Skenari vazhdon: Pse u refuzua edhe oferta që nuk i takonte opozitës

Opinione

Skenari vazhdon: Pse u refuzua edhe oferta që nuk i takonte opozitës

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 27 prill 2026 Në ora: 23:47
Xhevdet Mazrekaj

Kur një shumicë me 51 për qind të votës qytetare dhe mbi 60 për qind të votës shqiptare ofron poste që normalisht nuk i takojnë vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por gjithçka refuzohet, atëherë problemi nuk është marrëveshja.

Problemi është skenari.

Zhvillimet e sotme në Kuvend e bënë edhe më të qartë se kriza aktuale nuk po mbahet gjallë për mungesë zgjidhjesh, por për mungesë vullneti që Kosova të ketë institucione stabile.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, i ofroi LDK-së tri ministri, postin e Kryetarit të Kuvendit dhe pozitën e zëvendëskryeministrit. Politikisht, kjo ishte një ofertë shumë më e madhe sesa pesha reale parlamentare e LDK-së.

Pra, opozitës iu ofrua më shumë sesa i takonte, vetëm për një qëllim:

që vendi të mos hynte në zgjedhje të reja dhe të zgjidhej Presidenti.

Por edhe kjo u refuzua.

Këtu lind pyetja logjike:

Nëse refuzohet edhe një ofertë kaq e favorshme, atëherë çfarë po kërkohet në të vërtetë?

Sepse në politikë, kur refuzohet kompromisi, zakonisht kërkohet diçka tjetër.

Sot, Kryeministri Albin Kurti bëri thirrje që opozita të propozojë emra për President. As kjo nuk u pranua.

Pastaj Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku u tërhoqën nga kandidaturat e mëhershme për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje më të gjerë. Edhe kjo nuk ndryshoi asgjë.

Më pas u propozuan Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

As këtu nuk pati bashkëpunim.

Kur refuzohet:

- oferta politike,

- mundësia për poste,

- e drejta për të propozuar kandidatë,

- tërheqja e kandidatëve ekzistues,

atëherë nuk kemi më krizë normale politike.

Kemi bllokadë të qëllimshme.

Dhe kur opozita bojkoton së bashku me Listën Serbe, qytetari ka të drejtë të pyesë:

Kush po përfiton nga mungesa e institucioneve stabile në Kosovë?

Sigurisht jo qytetarët.

Sigurisht jo shteti.

Historia ka treguar se sa herë Kosova mbetet pa institucione funksionale, përfitojnë vetëm ata që nuk e duan një Kosovë të fortë dhe sovrane.

Prandaj, ajo që po ndodh sot nuk duket si debat për emra.

Nuk duket si luftë për parime.

Duket si një skenar i sinkronizuar që vendi të shtyhet drejt zgjedhjeve të detyruara.

Dhe nëse nesër dështon edhe raundi i fundit, atëherë shumë gjëra që u mohuan sonte, do të kuptohen qartë nesër.

Sepse në politikë, shpesh nuk tregon të vërtetën ajo që thuhet.

E tregon ajo që refuzohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat