Edi Rama është bërë objekt i opinionit të brendshëm dhe të jashtëm me sjelljet dhe veprimet e tij në kundërshtim me protokollin shtetëror dhe ndër-shtetëror me disa shtete.
Pritja në gjunjë që i bëri kryeministres italiane Giorgia Meloni në Tiranë, të cilën e vazhdoi edhe me ceremoninë pritëse që iu bë më 16 prill në Romë, veshja gjatë faljes në Jerusalem, pritja në Kryeministri me veshje jo të zakonshme së bashku me ambasadoren amerikane në Greqi, si dhe filmime të ndryshme gjatë vizitave jashtë shtetit, vazhdojnë t’i ulin dinjitetin dhe emrin Shqipërisë.
Asnjë kryeministër në rajon, në Evropë dhe më gjerë nuk mund të prezantohet brenda dhe jashtë shtetit pa respektuar veshjen zyrtare protokollare: kostum të zi ose blu, këmishë të bardhë me kollare dhe këpucë të zeza, i pastër dhe i rruar. Henry Kissinger, diplomati me emër botëror dhe dy herë sekretar i shtetit amerikan, i ka trajtuar deri në përkufizime mënyrat se si duhet të vishen dhe të prezantohen drejtuesit dhe diplomatët e shtetit. Çuditërisht dhe me prepotencë, Edi Rama, në funksionin e kryeministrit, i shpërfill këto parime dhe kërkesa të paraqitjes dhe prezantimit zyrtar. Madje, gazeta turke – të cilën për disa orë e publikoi edhe gazeta “Dita” – e vlerësonte me shprehjen: “Edi Rama, një palaço”, ndërsa edhe media të tjera bëjnë komente për këto sjellje aventuriere të një kryeministri aspak normal.
Duke qenë edhe pjesë e diplomacisë aktive shqiptare jashtë shtetit, funksionet më kanë dhënë mundësi për takime zyrtare me presidentë, kryetarë kuvendesh, kryeministra, ministra, ambasadorë dhe diplomatë të huaj. Prandaj jam i tronditur që Edi Rama, në funksionin e kryeministrit, është shembulli më negativ dhe më dëmtues i emrit të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo sepse nuk thuhet thjesht Edi Rama, por Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ashtu si me paraqitjen e jashtme, ai nuk lë mangët edhe batutat që kërkon të bëjë me liderë evropianë, të cilët tani e kanë distancuar, pasi ai, në kundërshtim me BE-në dhe shtetet e saj, është afruar me figura si Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump.
Edi Rama e ka çuar Shqipërinë në një udhëkryq politik, ekonomik, diplomatik dhe ushtarak me Evropën, dhe pa asnjë garanci edhe me Amerikën. Ai është jashtë çdo realiteti të zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme, i çorientuar plotësisht dhe ka bllokuar funksionimin e shtetit demokratik dhe ligjor: Kuvendin, gjykatat dhe Presidencën. Shqipëria sot nuk është më republikë parlamentare, por një shtet kryeministror. Ai flet dhe vendos çfarë të dojë, duke shkatërruar edhe shumë ligje që përmbanin vlera të shtetit demokratik dhe ligjor, duke dhënë pasuri kombëtare falas ose me 1 euro, madje duke vënë në dilemë sovranitetin e vendit me Sazanin dhe hapësirat detare.
Ai, me qeverinë e tij, është vërtetuar se garojnë kush të vjedhë e të pasurohet më shumë në kurriz të popullit, ndërsa 2.1 milionë shqiptarë kanë braktisur atdheun dhe mbi 520 mijë pensionistë ankohen për ilaçet e pa rimbursuara dhe për bukën e gojës.
Kanë të drejtë shumë shqiptarë që thonë: “Edhe Slobodan Milošević të kishim sjellë me helikopter kryeministër të Shqipërisë, nuk do të kishte bërë këtë gjëmë”.
Nuk largohet, apo nuk e lënë të largohet. Kur janë larguar për 8 vjet Margaret Thatcher, Bill Clinton, Tony Blair dhe Angela Merkel, vendet e tyre lulëzonin, ndërsa Edi Rama po e gropos përditë Shqipërinë.