Rasti i sulmit fizik ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani nuk mund të trajtohet si një incident banal mes individësh me temperament politik. Jo kur në qendër të akuzave gjendet një figurë si Sami Lushtaku — person i dënuar më herët për krime lufte dhe i sanksionuar nga United States Department of the Treasury në kuadër të listës së zezë amerikane për korrupsion dhe minim të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në çdo shtet normal demokratik, vetë fakti që një zyrtar i nivelit të lartë lokal ndodhet nën sanksione amerikane do të ishte barrë e rëndë politike dhe morale. Në Kosovë, paradoksi është tronditës: jo vetëm që nuk konsiderohet pengesë për ushtrim pushteti, por figura të tilla vazhdojnë të sillen si autoritete paralele, duke prodhuar frikë politike dhe imponim publik.
Kjo është drama e vërtetë e shtetit kosovar: jo mungesa e ligjeve, por mungesa e vullnetit për t’i zbatuar ato ndaj të fuqishmëve.
Kur një individ i futur në listën e zezë amerikane për shkak të dyshimeve serioze mbi korrupsionin dhe ndikimin kriminal përmendet në një sulm fizik ndaj një zëvendësministri të Republikës, dhe megjithatë vazhdon të mbrohet politikisht e publikisht, atëherë qytetari i zakonshëm e kupton se ekzistojnë dy Kosova: një për njerëzit e zakonshëm dhe një tjetër për kastën e paprekshme.
Heshtja e opozitës në këtë rast është po aq alarmante sa vetë incidenti. Në vend se të distancohej qartë nga dhuna politike, një pjesë e saj u fsheh pas kalkulimeve elektorale dhe solidaritetit klanor. Kjo tregon se kultura e mosndëshkimit është bërë më e fortë se vetë frika nga dëmtimi i shtetit.
Akoma më shqetësuese është tentativa për ta romantizuar arrogancën e forcës me termin “gjeneral i UÇK-së”, sikur e kaluara e luftës të jepte imunitet moral për sjelljet e sotme. Lufta çlirimtare nuk mund të përdoret si certifikatë për paprekshmëri politike. Përkundrazi, ata që pretendojnë trashëgiminë morale të luftës duhet të jenë të parët që respektojnë ligjin dhe institucionet e Republikës për të cilën u sakrifikua.
Por Kosova ka krijuar një fenomen të rrezikshëm: kultin e komandantit mbi republikën. Dhe aty ku komandanti bëhet më i fortë se shteti, demokracia fillon të zhbëhet.
Prandaj, nuk është çudi pse partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të shfaqin mosbesim ndaj kapaciteteve të drejtësisë kosovare. Nuk është rastësi pse mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë vazhdojnë të mbeten faktor relevant për Kosovën. Sepse sa herë që drejtësia lokale stepet para emrave të fuqishëm, ajo e pranon vetë pafuqinë e saj institucionale.
Nëse prokuroria dhe gjykatat nuk arrijnë të japin përgjigje të barabartë ndaj rasteve ku përfshihen figura politike me ndikim, atëherë mesazhi për qytetarët është katastrofik: pushteti nuk kontrollohet nga ligji, por nga frika dhe lidhjet politike.
Dhe ky është momenti më i rrezikshëm për çdo republikë.
Sepse shteti nuk bie vetëm kur sulmohet nga jashtë. Ai bie kur qytetarët humbin besimin se drejtësia guxon të prekë të fortët.