Ambasadorin Mejdani nuk e ka shpallur askush persona non grata në Shkup; atë po e zëvendësojnë të vetët me një ambasador tjetër

Opinione

Ambasadorin Mejdani nuk e ka shpallur askush persona non grata në Shkup; atë po e zëvendësojnë të vetët me një ambasador tjetër

Nga: Ejup Berisha Më: 20 maj 2026 Në ora: 12:13
Ejup Berisha

Nuk po e kuptoj logjikën e mbrapshtë të disa qarqeve të caktuara politike dhe shoqërore shqiptare këtu në RMV, apo tendencën për të politizuar apo dramatizuar gjithçka, siç janë edhe vendimet autonome dhe legjitime të qeverive. Po ashtu, këta shpesh në to zbulojnë tendenca konspirative, kur në të vërtetë nuk ka të tilla. Të njëjtën gjë ditëve të fundit këto qarqe vendore po mundohen ta bëjnë edhe me një vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për të bërë ndërrim të ambasadorit të tyre në Shkup me një ambasador tjetër.

Këtyre ditëve, pra, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të bëjë rokadë apo zëvendësim të shefit të misionit të tanishëm diplomatik, pra ambasadorit Denion Mejdani këtu në Shkup, dhe në vend të tij të sjellë një tjetër ambasador, më saktë Arben Malajn ta emërojë ambasador të ri këtu te ne.

Këto qarqe, çuditërisht, këtë vendim të Ministrisë së Jashtme shqiptare po e interpretojnë në mënyrë të pakuptimtë si tentim i faktorëve politikë vendorë për ta shpallur ambasadorin e tanishëm Denion Mejdani persona non grata në RMV. Parashtrohet pyetja pse këto qarqe një vendim autonom dhe legjitim të Ministrisë së Jashtme apo të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për zhvendosjen e ambasadorëve këtu në vendin tonë po e interpretojnë në mënyrë të mbrapshtë, apo më saktë po e shtrembërojnë, duke e paraqitur si tendencë të faktorëve politikë qeveritarë vendorë për ta larguar ambasadorin Mejdani para kohe nga Shkupi.

Së pari, kjo nuk është çështje e iniciuar nga dikush këtu në RMV, por është iniciuar nga vetë faktorët qeveritarë të Shqipërisë. Prandaj bien poshtë tendencat e dikujt këtu te ne që e politizojnë çështjen e zhvendosjes së ambasadorëve shqiptarë. Ky, përsëris, është vendim autonom i Ministrisë së Jashtme apo i Qeverisë shqiptare, e jo i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e aq më pak tendencë e koalicionit qeveritar shqiptar VLEN për ta larguar ambasadorin Mejdani para kohe nga misioni diplomatik në Shkup, siç po mundohen ta paraqesin qarqet në fjalë.

Me metoda propagande dhe me tendenca për politizimin e gjithçkaje nuk ecim përpara dhe nuk emancipojmë si shqiptarë këtu në RMV. Këto janë receta veprimi tashmë të njohura të një shteti problematik në rajonin tonë; ata kanë ditur dhe dinë përherë ta politizojnë apo dramatizojnë çdo gjë, siç po bëjnë tani edhe faktorët e këtushëm.

Lërini institucionet ta thonë të vërtetën për gjithçka, por edhe për çështjen e vendimit për ambasadorët shqiptarë. Personalisht, nëse vendimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare bëhet definitiv, ambasadorit Mejdani i dëshiroj mision të mbarë dhe të suksesshëm diplomatik në Prishtinë, ndërsa ambasadorit Arben Malaj të njëjtën gjë i dëshiroj këtu në Shkup.

I lus të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë shqiptarë këtu që vendimet e qeverive t’i interpretojnë drejt dhe në mënyrë autentike, e të mos politizojnë e dramatizojnë çdo gjë, aq më pak të mos përdorin konspiracione gjatë interpretimeve të vendimeve të miratuara apo hapave të ndërmarrë diplomatikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat