Të gjithë politikanët e shfrytëzojnë rastin për të dalë në foto dhe për të marrë pak lavdi e prestigj nga suksesi i sportistëve. Së paku për të kap ndonjë votë elektorale ose për të thënë se “Edhe unë jam patriot”! Në prag dhe pas fitoreve të skuadrave ose individëve të sportit ata i sheh duke uruar apo përgëzuar fituesit e këtij zhanri të veprimtarisë njerëzore. Dhe kjo është e paevitueshme. Eshtë madje e dobishme që politika të solidarizohet me sportin dhe suksesin e sportistëve. Nuk shoh asgjë të keqe, kur këtë e bëjnë veçmas politikanët atdhetarë dhe të përkushtuar për sukses në dobi të vendit të tyre.
Megjithatë jo pak politikanë të korruptuar përsërisin të njëjtën gjë si edhe ata politikanë që nuk kanë lidhje me korrupsionin. Sukseset e sportit duan t’i shfaqin pameritueshëm edhe si shembëlltyrë e punës së tyre të pistë. Sidomos në Kosovë sporti është i ndershëm. Ai merr kuptim dhe shndërrohet në frymëzim për miliona njerëz, sepse është sport me zemër, i pastër, i motivuar nga dashuria për Kosovën. Ndryshe është në Shqipëri, ku vlerësimi i lojtarëve bëhet sipas rekomandimeve politike ose sipas pagesave të majme për drejtuesit e sportit të këtij vendi. Kosova është modeli i pastërtisë sportive, edhe pse ende nuk i ka krijuar kushtet për ta ushtruar këtë profesion në standardet e vendeve të tjera. Do Zoti dhe qeveria e Kosovës si dhe Federata e Futbollit marrin një vendim për ndërtimin së paku të një stadiumi dinjitoz për shtetin në Prishtinë.
Por nuk është fjala për këtë temë. Kam përshtypjen se politika spekullon jo pak me rezultatin pozitiv të sportit. Spekullimi vjen në formën e përpjekjeve pët ta fshehur sjelljen dhe moralin politik të pistë nga ana e saj. Jo pak politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, veçmas në Shqipëri, bëhen bashkë me skuadrat e futbollit, sikur të ishin pastërtisht politikanë atdhetarë dhe të pakorruptuar e inkriminuar. I sheh në stadiumet e Shqipërisë, Kosovës apo edhe në vende të tjera të botës si VIP-a të futbollit, duke shitur “patriotizëm” dhe “ndershmëri” të paqenë. Gjykojnë edhe arbirtrin “për padrejtësi”, kur padrejtësinë e kanë përditshmëri në profesionin e politikës. Marrin në mbrojtje gjithashtu drejtuesit e futbollit, edhe kur këta gabojnë (me dashje) në përzgjedhjen e skuadrës, sepse kështu besojnë se justifikojnë përzgjedhjet diferencuese e diskriminuese në veprimtarinë politike e deri te ajo shtetërore.
Sporti në përgjithësi është i pastër. Po jo rrallë e bën atë pis politika. Kur politika ngatërrohet nëpër këmbët e sportit, atëherë aty gjallojnë veset e politikanëve të pistë. Sportistët kur gabojnë ose dështojnë, ata lahen në lot, kërkojnë falje, dëshprohen dhe ndjehen keq. A kemi parë ndonjë politikan që kur dështon ose kur gabon të kërkojë ndjesë?! Rrallë, shumë rrallë. Edhe kur ka ndodhur të kërkohet falje prej politikës, kanë kaluar shumë vite, ndoshta dekada. Futbollistët e kombëtares së Kosovës mbrëmjen e së martës lotuan. Tek ata ndjehej trishtim pse nuk patën fat të shënojnë gola dhe ta fitojnë ndeshjen. Se ata janë njerëz me zemër të bardhë, e ndjejnë dhimbjen, janë të vërtetë e nuk shtiren si politikanët!
Në përgjithësi të gjithë sportistët ndjehen “me faj”, kur nuk arrijnë fitoren. Por kombëtarja Kosovës bën përjashtim. Ajo ndjen më shumë se kushdo tjetër sportist në botë. Dhe kjo na çon te ideja se “Sa më shumë ta duash atdheun, aq më shumë dëshprohesh kur nuk mund ta përfaqësosh atë me sukses të plotë”! Në rastin konkret në Kampionatin Botëror në SHBA. Ndërsa te politika ngjizet e kundërta e këtij postulati. Sa më shumë që një politikan është i korruptuar, aq më pak e do atdheun e tij dhe aq më pak ndjen dhimbje për dështimet në politikë! Sa më shumë i korruptuar, aq më pak një politikan i tillë kërkon ndjesë për gabimet dhe çmenduritë e tij. Dhe kjo përkthehet në atë, se sa më i madh korrupsioni, aq më i madh zullumi dhe arroganca kundër interesave të vendit, atdheut e qytetarëve!
Sporti, sidomos kombëtarja e Kosovës, duhen bërë modeli i sjelljes politike në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë. Nëse ndodh kjo, atëherë Kosova do të ndjehet gjithmonë e në çdo sekondë e sigurt dhe me të ardhme të shkëlqyer!