Moskonsolidimet partiake e politike, atentat pas atentati ndaj Kosovës sonë!

Opinione

Moskonsolidimet partiake e politike, atentat pas atentati ndaj Kosovës sonë!

Nga: Sabahate Byci Më: 22 prill 2026 Në ora: 12:23
Sabahate Byci

"Mos më mbaj pula "ymyd" (shpresë) që nuk ha grurë, ngordh"!

Opozitarët si dhe „shpresa“ e tyre, blufi i radhës, sipas faktit të bllokadave të kurdisura në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendlindjes sonë, poashtu;

"E zeza e vetit dhe shkatërrimi (fika) i shtëpisë"?!

Themi ne në gjuhën e thjeshtë e të bukur të popullit tonë shqiptar.

Kohëve të fundit, si gjithmonë që 5 vite radhazi e më shumë, opozita në tabllonë e tyre të „kazinos“ politike si dhe lojës bluff, don të thotë basti i tyre para dhe pas çdo takimi me Kryeministrin Albin Kurti, secilën herë e më shumë në rritje me kundërshtimet e tyre dhe mosdakordimin apo mosrënien në ujdi për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë idioteske e me plot qëllime të këqija kundërshtarët e zellshëm të njëjtë dhe në një linjë me veprime konform dëshirës si të Aleksandër Vuçiçit – Sandrit të ER-ës, në përpjekje e sipër pra opozita jonë (jo të gjithë) po jep të gjitha forcat e „kontributin“ vetëm e vetëm për të "fituar kohë" në aspektin politik, me sjelljet e tyre totalisht kundërshtuese dhe absurde, poashtu edhe fatale sa i përket përparimit të shtetësisë së vendlindjes sonë Kosovë Dardani!

Sipas mendimit tim, i gjithë ky skenar teatral, sikur një dramë tragjikomike e opozitës sonë naive, e ka sjellë vendlindjen tonë bukuroshe, pa fajin e saj, aktualisht në dispozicionin:

„Epoka para gjyqit“.?!

Çfarë tërbimi si shtazarak në pritje të pakthimit të pafund.?!

Opozitarët në pritje të verdiktit si dhe zvarritja e tyre deri te vendimi final në Hagë.!

Opozita gjithsesi është bërë për t’u vajtuar, mu për faktin se si e tëra e ka lidhur besën për ta shkatëruar shtetin tonë Kosovë Dardani, me zvarritje kohore qëllimisht, duke e pritur 'xhokërin' e lojës së tyre „kush do të bëhet milioner“, nën regjinë e GREN-ER-ës, me „ymydin“, përkatësisht shpresën e ardhjes/kthimit të "Presidentit" të tyre z. HaTha?!

Sjellja e tyre shah-mat kundër bashkëqeverisjes me qeverinë aktuale, përkatësisht sjellja e tyre absurde, haptazi po jep të kuptohet se shpresa e tyre po sillet vërdallë sa i përket zgjatjes së qëllimshme të kohës së zgjedhjes së presidentit, duke mos i vënë aspak në konsideratë të gjitha pasojat që me këtë rast po i kanosen vendlindjes sonë.

Të njëjtit, pra opozitarët (jo të gjithë), me një formë flagrante, injorante dhe të përbetuar, janë orientuar në kahje të destinacionit të „xhokërit“ të tyre, deri në kohën e shpalljes finale të verdiktit (vendimit) nga Gjykata në Hagë – dhe të njëjtit kurrsesi nuk duhet të mendojnë dhe shpresojnë se një veprim i tillë nuk po del në pah dhe nuk po shihet.

Shumica e opozitarëve janë orientuar në bazë të ideve, kërkesave e deklarimeve të shumta dhe me „shpresën“ e tyre eksplicite të PDK-së. Po veprojnë mu sipas motos – po e shkruaj në dialektin tim gjakovar:

„Mos më maj pula ymyd (shpresë) se han grurë – cofë (ngordh)!“

Dhe i gjithë ky „ymyd“ i opozitarëve, siç e ceka më lartë, posaçërisht i PDK-së, është përqendruar në deklaratat alla Grenell-jane, si dhe në kërkesat e „lypsit fatal me patika“ të periudhës civile, por më të vështirës së të gjitha kohërave të ekzistimit të kombit tonë shqiptar, z. KMiSHER-a, sa i përket versionit dhe vizionit për presidentin e tyre që „lindjen“ e perëndimin e diellit po e pret dhe po e përcjell në Hagë.

E GJITHË KJO HUMBJE KOHORE DHE MALTRETIM PËR SHTETIN TONË KOSOVË DARDANI ËSHTË HUMBJE DHE MËKAT QË NUK DO TË FALET KURR!

Dhe në fund të këtij opinioni tim, dua të theksoj se tradhtia e qëllimshme keqdashëse e besnikërisë, posaçërisht ndaj vendlindjes së shenjtë për çdo shpirt si dhuratë e Zotit, pra çdo tradhti makabre në rastin në fjalë dedikuar vendlindjes sonë Kosovë Dardani, vetëm për interesa personale apo edhe në emër të ego-interesave partiake, asesi s’duhet anashkaluar sepse për të gjithë aktorët e tillë do të jetë bumerang, që do të thotë se:

ÇDO VEPRIM I SECILIT, ÇFARËDO LLOJI QOFTË AI, HERËT A VONË DO T’I KTHEHET TEK BURIMI I VET!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat