Atdhetari dhe veprimtari i madh Xhemajl Berisha – i harruar padrejtësisht!

Opinione

Atdhetari dhe veprimtari i madh Xhemajl Berisha – i harruar padrejtësisht!

Nga: Saim Tahiraj Më: 15 prill 2026 Në ora: 18:41
Saim Tahiraj

Sot është përvjetori i vdekjes së atdhetarit dhe veprimtarit të shquar, Xhemajl Berisha. Ai ia kushtoi tërë jetën atdheut dhe lirisë së popullit shqiptar të robëruar.

Qysh në rini, për shkak të dinjitetit dhe qëndrimit të tij kombëtar, plagosi rëndë një çetnik serb që e kishte fyer në baza kombëtare. Për këtë u dënua me 5 vite burg. Pas disa viteve, arriti të thyejë burgun, të vizitojë familjen dhe të afërmit, por më pas e vuajti dënimin deri në fund, madje edhe me muaj shtesë si ndëshkim për arratisjen.

Ai ishte i angazhuar në veprimtari ilegale dhe nuk u ndal për asnjë çast deri në fund të jetës. Punoi si fotograf në Deçan dhe punishtja e tij u shndërrua në një nga bazat më të rëndësishme të ilegalës në atë zonë. Aty përgatiteshin dhe shpërndaheshin materiale propagandistike, si gazeta “Lajmtari i Lirisë”, literaturë atdhetare, kaseta me filma dhe muzikë me përmbajtje patriotike, si dhe afishe e parulla për demonstrata.

Një nga veprimet më të guximshme të tij ishte shpërndarja e afisheve në pazarin e Deçanit, ku në orët e hershme të mëngjesit vendosi materiale në çdo tezgë. Ky akt pati jehonë të madhe dhe u bë temë diskutimi për ditë me radhë. Ai vetë shkroi edhe shumë parulla si “Kosova Republikë” në Deçan dhe rrethinë.

Në vitin 1991 u caktua përgjegjës për organizimin e një grupi për ushtrime ushtarake në Shqipëri.Së bashku me bashkëveprimtarët e tij, Osman Ferizin, Hasan Ferizin dhe Shkelzen Gjonaj udhëtoi për në Zvicër dhe pastaj grupi në përbërje Asmon Ferizi, Saim Tahiraj, Hasan Ferizi dhe Shklezen Gjonaj udhëtuan drejt Shqipërisë, ku pas përgatitjeve u kthyen të armatosur në Kosove për të vazhduar aktiviten e tyre.. Pas përgatitjeve, grupi u kthye i armatosur në Kosovë, ku Xhema luajti rol kyç në bartjen dhe shpërndarjen e armatimit.

Pas dekonspirimit, u detyrua të arratisej në Shqipëri, ku qëndroi për disa vite me ndihmën e Salih Çekaj. Ai ndihmoi vazhdimisht grupet nga Deçani në strehim dhe furnizim me armatim deri në kufi, prej nga vazhdonin veprimtarinë në Kosovë.

Më pas, për arsye shëndetësore, u vendos në Zvicër, ku vazhdoi aktivitetin e tij në kuadër të Lidhja Demokratike e Kosovës. Me fillimin e luftës, ishte pjesë aktive e logjistikës në kuadër të MMRK-së.

Ngjarjet e rënda të kohës e tronditën thellë: vrasja e Ahmet Krasniqi dhe rënia në Beteja e Kosharës e bashkëveprimtarëve të tij, Salih Çekaj dhe Agim Ramadani, ishin goditje shumë të rënda për të.

Edhe pas luftës, vazhdoi veprimtarinë në LDK, por mbeti i zhgënjyer nga zhvillimet politike në Kosovë. Ai ishte një luftëtar i palëkundur dhe i pakompromis në mbrojtje të idealeve të tij.

Xhemajl Berisha u nda nga jeta më 15 prill 2010 dhe u varros në Zvicër, duke lënë pas dhimbje të thellë te familja dhe bashkëveprimtarët. Boshllëku që la në organizim mbetet i pazëvendësueshëm.

Vitet kalojnë, por malli, dashuria dhe kujtimet vetëm sa shtohen, bashkë me krenarinë për veprën e tij. Fatkeqësisht, deri më sot mungon një vlerësim institucional i denjë për figurën e tij – diçka që ai e ka merituar plotësisht.

Le të mbetet në ndërgjegjen e secilit, sidomos e atyre që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të.

Lavdi e përjetshme për atdhetarin e madh, Xhemajl Berisha!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat