos.

Sipas verzionit zyrtar të pushtetit të atëhershëm, ”Qenan Shaipi humbi jetën në ujërat e Karaibeve nga një sulm në zemër, të cilin nuk e mbijetoi edhe përkundrejt ndihmës së menjëherëshme profesionale mjekësore”.

Ky “verzion zyrtar” mbi rethanat e vdekjes tragjike të tij, i dhënë nga shteti komunist i Jugosllavisë së Titos, nuk u besua asnjëherë deri më sot nga shqiptarët dhe familja, farefisi, miqtë e shokët e Qenan Shaipit.
Përkundrazi, dyshimet mbi këtë vdekje enigmatike shtoheshin gjithënjë e më tepër për rethanat dhe motivet e pushtetit të atëhershëm komunist për vrasjen enigmatike të këtij të riu shqiptar nga Presheva. Dyshimet për rrethanat e kësaj vdekjeje enigmatike u shtuan gjithnjë e më shumë, duke ngritur pikëpyetje serioze për motivet e mundshme të eliminimit të këtij të riu shqiptar nga Presheva.

Meqë kanë kaluar tani 50 vite nga kjo ngjarje tragjike, që është kusht ligjor për hapjen e arkivave sekrete shtetërore, po shpresojmë se do të na lejohet qasja në arkivat shteterore, që mbaheshin sekret deri më tani dhe se do të zbardhet e vërteta mbi këtë tragjedi të madhe familjare e kombëtare.

Qenan Shaipi në shkollën e mesme të ndërtimtarisë në Mitrovicë ishte përcjellur si fëmi 14 vjeçar nga familja e tij, e cila 28 vjet më parë kishte përcjellur profesor Ibrahim Kelmendin, si “kaçak” që ishte dhe komandant i forcave shqiptare të NDSH-së për mbrojtjen e kufirit-frontit të Luftës tek “Udha e Frengit” (hekurudha), që emigroi në Australinë e largët, për të mos u kthyer kurrë!
Prandaj, Qenan Shaipi kishte marrë një urdhër të prerë nga prindërit: “Shko, mëso biri jonë dhe kurrë mos u merr me politikë, sepse neve nuk na shkon politika!”
Qenani e kryen shkollën e mesme dhe si 18 vjeçar punësohet në KK të Preshevës, kurse një vjet e gjysëm më pas, i vazhdoi studimet në Prishtinë.

Atëbotë Kosova përjetonte “bum” të vërtetë zhvillimor politik, arsimor, social e ekonomik, pas rënies së shefit të UDB-së famëkeqe, Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e IV-të në Brione, në vitin 1966.
Ashtu siç Amerika ishte këndellur nga Lufta e Dytë Botërore dhe në fillimvitet e 60-ta të shekullit XX, me Xhon F. Kenedi dhe familja e tij katëranëtarëshe, me djalin, vajzën dhe me zonjën, Zhaklinën, ishte bërë model i familjes së përkryer Amerikane dhe idol e simbol i përparimit dhe mirëqenies së çdo amerikani, edhe Kosova pas vitit 1966 ishte në pozitë relativisht të ngjajshme, sidomos në aspektin e shpresave të ngjallura dhe vrullit patriotik që kishte pasuar pas nëpërkëmbjes shekullore dhe prapambeturisë kombëtare të shqiptarve.
Klasa politike kosovare ishte personifikuar në kuadrot e reja dhe të shkolluara dhe familjet e tyre të njoma, të mbrujtura me plotë energji dhe ëndrra për një Kosovë të zhvilluar e të lirë.


Perspektiva shpresdhënëse në sytë e shqiptarve të ish Jugosllavisë personifikohej pikërisht në plejadën e politikanëve, shkencëtarve, profesorëve dhe studentëve të rinjë, inteligjentë e të zgjuar, plotë energji, vullnet dhe elan rinorë, të cilët konsideroheshin si “dritë në fund të tunelit”, pas territ shekullorë të robërisë, padrejtësive dhe vuajtjeve të pafund njerëzore, sociale e kombëtare.
Qenan Shaipi ishte njëri nga ata, si djalë i ri, shumë i zgjuar, nga një familje intelektuale: stërgjyshi i tij, Osmani ishte një figurë kombetare me nam në Vilajetin e Kosovës, kurse gjyshi Shaip Efendiu ishte jurist dhe punoi si gjyqëtar në Kazanë e Preshevës, i cili u dënua me vdekje nga Qeveria e Nikolla Pashiqit në vitin 1916. Ekzekutimit Shaip Efendiu i shpëtoi në minutat e fundit, meqë arriti t’i shmanget arrestimit dhe iku në Anadolli të Turqisë, në Dijari Bakir, ku u ekzekutua së bashku me djalin e tij të madh, Osmanin 18-vjeçar, tre vjet më vonë, në vitin 1919, nga agjentët e qeverisë serbe të Nikolla Pashiqit.
Kurse, xhaxhai i tij, profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit e mbanë sot me krenari Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës, ishte komandant i forcave shqiptare, që heroikisht luftuan dhe e mbrojtën vijën kufitare te Udha e Frengit (Hekurudha) në vjeshtën e vitit 1944. Ai u detyrua që së bashku me shokët e luftës dhe idealit, Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën, etj. u detyruan të arratisen. Profesor I. Kelmendi vdiq në Australi në janar të vitit 1979, me mallin e pashuar për atdheun, që nuk e pa më kurrë!

Kontributi kolosal i Qenan Shaipit në përparimin e vrullshëm të vendlindjes së tij Preshevës, si teknik i parë i ndërtimtarisë në Kuvendin Komunal, konsiston në: ndërtimin e urës në qendër të fshatit Rahovicë, e cila përdoret dhe është në gjendje perfekte edhe pas 45 vitesh.
Kjo do të thotë se, ai në moshën 18 vjeçare ishte serioz, i guximshëm profesionalisht dhe i vendosur për të marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha.
Fillet e hartimit të Planit të parë Urbanistik të Preshevës, lidhen me aktivitetin dhe kontributin direkt të tij. Kjo do të thotë se me Qenan Shaipin Presheva vendos themelet e shndërrimit të Preshevës nga kasabaja me ndërtim kaotik, në qytet urbanistik.
Pastaj, ujësjellësi i qytetit projektohet dhe fillon së ndërtuari me nisiativën dhe nën udhëheqjen e punën e palodhëshme të tij.
Vendosja e rregullit të parë të disiplinës urbanistike në komunën e Preshevës, pra, është bërë nga Qenan Shaipi, duke mos lejuar me këmbëngulje dhe vendosmëri të palëkundur zënien e rrugëve kryesore dhe të atyre dytësore të qytetit të Preshevës.
Kontributi i Qenan Shaipit si kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës, e sidomos për pozitën materiale të studentëve në vitet 1966-1974, lidhur me sigurimin e bursave dhe kredive studenteske, vendosjen në konvikte, etj. ka qenë i madh.
Në këtë kohë u shumëfishua numri i studentëve shqiptarë në Kosovë, që vinin nga të gjitha viset e Jugosllavisë së atëherëshme të banuara me shqiptarë: nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
Artikujt dhe intervistat në “Bota e re”, “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, etj., flasin qartë, si dokumentacion faktografik për rolin dhe angazhimin e tij të pamohueshëm në themelimin e Gazetës së Studentëve “Bota e re” dhe për kontributin e Qenan Shaipit nga ideja, sigurimi i parave (2 milion dinarë) nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës., e deri te botimi final.

Artikulli i tij në faqe të parë të nr. 1 të Botës së re, do të zë vendin e merituar.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe aktiviteti i Qenanit si Kryetar i Konferencës universitare të LK-së në kontekstin e përparimit dhe mirëqenies kosovare dhe të arriturave të gjithëmbarëshme e kolosale në atë kohë, duke i vënë dalëngadalë, por sigurtë, themelet e Autonomisë dhe ato të shtetësisë së Kosovës, me miratimin e Amendamenteve në Kushtetutën e RSFJ-së lidhur me statusin e Kosovës si dhe në nxjerrjen e Kushtetutës së parë të Kosovës, në vitin 1974.
Duhet veçuar sidomos kontributin dhe angazhimin e guximshëm, të vendosur dhe të palodhshëm të Qenan Shaipit në themelimin dhe pavarësimin e Radiotelevizionit të Prishtinës nga Radiotelevizioni i Beogradit, që ka ka qenë tejet i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejtë pavarësimit politik nga Serbia.
Ai vdiq në krye të detyrës, në rethana tejet të dyshimta, nga dora e regjimit të atëhershëm komunist të Jugosllavisë së Titos, duke lënë pas veti bashkëshorten Sebahaten në lulen e rinisë, në moshën 26 vjeçare, djalin Agonin 2,5 vjeç vajzën Zanën 5 vjeç.

Pesë dekada janë një periudhë e gjatë në kohën historike, por për figurat që lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e popullit, koha nuk arrin t’i zbehë kujtimet. Përkundrazi, vitet e bëjnë më të qartë peshën dhe domethënien e kontributit të tyre.

Qenan Shaipi ishte një personalitet i veçantë i brezit të tij. Ai ishte i ri në moshë, por i pjekur në mendim, i përkushtuar në punë dhe i guximshëm në qëndrime. Ishte një nga ata intelektualë të rinj shqiptarë që, me energjinë dhe idealizmin e tyre, u bënë bartës të shpresës për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët në ish Jugosllavi.

Ai vinte nga një familje me traditë të theksuar intelektuale dhe patriotike. Breza të tërë të kësaj familjeje kishin dhënë kontribut në jetën shoqërore, politike dhe kombëtare të vendit. Në këtë truall familjar u formua edhe karakteri i Qenan Shaipit – një karakter i ndërtuar mbi ndjenjën e përgjegjësisë, mbi respektin për dijen dhe mbi dashurinë për kombin dhe vatanin.

Me vdekjen e parakohëshme dhe tragjike të Qenan Shaipit, familja, farefisi, vendlindja e tij Presheva, Kosova dhe mbarë Shqiptaria humbën një kuadër të aftë dhe punëtor të palodhshëm që dha kontribut të jashtëzakonshëm për përparimin e Kosovës dhe të mbarë shqiptarve në ish Jugosllavi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat